Fjala e Mustafa Krujës në Pejë më 29 qershor të vitit 1942
“Si shqiptar do të kishem fluturue këtu qysh ditën e parë qi ora e pavdekshme e fisit arbnuer deshti me ia kthye tekembramja këto vise të bekueme prej të Madhit Zot atij qi i përkasin: Kombit shqiptar. Si Mustafa Kruja, qi s’ka bâ punë të madhe për tokën e shênjtë e për popullin vigan të kësaj Kosove, por në mos tjetër i ka kjajtë në zêmër të vet me lot gjakut për 30 vjet rrjesht robnín e saj, mundimet e salvimet e përgjakshme të bijve të saj.
Ndonse larg, kam rrnue shpirtnisht me ju, ndërmjet jush. Ka pasun shqiptarë, shokë të mij sërbofila, qi më kanë ngjitun vulën e zezë të tradhtís sepse kam diftue sympathí për Italín, bashkë me Hasan Prishtinën, Bajram Currin, me Dervish Mitrovicën e sa e sa kosovarë tjerë. Po! Nuk e mohoj. Krejt sympathija e eme, mâ e sinqerta, ka qênë për Italín, ka qênë për Romën sikurse vijon me qênë edhe sod. Sepse ka qênë e âsht nji sympathí qi i ka rrânjët në dashunín t’eme pa kufì për Kosovën shqiptare, për Kosovën kreshnike, për Kosovën e martirizueme. Nuk mujshem e nuk mundem me dashtun sërbín, Beligradin, xhelatët e vllazënve të mij kosovarë. Qe pse jam kenë, jam e do të des italofil. Italofil jo për interesë personale, por për nji ideal, italofil pa pallate e pa çifliqe.
E sod qi Kosova âsht bâ shqiptare, sod qi Kosova s’âsht ma ‘juzhna Srbija’ as ‘Metohija’, por quhet Prefektura e Prishtinës, Prefektura e Prizrenit, Prefektura e Pejës e Mbretnìs Shqiptare, bash në saje të bashkimit të shtetit t’onë me italín fashiste, sod un krenohem për italofilín t’eme, edhe në qoftë se nuk kuqen ndopak ata qi këtë italofilí e kanë vulosun për tradhtí. Për nji njeri qi s’ka tjetër ambicje posë realizimit të nji ideali, s’ka kënaqësì mâ të madhe se me e pà kët ideal të vërtetuem”.
ë realizimit të nji ideali, s’ka kënaqësi mâ të madhe se me e pa këtë ideal të vërtetuem”.
“Ka trimijë vjet qi Kosova ka njomë me djersë e gjak vendin e Ilirisë, se ilirët kanë qenë të parët t’anë e sot na thonë shqiptarë.
Un kam ardhë ndër ju jo vetëm të marr pjesë në gzimin t’uej, por edhe me pa prej s’afërmi hallet e dertet tuaja, jam tue shëtitë të gjithë Kosovën, me qëllim qi këto derte, bashkë me shokët e mij të Qeverisë, të mund t’i ndreqim”.
“Kryeministri i juej ka vonue ndoshta me ardhë ndër juve me u gëzue në Bajramin e lirís së juej, por punët e Shtetit nuk më kanë lanë me ardhë përpara ; punët e Shtetit janë të popullit dhe pra të juejat.
Arsyeja ma e parë qi më ka pru në Kosovë asht qi të marr pjesë në gzimin tuej, n’atë gzim qi nuk asht gzim i nji feste familjeje, as gzimi i nji djali qi lèn, nuk asht gzimi i nji martese, por asht gzimi i të tanë nji Kombi, asht gzimi i këputjes së zinxhirave të hekurt të nji robnije 30-vjeçare”.
Fjala e Mustafa Krujës në Rahovec:
“Kosovarë, burra të Rahovecit!
Kjo pritje madhështore qi qyteti juej i vogël i Rahovecit i ban kryeministrit dhe ministrave të vet, difton e provon se sa i madh asht enthuziazmi e se me sa padurim ka pritë ky popull me pa me sy nji kryeministër shqiptar e jo nji kryeministër të huej qi ka pasë nji emën, dikur Pashiq, dikur Jeftiq, dikur Stojadinoviq, gjithmonë me iq…
Un dhe shokët e mij kemi ardhë këtu, si u a merr mendja edhe ju, jo me ju thanë fjalë të bukura, por si shkojnë myslimanët në Haxhillik, kemi ardhë me u gzue me ju për lirinë e fitueme.
Këto vende të bukura qi s’i ka kush në botë, kanë vuejtë shekuj robnije, pasi robnija qi ka pasë për afër tridhjetë vjet e që, shyqyr Zotit, sot ka marrë fund. Vuejtjet e të këqijat e kësaj robnije nuk mund të dëftehen me gojë. Anmiqtë t’onë thojshin me ngulje se Kosova asht e tyneja.
E pse asht e tyneja? Vetëm sepse asht vramë në fushë të Kosovës i pari i tyne, vetëm sepse kanë pasë ngrehun do kisha në Deçan, Sverçan e Graçanicë. Të tana të drejtat e tyne mbështeten pra vetëm mbi gjakun e nji mbreti të tyne të vramë në fushën e Kosovës dhe mbi nj’a tri a katër ndërtesa kishtare. Por sa pare bajnë këto ndërtesa? E kujt asht Kosova? Kosova asht vetëm e shqiptarëve dhe e Shqipnís edhe këte e dishmojnë shqiptarët me feste të bardha mbi krye. Kjo asht nji diftesë e gjallë; nuk janë diftesa të vdekunit dhe ndonji ndërtesë, sepse të drejtat nuk fitohen me të vdekunit por me të gjallët. E kush janë të gjallët ?… Janë shqiptarët apo serbët? Janë shqiptarët qi janë kenë këtu gjithë jetën”.
Fjala e Mustafa Krujës në Prizren:
“Kosovarë, ju e keni fitue lirinë kombtare me armët e Boshtit, por edhe me gjakun qi keni derdhun ju e bijt t’uej, gjyshat, stërgjyshat e skatërgjyshat t’uej brez mbas brezi për me mbetun shqyptarë. As Dushani, as Sulltani, as shkau, as tyrku s’ka mujtun me jua ndërrue kombsinë t’uej. Por në koftë se me lirinë e fitueme keni kujtue se u çelën menjiherë dyert e xhenetit për jue, e keni pasë gabim. Mjerisht lirija kushton shtrenjt. Kushton gjak, mjerime e mundime. E bash pse kushton shtrenjt asht aq e çmueshme…
Tash lufta për ne asht luftë durimi, luftë qindrese, luftë nervash. E bash për këtë arsye mos u çuditni në kjoftë se ju them qi asht ba edhe ma e zorshme, ma e mërziçme se lufta e vërtetë ku luftohet e diset burrnisht, ashtu si ju jeni mësue me luftue e me dekun.
Duhet pra, or burra të fortë, të dijmë jo veç me dekun, por kur e don puna si sod edhe me durue të këqijat e luftës vigane qi ka marrë të tanë botën me të thatë e me të njomë. Ju prej Shqipnis së lirë s’i keni pasun deri sod të gjitha të mirat qi keni pritun. Ndoshta ka me ju u dashtun të pritni edhe bajagi do kohë për me i pasun. Por pashi Zotin or burra mos i a veni fajin Shqipnís. Shqipnija asht nana e jonë. E nana kurrë nuk i a don të keqen bijve të vet. S’e ka fajin Shqipnija, e ka fajin lufta qi i a ka ngatrrue lamshin tanë botës. Kurrgjâ nuk do të rrinte mangut këtu në Kosovë sikur të mjaftonte vetëm vullneti i mirë i yni e i jueji.
Nuk po hyj me i tjerrë gjatë të tana punët e dertet nji ka nji. Veç po ju them e po ju siguroj se të mira e të këqija ça të kemi do t’i dajmë bashkë, do të rrojmë bashkë e në koftë nevoja do të desim bashkë”.
“Tash lufta për ne asht luftë durimi, luftë qindrese, luftë nervash”.
“Do të rrojmë bashkë e në koftë nevoja do të desim bashkë”.