Nga Bajram Mjeku
Dikur, të fitoje të drejtën të ishe folës i një mediumi televiziv, duhej t’i nënshtroheshe një audicioni tepër rigoroz, ndërkohë që për një vend pune siç ishte roli i folësit, konkurimit i nënshtroheshin dhjetëra veta, të cilët pretendonin se kishin diksion të rrjedhshëm dhe artistik para mikrofonit. Megjithatë, nuk mjaftonte vetëm kjo. Kërkohej që folësi të kishte edhe pamje të pranueshme, por edhe moshë të caktuar, për të bindur auditoriumin që e përcillte çdo mbrëmje.
Këto kushte i përmbushte folësja më brilante e ish-Televizionit të Prishtinës e ndjera Drita Reka-Gërmizaj, e cila ishte e pranishme që kur u themelua Radiotelevizioni i Prishtinës në vitin 1976.
Këtë postim, veç për respekt ndaj folëses së ndjerë Drita Gërmizaj, e bëj edhe për një fakt tjetër. Në tre dekadat e fundit, roli i folësve në studiot tona televizive është zbehur aq shumë dhe kjo është dëshmia më e mirë se sa është zbehur serioziteti i mediave tona përgjatë dekadave të fundit. Nëse të gjitha kanaleve televizive mund t’u falet, këtë traditë nuk është dashur të humbas për asnjë çmim transmetuesi ynë publik: Radiotetevizioni i Kosovës, i cili është pasardhës i ish-Radiotelevizionit të Prishtinës, pasi folësit janë dëshmia më reprezentuese e një mediumi publik në sytë e teleshikuesve.
Përveç diksionit të zërit, Drita ishte edhe e hijshme e fort brilante. Ajo kishte artikulim dhe diksion të rrjedhshëm të zërit, të cilat i gërshetonte aq bukur me lëvizje skenike para kamerave televizive. Drita nuk ishte vetëm një folëse e Televizionit të Prishtinës. Ajo kishte mbaruar edhe Fakultetin e Mjekësisë dhe atë të Gjuhës Angleze në Universitetin e Prishtinës.
Drita Gërmizaj u lind në Kumanovë më 18 nëntor të vitit 1952. Gjatë karrierës së saj, ajo ishte laureate e katërfishtë e çmimit më prestigjioz në ish-Jugosllavi, i cili mbante emrin e kroates legjendare “Gordana Bonetti”, e cila njihej si folësja më brilante në ish-Jugosllavi.
Drita ishte edhe fituese e çmimit “Mikrofoni i Artë”, të cilën e ndante Radio Prishtina.
Në ish-Televizionin e Prishtinës, folës të mrekullueshëm ishin edhe çifti legjendar Vera e Faik Hima, të cilët udhëhiqnin emisionin “Shkëndija” para se të themelohej Televizioni i Prishtinës e më vonë, pastaj Ajtene Vllasaku e Fadile Kryeziu, Mustafë Muçaj e Halil Hyseini, Hamdi Mehmetaj e Antigona Qena, Pranvera Veliu e Besa Çeku dhe disa folës tjerë në Radio Prishtina. Secili nga ata i kishte karakteristikat e tyre autentike për të qenë folës njëmend të mrekullueshëm.
Drita Reka-Gërmizaj ndërroi jetë në vitin 2001, ndërsa Radiotelevizioni i Kosovës, duhet të vazhdojë të ndajë çmimin vjetor për folësin televiziv “Drita Gërmizaj”, por që këtë çmim duhet ta fitojnë vetëm ata të cilët njëmend e meritojnë!