Nga Hasan Bello
Për shumë shtete duke nisur që nga shekulli i XIX-të një nga institucionet më të rëndësishme në aspektin financiar ishte sistemi bankar. Por kur i ka fillimet ky sistem në territoret shqiptare?
Në kuptimin bashkëkohor të fjalës ai fillon relativisht vonë.
Pas Luftës së Krimesë (1853-1856) në Perandorinë Osmane lindi nevoja për krijimin e një banke. Një hap i tillë u imponua edhe nga presioni i shteteve europiane me qëllim për të garantuar shlyrjen e borxheve që i kishin dhënë shtetit osman.
Kështu, më 4 shkurt 1863 u krijua Banka Otomane nën kontrollin e grupeve financiare dhe kapitalit anglo-francez. Këto shtete ishin edhe kreditorët kryesorë të perandorisë.
Për nevojat e administratës Banka Otomane hapi degët e saj në vilajete të ndryshme. Nga hulumtimet e bëra deri tani na rezulton se degë të kësaj banke kanë funksionuar edhe në disa qytete shqiptare, si në Manastir (1903-1914), Shkup (1903-1914), Janinë (1910-1921) dhe Shkodër (1911-1914). Banka Otomane ishte bankë emisioni dhe kreditimi. Prandaj edhe në Shqipërinë e atyre viteve, ashtu si kudo në shtetin osman, qarkullonin lira prej ari, mexhidije dhe groshare prej argjendi, nikeli etj.
Më 15 gusht 1888 u krijua Banka Agrare Otomane e cila kishte si qëllimi kreditimin e fshatarëve dhe pronarëve që zotëronin sipërfaqe të punueshme. Ajo synonte që t’i jepte një impuls të ri zhvillimi bujqësisë. Kapitali i kësaj banke, përveç 10 milion lirave turke të akorduara nga shteti osman, formohej dhe nga 1% që vilej nga të ardhurat vjetore të fshatarësisë. Kjo bankë kishte filiale edhe në disa qytete (kaza) të Shqipërisë, si në Elbasan, Tiranë, Shkodër, Kavajë, Berat, Korçë etj.
Në vitin 1907 në Shkodër u çel një filial i Banco Tozzi e C, me qendër në Venedik. Por, deri tani nuk kemi të dhëna që konfirmojnë aktivitin intensiv të këtij filiali. Në këtë periudhë përpjekjet e kapitalit italian hasën në pengesën e autoriteteve osmane dhe në rivalitetin e politikës austro-hungareze, e cila e shihte me xhelozi depërtimin e tij në territorin shqiptar.
Më 4 tetor 1913, Ismail Qemali, i cili kishte filluar përpjekjet për krijimin e një banke shqiptare, i gjendur nën presionin italo-austro-hungarez nënshkroi një marrëveshje me përfaqësuesit e bankës austriake Wiener Bank Verein, me qendër në Vjenë dhe përfaqësuesin e bankës italiane Banca Commerciale Italiana, me qendër në Milano. Këto dy banka të huaja ishin përfaqësuese të grupeve financiare në shtetet e tyre dhe kishin si qëllim kontrollin ekonomik të shtetit të sapo krijuar shqiptar.
Për shkak të fillimit të LPB, projekti i krijimit të Bankës Shqiptare me kapital austro-italian nuk u realizua. Emblematike mbetet deklarata ironike që I.Qemali i bëri ministrit të Jashtëm italian, kur ky i fundit i bënte presion për hapjen e kësaj banke: “ne lindorët kemi parë një burrë të martuar me dy gra, por nuk kemi parë një grua të martuar me dy burra”. Kjo tregon se I.Qemali ishte i vetëdijshëm se pas kapitalit italo-austro-hungarez të kësaj banke, fshiheshin synimet e këtyre shteteve për të ushtruar ndikimin e tyre.
Në vitet 1917-1918, kur Shqipëria e Mesme dhe e Veriut u pushtua nga Austro-Hungaria, në Shkodër funksionuan disa filiale të bankave austriake, si: Wiener Bank Verein, Pester Bank dhe Ungarische Bank, të cilat, si qëllim kryesor kishin grumbullimin e arit nga popullsia shqiptare kundrejt banknotave (korona), të cilat, pas lufte nuk patën asnjë vlerë.