Nga Idriz Lamaj
Në këtë kumtesë do të sjellim në mënyrë kronologjike zhvillimin historik të Fedetarës Vatra gjatë viteve ‘30. Burimet e kësaj kumtese kryesisht mbështetën në gazetën “Dielli”, organ i “Vatrës”. Gazeta “Dielli” besoj se është burim i mirë dhe i saktë për pasqyrimin e historisë së “Vatrës” për arsye se aty është regjistruar e gjithë veprimtaria e saj. Natyrisht për këtë shkrim kam konsultuar edhe burime të tjera dhe kam kthye kujtesën time për shumë biseda me Refat Gurrazezin, Petro Kolonjën dhe Qerim Panaritin, të cilët i kam njohur nga afër dhe shpeshherë kam dëgjuar të flisnin për periudha të ndryshme të “Vatrës”. Këtu kam sjellur edhe një letër të Faik Konicës, të pabotuar më parë, drejtuar Abdurahman Matit. Konica gjatë përiudhës për të cilën do të flas ishte ambasador i Shqipërisë në Washington dhe kryetar nderi i “Vatrës”. Letra ka të bëjë me ftohjen e Konicës ndaj Mbretit Zog, në vitet e fundit të sherbimit të tij si ambasador. Në fund është dhe konkluzioni im lidhur me periudhën që bëhet fjalë.
Viti 1930 shënon për Federatën Vatra suksesin më të madh në botimin e organit të vet. Gjatë atij viti dolën në qarkullim 82 numra të gazetës “Dielli”, dhe është vëllimi më i pasur i të gjithë dekadës. Në secilin numër ka të dhëna për zhvillimet e brendshme e të jashtme të Shqipërisë, Ballkanit, Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Në gazetën “Dielli” zhvillohen polemikat më të ashpra me Nolin, Çekrezin, Koço Kotën e Mihal Xoxën, i cili botonte një gazetë antizogiste në Konstancë të Rumanisë. Lavdërimet për mbretin Zog, monarkinë dhe Konicën janë kulmore.
Në fillim të vitit 1930, “Vatra” kishte një shtëpi që atëherë e quanin binaja e “Vatrës” dhe në katin e poshtëm të saj, në bodrum, kishte makinerinë e shtypshkronjës ku botohej “Dielli”, d.m.th. kishte dhe shtypshkrojën e vet. Mirëpo, me thellimin e krizës ekonomike në Shtetet e Bashkuara, në maj të vitit 1930 “Vatra” e humbi shtëpinë për arsye se kishte hyrë borxh dhe nuk arrinte të paguante morgiçin. Atë shtëpi vatranët e kishin blerë vite më parë për 22.500 dollarë. Kur “Vatrës” i konfiskoi banka shtëpinë, Vasil Pani, kryetar i “Vatrës” dhe George Prifti, konsull i Shqipërisë në Boston, e blenë nga banka shtëpinë për 15 mijë dollarë. Natyrisht ata e blenë për fitim personal, por u zotuan që bodrumin ku ndodhej shtypshkroja, do t’ia jepnin “Vatrës” pa qira.
Më vonë gjendja ndryshoi, Vasil Pani shiti pjesën e vet dhe George Priftit kërkoi qiranë mujore për zyrat, 40 dollarë për bodrumin, borxhet që i kishte “Vatra” plus fajden gjashtë përqind. Të dhënat mbi këtë çështje janë kontradiktore. Konica, në dy letra dërguar George Priftit, thotë se z. Prifti e kishte shpëtuar disa herë “Vatrën”.
“Vatra” gjatë atij viti nuk zhvilloi ndonjë veprimtari të dukshme. Herë pas here bëri përpjekje për të mbledhur anëtarësitë e papaguara. 25 degë nuk paguan anëtarësinë vjetore. “Vatra” i dërgon telegram urimi Musolinit për fejesën e vajzës së tij, Edda Musolinit me Kontin Çiano, (“Dielli”, 18 shkurt, 1930). Po atë vit, botohet në faqën e parë të “Diellit” një fotografi e madhe e Musolinit dhe shkrime lavdruese për të. (“Dielli”, 28 tetor, 1930). Thjesht, “Vatra” ndjek politikën zyrtare të Shqipërisë ndaj Italisë.
Në maj të vitit 1930 kthehet Noli nga Evropa. Pa humbur aspak kohë, “Vatra” fillon fushtën e ashpër kundër tij. Artikull pas artikulli, editorial pas editoriali botohen shkrime kundër Nolit. “Dielli” e cilëson Nolin si bolshevik të rrezikshëm dhe kërcënon mbështetësit e tij: “Fan Noli me arritjen e tij në Amerikë do të marrë në qafë shumë shqipëtarë që kanë familjet e tyre në Shqipëri dhe që duan të kthehen prapë në shtëpitë e tyre: se kemi frikë Guverna e Shqipërisë mund të marrë masa kundër gjithë atyre njerëzve që janë pasonjës të një njeriu i cili bënë propagandë bolshevike dhe do të derdhet prapë gjak”.(“Dielli” 16 maj, 1930).
Noli nuk rrin duarkqyq. Fillon vizitën nëpër kishat e tij dhe bën fushatë kundër bejlerëve, agallarëve, turkomanëve e të gjithë atyre, që sipas tij kishin shkatërruar Shqipërinë. Ai zotohet se do të vazhdonte luftën deri në fund.
Në një fjalim, Noli thotë: “Një gjeneral freng i tha ushtrisë: Po të vete përpara, pasomëni, po të gjunjëzohem, ndihmomëni, po të kthehem prapa, vramëni.” (“Dielli”, 6 qershor, 1930). Kjo thënie e Nolit botuar në gazetën “Dielli” i jepte shkas “Vatrës” për ta akuzuar atë si luftënxitës.
Viti 1931. Gjatë vitit 1931 botohen 54 numra të gazetës “Dielli”. Organi i “Vatrës” merret me të gjitha zhvillimet e brëndshme dhe të jashtme të Monarkisë Shqiptare, ashtu si vitin e mëparshëm. Në shkurt 1931, bëhet atentat kundër mbretit Zog në Vjen, nga Aziz Çami dhe Ndokë Gjeloshi. “Dielli” merret gjerësisht me këtë çështje. Dërgon telegrame urimi për shpëtimin e Mbretit. Denoncon atentatorët si kriminelë dhe spiunë të huaj. Përpiqet të ndërlikojë Fan Nolin drejtpërdrejt me këtë çështje, duke shkruar se disa ditë para atentatit Noli u largua fshehurazi nga Shetet e Bashkuara për në Evropë, etj. Ndërkaq, Fan Noli i quan atentatorët heronj që bënë atentatin thjejsht për pikëpamje patriotike dhe mbledh të holla për t’i nxjerrë ata nga burgu. “Dielli” shkruan se gjatë fushatës në New York, peshkop Noli mblodhi më shumë se 3000 dollarë për këtë çështje.
Më 29 deri 12 korrik, mbahet Kuvendi i XIX i “Vatrës”, pa shënuar ndonjë veprimtari konkrete me përjashtim të jehonës së “Diellit”. Noli e quan Vatrën kufomë mbi gropën e varrit dhe Kuvendin e saj të dështuar. Editori i “Diellit”, Refat Gurrazezi, i inatosur nga vlerësimet negative të Nolit, kalon çdo kufi intelektual me të shara kundër Peshkopit. Megjithatë detyrohet të pranojë se në Kuvend kishin marrë pjesë vetëm pesë delegatë. Ai pohon se, nga papunësia dhe kriza e ekonomike, delegatët nuk mund të përballonin shpenzimet e udhëtimit për në Kuvend.
Dihet se Gurrazezi ishte një prej kundërshtarëve më të fortë të Nolit. Në “Dielli” shkruhet: “Kur e ndien shumë thellë kamxhikun e Gurrazezit, Fan Noli do që ta nxjerë inatin gjetkë: sulet si qen i tërbuar dhe atakon pahësisht Faik Konicën.” (“Dielli”, 7 korrik, 1931).
Shkrimet e Nolit kundër “Vatrës” dhe Konicës, botuar në gazetën e tij “Republika”, e detyrojnë Faik Konicën t’i përgjitgjet personalisht atij. Në një intervistë me Gurrazezin, Konica thotë: “Fan Noli kur më mohon të drejtën e shvillimit dhe të ndryshimit të mendimeve politike të mia në dritë të shvillimeve dhe të ndryshimeve që u bënë në Shqipëri në shtatë vjetët e fundit, çfaqë sa poshtë është unjur fuqia e gjykimit tij. Të mohuarit e një të drejte të tillë çfaq një mendje fshataraku të pagdhendur, që ka vetëm një llustër të jashtme; nuk çfaq mendjen e një ‘intelektuali’ të vërtetë. Një intelektual nuk interesohet në ndryshime mendimesh së ndryshme; interesohet në arsyet për të cilat bënë ato ndryshime, do të dijë në ishin arsye të mira a të liga, të shëndosha a të dobëta, për dobin’ e Kombit a për dobin’ e armiqëve të huaj ”. (“Dielli”, 2 tetor, 1931).
Në fund të vitit, “Vatra” njofton degët me një shkresë se “Dielli” pushon botimin për disa kohë për arsye të gjendjes së rëndë ekonomike.
Viti 1932 është i njëjti avaz për “Vatrën”: polemika, fushatë mbas fushate për mbledhje të hollash, ndërrime telegramesh me Mbretin Zog dhe luftë kundër Çekrezit e Nolit, megjithëse këta dy të fundit, kishin pikëpamje të kundërta për çdo gjë. Atë vit numri i parë i “Diellit” del në qarkullim më 11 mars. Gurrazezi sulmon me helm e vrer Nolin e Çekrezin. Sipas tij ata ishin gëzuar dhe kishin festuar mbylljen e “Diellit”.
Sekretari i “Vatrës” shkruan: “Me rastin e pushimit të Diellit, hapsaniku i falur, spiuni i denuar për tradhëti, Kost Çekrezi, së bashkut me revolucionarët e arratisur dhe bolshevikët pa fe dhe pa kombësi, u gëzuan për mbylljen e Diellit.” (Dielli 11 mars 1932).
Në prill, vdes patrioti i njohur Sotir Peci. “Vatra” e përkujton Pecin më një mbledhje zyrtare. Në gazetën “Dielli” botohen artikuj për veprimtarinë e tij kombëtare. Ndërkaq, Konica e vlerëson në këtë mënyrë mikun e tij të ngushtë Gurrazezin, për punën e shkelqyeshme që bënte në gazetën “Dielli”: “Gëzohem kur marr Diellin se në çdo numër shoh që ju i mbani kurdoherë përpara syve të mendjes fjaët që i çkembyem, dhe përdorni një shqipe e cila ka kthiellsinë, ngjyrën, tingëllimin e gjuhës së gjallë të gjyshërve t’anë. Lavde më të madhe se këte s’kam”. (Dielli, 9 shtator, 1932).
Konica flet disa herë në radio stacionin WOL, i ftuar prej gazetës, The Washington Times. Bisedat e tij mbi gjendjen në Shqipëri, ribotohen në gazetën “Dielli”. (Dielli, 27 tetor, 1932).
Viti 1933. Atë vit botohen 38 numra të “Diellit”. Kryetari, Vasil Pani shkon për vizitë disamuajshe në Shqipëri. Në gazetë pasqyrohet në imtësi kriza ekonomike në Amerikë, siç ishte mbyllja e bankave dhe papunësia. Aty shkruhet edhe mbi shoqërinë “Miqtë Amerikanë të Shqipërisë”, (“Dielli”, mars 1933). Kjo organizatë meriton një studim të veçantë për arsye se ka zhvilluar një lloj lobizmi për mbrojtjen e të drejtave të Shqipërisë për një kohë të gjatë. Për herë të parë në “Dielli” botohen edhe shkrime në dialektin gegërisht, të marra nga botimet që dilnin në Shkodër. Gjatë atij viti botohen edhe përshtypjet e kryetarit të “Vatrës” mbi Shqipërinë. Kryetari, Vasil Pani, flet me nostalgji për katundin e tij, Dardhën, dhe takimet që kishte pasur në Tiranë me personalitete të larta shtetërore.
Ngecja e aktivitetit të “Vatrës” përsëri i atribohet gjendjes ekonomike në Amerikë. “Dielli
vënë në dukje: “Po bëhën katër vjet qëkur se nisi kriza ekonomike në Shtetet e bashkuara të Amerikës. Në këtë përiudhë të keqe me qindra shqiptarë humbën punët e tyre e qindra të tjerë humbën tregtitë e vogla që kishin, ose shtëpitë që kishin blerë. Një shumicë tjetër, me të paktat kursime ose me ndihmën e bashkë atdhetarëve u kthyen në Shqipëri. Pra nga moskamja, shumë vatranë të sinqertë u shtërnguen të hiqen nga shoqëria e tyre e famëshme”. (Editorial: “Vatra dhe kriza”, “Dielli”, 14 korrik, 1933).
Edhe Kuvendi XX i “Vatrës”, që ishte planifikuar të mbahej në korrik, shtyhet për vitin tjetër, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike.
Në gusht (1933), vritet në Selanik Hasan Prishtina. “Dielli” njofton mbi vrasjen dhe ndjek politikën e shtetit shqiptar, duke e cilësuar si vrasje pa rëndësi politike. “Dielli” shkruan se “Hasan Prishtina i kishte bërë Shiqpërisë shumë të liga”. (“Dielli”, 15 gusht, 1933). Qëndrimi politik i “Vatrës” për çështjen e Kosovës është i njejtë me qëndrimin e qeverisë së Tiranës. “Vatra” thotë se kosovarët nuk duhet të përzihen në problemet e Shqipërisë, ata duhet të çlirohen vetë nga pushtimi serb. Ndërsa, çështjen e Çamërisë, “Vatra” e trajtonte ndryshe. Për çështjen çame protestohej në formë të organizuar dhe shkruhej shpesh. Por, lë të mos të harrojmë, Kosovës i dilte zot Noli. Ai e kritikonte ashpër “Vatrën” për qëndrimin e saj negativ ndaj çështjes së Kosovës.
Në dhejtor (1933), ndodh diçka e dhimbshme. Peshkop Noli sëmuret rëndë në Boston. Ai i shkruan këtë letër Faik Konicës:“I dashur Usta – Munt të vini dorën në zjarrë që jam hequr nga politika me një mënyrë të përfuntme, – pneumonia i vuri kapakun tërë punës sime. Jam akoma në shtrat, dhe plaga e mëlçisë është akoma e hapur. Tani e dini tërë historinë dhe munt ta merrni me mënt që s’kam më as nge as qef as takat për politikën. U zgjata mjaft në këtë pikë, se dua që t’a dini mirë punën dhe kështu të muntni t’a shiguroni qeverinë tonë që këllëçi im politik është varur në muze, dhe nuk del s’andejmi kurrë më. I jap funt letrës, se u lodha. Bile kam frikë se ju kam lodhur ca më tepër. Shtoj vetëm këto fjalë: Përpiquni të më ndihni, se jam keq mga të gjitha pikëpamjet – Me të fala. Juaji me besë, F.S. Noli.” (Dielli, 28 shkurt, 1974).
Viti 1934 e karakterizon veprimtarinë e “Vatrës” me botimin e 40 numrave të gazetës “Dielli”. Të kthehemi përsëri te letra e Nolit dërguar Konicës dhe rezultatet e saj. Me 6 janar 1934, Noli i shkruan prapë Konicës dhe i thotë se mori përgjegje nga mbreti Zog dhe Mbreti i dërgoi një ndihmë prej 3000 frangash ari. Me atë ndihmë Noli pagoi doktorin, vajti në spital dhe u sherua nga sëmundja. Këtu dua të shtoj se miqësia personale midis Nolit e Konicës vazhdoi gjatë gjithë jetës së tyre, qëkur u njohën për herë të parë. Megjithëse lufta e fjalëve mes tyre vazhdoi për më se shtatë vjet, takimet e fshehta nga publiku shqiptar dhe letërkëmbimin e vazhduan gjithnjë. Për këtë çështje mund të shkruhet gjer e gjatë, por të kthehemi përsëri te “Vatra” e vitit 1934.
Me 25 maj (1934), vdes në Dardhë të Korçës, patrioti i njohur Josf Pani, babai i Vasil Panit, kryetart të “Vatrës”. Kryetarit i drejtohen telegrame ngushëllimi nga të gjitha degët e “Vatrës” dhe nga Faik Konica, i cili shpreh hidhërimin e thellë për humbjen e mikut dhe bashkëpunëtorit të vjetër. Josif Pani erdhi në Shtete të Bashkuara më 1904. Ai ishte një prej themeluesve dhe drejtuesve të parë të shoqatës “Besa Besën”. Përveç shkrimeve në gazetën “Dielli”, kur ishte organ i asaj shoqate, botoi në Uster, më 1917, gazetën Sazani dhe, më 1920 në Watertown gazetën, Drejtësia.
Gjatë atij viti “Vatra” nuk zhvillon ndonjë veprimtari përveç fushatave nëpër degë për mbledhjen e anëtarësive.
Viti 1935 fillon për “Vatrën” me përpjekje intensive për mbledhje të hollash për arsye se borxhet po i shtoheshin përherë e më shumë. Nga mesi i viti “Vatra” bën Kuvendin Ekstraordinar. Në kuvend caktohen konferencierët dhe menjëherë fillojnë udhëtimet e gjata nëpër koloni. Kristo Thanas ishte një prej konferencierëve më të suksesshëm. Ai çdo herë i bënte udhëtimet me shpenzimet e veta. Gjatë vitit botohen 39 numra të “Diellit”. Çdo numër është i mbushur me lajme nga Shqipëria, me komente dhe artikuj rreth Kryengritjes së Fierit dhe shtypjes së saj. Si më parë, lavdërohet Mbreti, vihen në dukje përparimet në Shqipëri, lavdërohet Konica, dhe shahen pa mëshirë kundërshtarët e Monarkisë, si Kost Çekrezi, të cilin “Vatra” e cilësonte armikun më të rrezikshëm të Shqipërisë dhe ndërlikues të drejtpërdrejtë të Kryengritjes së Fierit. Bëhet thirrje për një bashkim me forcat pronoliste, por atyre nuk u lihet rrugë tjetër vetëm pranimi i gabimeve politike. Me përjashtim të një kritike të lehtë kundër Nolit, i cili nuk kishte thënë një meshë përshpritjeje për vdekjen e Nënës Mbretëreshë, ai nuk ngacmohet.
Me 29 dhe 30 qershor, “Vatra” zhvillon Kuvendin XX. Në kuvend zgjidhen të njëjtit zyrtarë: Vasil Pani, kryetar; Refat Gurrazezi, sekretar dhe editor. Kuvendi Ekstraordinar bëhet më 27 tetor. Konferencierët, Kristo Thanas dhe Nevruz Starja riaktivizojnë disa degë dhe mbledhin ca të holla.
Me 31 gusht vdes miku i madh i shtetit shqiptar dhe i shqiptarëve të Amerikës, ambasadori Herman Bernstein, i cili kishte shërbyer në Shqipëri si ambasador nga shkurti i vitit 1930 deri në shtator të vitit 1933. Më 13 shtator, shqiptarët humbën një mik tjetër të madh, që patën para Luftës së Dytë Botërore, gjeneralin Willim Edward Horton, një nga themeluesit dhe udhëheqësit e shoqatës “Miqtë Amerikanë të Shqipërisë”. Të dy këta ishin miq të ngushtë të Konicës. Sipas Konicës, ushtaraku i lartë amerikan, gjenerali Horton, ishte zotuar me kohë se sa të ishte ai gjallë, kufijtë e Shqipërisë nuk do t’i cenonte kush. “Vatra” i përkujton me nderime të larta këta dy miq të ngushtë të popullit shqiptar. Gazeta “Dielli” shkruan rreth jetës dhe veprimtarisë së tyre.
Ndërkaq, Dr. Andrea Ilia shkruan një seri artikujsh me titull: Shenime Shëndetësie. Në “Dielli” botohen edhe disa artikuj mbi gjendjen e vështirë të shqiptarëve në Greqi. Lufta kundër Çekrezit vazhdon si më parë, i shtohet edhe akuza si spiun i serbëve. Thënë të vërtetën, edhe Noli e Konica, e sulmuan vazhdimisht Çekrezin. Çështja Çekrezi mbetet për t’u studiuar.
“Vatra” dhe “Dielli” shprehin hidhërim të thellë dhe zemërim edhe për vrasjen gjerneral Gjiraldit në Kryengritjen e Fierit. Gjenerl Gjiraldi ishte hungarez i lindur në Kroaci. Sipas “Diellit”, ai i kishte shërbyer çështjes shqiptare mbasi ishte vendosur në Shqipëri për mëse 20 vjet. Gjeneral Gjiraldi kishte përcjellur Zogun në Jugosllavi me 1924, kur forcat e Nolit morën pushtetin. (Dielli, 23 gusht, 1935).
Në “Dielli” ribotohet përgjegjja e Konicës gazetës amerikane The Times, kundër një artikulli ku thuhej:“Do të ishte në interes të Shqipërisë, deklarimi si shtet neutral nën mbrojtjen e shteteve të mdha të Evropës, dhe largimi i saj sa më parë nga kthetrat e politikës italiane”.
Konica i përgjigjet: “… Shqiptarët besojnë se gjëja e mbarë për ta është t’i shtrohen punës, duke marrë si kryefjalë: Të rrojmë dhe të lëmë të tjerët të rrojnë. Nga ana tjetër fqinjtë e Shqipërisë jane raje ose skllav të çliruar, të cilët kanë shpirtin e rajait ose të skllavit të bërë zot, një shpirt të cilin e dinë mirë të gjithë ata që janë marrë me historinë e Romës. Ky soj njerzish kanë sëmundjen se kanë fituar fuqi, edhe atëherë kur interesi e tyre i vërtetë u thotë të rinë urtë e të punojnë në paqe.” (“Dielli”, 18 shkurt, 1935).
Sipas Koncisë Shqipëria ishte e detyruar të mbetej e lidhur ngusht me Italinë për arsye se vazhdimisht i kërcnohej rreziku i Greqisë dhe Serbisë dhe se shtetet e mëdha të Evropës nuk i garantonin Shqipërisë asnjë lloj mbrojtjeje nga këto dy vende fqinje.
Viti 1936. Nga mesi i janarit, policia mbyll shëtpinë ku ndodheshin zyra e “Vatrës” dhe shtypshkronja e “Diellit” me kërkesë të pronarit të ndërtesës, z. George Prifti, konsull i Shqipërisë në Boston. Gazeta “Dielli” nuk botohet nga data 10 janar deri më 15 maj të atij viti. “Vatra” është e mbytur në borxh; z. Prifti kërkon parat e qirasë bashkë me fajden, editori dhe radhitësi i gazetës nuk ishin paguar për shumë kohë. Përçarja në gjirin e “Vatrës” merr përmasa serioze. Midis George Priftit dhe Refat Gurrazezit hyn pyka e armiqësisë së përbetuar. Kishte kohë që këta nuk e shikonin me sy të mirë njëri-tjetrin.
Me mbylljen e zyrës e të shtypshkrojës dhe me konfiskimin e arkivit të “Vatrës”, Gurrazezi nuk sheh tjetër rrugë, vetëm atë të fushatës më të egër dhe më të papërmbajtur kundër konsullit Prifti dhe sekretarit të konsullatës, Hito Sadikut. Ai del nëpër degët e Midlle West-it ku kishte mbështetje të fortë, bën 2500 mila udhëtim nëpër kolonitë e atjeshme, për të njoftuar vatranët se “Vatra” po mbyllej përgjithmonë. I inatosur, i raskapitur fizikisht dhe i dërmuar moralisht, Gurrazezi shkruan disa muaj më vonë: “ Kur u nisa nga Bostoni për në kollonit e Middle Westit, e ndjeva vetën si një njeri i mundur në luftë, dhe m’u duk sikur me ndiqte armiku! At çast shkova nër ment luftën e viteve 1912-1913 dhe m’u çfaq përpara syve një ushtar shqipëtar i asaj kohe, – i mundur nga armiqtë, i këputur si mos më keq nga lufta, dhe i vënë përpara prej Grekut, Bullgarit dhe Serbit”. (“Dielli”, 15 maj, 1935).
Ndërkaq, burri i urtë dhe patrioti i vjetër, Vasil Pani, ndjek një rrugë shumë më të arsyeshme se Gurrazezi. Punon intensivisht me shokët e tij për mbajtjen e kuvendit. Me 4 Korrik fillon punimet Kuvendi XXI i “Vatrës”, i cili zgjati shtatë ditë. Në kuvend morën pjesë delegatët e 15 degëve. Kryetari i kuvendit zgjidhet Theodore Kotelly, sekretar Hamit Stermolli dhe reporter Shefqet Bença. Zgjidhen edhe drejtuesit e komisioneve të ndryshme siç ishte ai i shqyrtimit të financave dhe komisioni për hetimin dhe zhdukjen e konflikteve. Me gjithë gjendjen e tensionuar, Kuvendi po zhvillohej në mënyrë normale, sipas udhëzimeve që përmbante kanunorja.
Ditën e tretë të kuvendit arrin telegrami i urimit i ministrit Konica. Teksti i telegramit është ky: “Lutem paraqitni delegatëve urimet e mia për mbarëvajtjen e Vatrës si një institut nacionalist për mbrojtjen dhe përparimin e Kombit jashtë çdo fryme të huaj dhe ngatrronjëse – Faik Konica.” Siç shihni Konica shquan pikën, fryme të huaj dhe ngatronjëse, do të thotë, ai ishte i informuar mirë rreth konfliktit serioz në gjirin e Vatrës.
Katër ditët e para dukej se kuvendi po arrinte njëfarë kompromisi për mbylljen e konfliktit: Përjashtohet për jetë nga “Vatra” George Prifti.Gurrazezi propozon për kryetar të “Vatrës” z. Kristo Thanas, veteran i organizatës, burrë i respektuar nga të gjithë dhe njeri që kishte bërë shumë sakrifica personale financiare. Emërimi i tij si kryetar ishte e vetmja alternativë për zgjidhjen e konfliktit. Mirëpo, Kristo Thanas nuk pranoi kryesinë. Më në fund, pas shumë debatesh, kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit” emërohet dr. Andrea Ilia, kurse sekretar i Federatës emërohet, Refat Gurrazezi.
Mbas zgjedhjes së kryetarit, shtrohet për bisedim problemi më i madh dhe më konfliktuoz, transferimi i “Vatrës” nga Bostoni në Detroit. Shumica e delegatëve e mbështetën transferimin. Duhet të vëmë në dukje se shumica e delegatëve ishin nga Middle West-i, përkrahës të flaktë të Gurrazezit. Për t’i dhënë një zgjidhje këtij problemi, vendoset që me këtë çështje të mirrej një komision i veçantë. Grupi i Bostonit, këmbëngulte se transefrimi i “Vatrës” nuk mund të bëhëj në Detroit për arsye se vatranët e Middle West-it nuk kishin intelektualë për ta drejtuar “Vatrën” dhe pohonin se Bostoni ishte kryeqyteti i shqiptarëve të Amerikës. Diskutimi i ashpër rreth kësaj çështjeje solli “fatalitetin”. Një vatran i besimit ortodokës, e fyen Gurrazezin në sedrën kombëtare dhe fetare. Fyerja fetare kurrë nuk u shqua në shtyp as në dokumenta të asaj kohe, por personat që i kanë njohur protagonistat e asaj periudhe, janë mirë të informuar rreth kësaj çështjeje. Si reagim ndaj fyerjes së Gurrazezit, Fazlli Panariti me shumicën e delegatëve largohet nga salla e kuvendit.
Në atë kohë, fyerjet e natyrës fetare ishin mjaftë sensitive. Vatranët ishin të padjallëzuar dhe besimtarë të mirë. Ata ndikoheshin shumë edhe nga kryeustallarët e tyre, nga Noli e Konica. Këtu kam sjellur dy shembuj për të qeshur.
Në një intervistë me gazetarë të huaj, Noli kishte thënë: “Me nxorën nga Shqipëria myslimantë anadollak të cilët përbëjnë shumicën”. Pak kohë më vonë, Konica ishte “hakmarrë” për këtë lloj fyerjeje, me një fyerje tjetër po të kësaj natyre: “Asnjë shqiptarë i krishterë nuk është politikanë i mirë. Politikan të mirë janë vetëm shqiptartë myslimanë.” Këto ngacmime fetare për Nolin e Konicën nuk kishin asnjë rëndësi, por kshin rëndësi për shumë vatranë të padjallëzuar.
Tani kthehemi përsëri të kuvendi i “Vatrës”. Ai përfundon me fyerje e polemika. Konflikti kryesor, transferimi i Vatrës, mbetet pezull. Këtu nuk mund të kaloj pa përmendur edhe një herë përpjekjet që bëri Vasil Pani për shuarjen e mosmarrëveshjeve. Ai mbajti një fjalim shumë të prekshëm me rastin e dorëheqjes nga posti i kryetarit të “Vatrës”.
Kush ishte Vasil Pani? Vasil Pani lindi në Dardhë të Korçës, më 1896, dhe erdhi në Amerikë me 1907. Këtu, menjëherë iu afrua lëvizjes kombëtare. Me 1912, shkoi në Shqipëri si vullnetar për çlirimin e Toskërisë nga sundimi grek. Në fillim të shekullit të kaluar shumë shqiptarë të Amerikës vepruan si Vasil Pani, ngjeshën armët për mbrojtjen e atdheut nga pushtuesi grek. Historia përsëritet: edhe në fund të shekullit të kaluar, shumë shqiptarë veshën uniformën në Shtete të Bashkuara të Amerikës, ngjeshën armët dhe shkuan në mbrojtje të Kosovës nga sulmet barabare të Serbisë.
Pasi u kthye në Amerikë, Vasil Pani shërbeu disa herë në komisionin qëndror të “Vatrës”. Për vite me radhë qe kryetar i shoqërisë Dardhare “Mbleta”. Me 1929-1936 qe kryetar i “Vatrës”. Ai vinte nga një familje me tradita të larta kombëtare. Babai i tij, Josif Pani, kishte qenë këtu në Amerikë kryetar i shqorisë së njohur patriotike “Besa Besën” e cila botonte gazetën “Dielli”, para se të bëhëj organ i “Vatrës”. Ai botoi këtu edhe dy gazeta tjera që predikonin bashkim dhe luftë për fitimin e pavarësisë kombëtare. I biri i këtij patrioti të shquar, Vasil Pani, përveç veprimtarisë kombëtare ishte edhe punëtor i madh dhe kishte arritur sukses në tregëtinë e restauranteve. Ai i dha mbështetje të fortë financiare “Vatrës”, në kohën më kritike të rënies ekonomike në Amerikë.
Pas kuvendit, dr. Ilia dhe Gurrazezi filluan bashkëpunimin. Gurrazezi nxori një numër të “Diellit” në Boston. Por, bashkëpunimi nuk zgjati shumë. Vatranët e Middle West-it, me kryeqendër Detroitin, e kishin bërë mendjen top. Ata nuk e njihnin më “Vatrën” e Bostonit, si “Vatrën” e tyre. Me 13 tetor 1936, del numri i parë i gazetës “Dielli” në Detroit, nën drejtimin e Gurrazezit. “Vatra” tanimë është defacto e ndarë dysh. “Vatra” e Detroiti ka kryetarin e vet, Fazlli Panaritin, dhe sekretarin e editorin e vet, Refat Gurrazezin. Kurse “Vatra” e Bostonit, ka për kryetar dhe editor, dr. Andrea Ilinë.
Më 30 tetor, “Vatra” e Detroitit nxjerr numrin e parë të gazetës “Dielli”. Edhe “Vatra” e Bostonit nxjerr gazetën “Dielli”. Deri në vitin 1939, kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, këtu kemi dy “Vatra” dhe dy gazeta “Dielli”, që grinden si mos më keq. Secila palë, këmbëngul mbi legjitimitetin udhëheqës, si “Vatra” e vetme. Dy “Vatrat” dhe gazetat e tyre “Dielli” janë besnike të Monarkisë e të mbretit Zog. Ndjekin politikën e brendshme dhe të jashtme të shtetit shqiptar. Faik Konica përkrah “Vatrën” a Bostonit dhe ftoh marrëdhëniet me Refat Gurrazezin.
Viti 1937. Gjatë atij viti nuk shënohet ndonjë veprimtari e dukshme nga asnjëra “Vatër”. Dy gazetat “Dielli” polemizojnë mes tyre gjithë vitin. Në korrik të atij viti, “Vatra” e Detroitit mbajti kuvendin e vet dhe zgjodhi një komision prej tre vetash për të bërë marrëveshjen me “Vatrën” e Bostonit. Nga ajo përpjekje nuk doli gjë. Të dielën, më 28 Nëntor 1937, ndodh një kthesë e re për shqiptarët e Amerikës. Faik Konica shkoi në Kishën e Shëngjergjit në Boston për të festuar Ditën e Pavarësisë Kombëtare, të organizuar nga peshkop Noli. “Dielli” i Detroitit shkruan me cinizëm:“Vajtja e tij pa ftuar dhe pa pandehur çuditi të gjithë. Ceremoninë e festimit e hapi Noli dhe pas përshendetjes paraqiti ministrin Konica i cili tha disa fjalë. Në cermeoni Faiku nuk ndej gjatë. Disa pohojnë se ai doli i zemruar për arsye se aty mbajti një fjalim qortues për guvernën shqiptare, Qerim Panariti, i cili është kundërshtar i njohur i Konicës dhe i Monarkisë. Koncia e quajti Qerimin “xhandari i Panaritit”. (“Dielli”, 9 dhjetor, 1937).
Viti 1938 fillon me njëfarë zbutjeje të tensioni mes dy “Vatrave”. Qeveria shqiptare angazhohet për pajtimin e vatranëve dhe bashkimin e tyre. Përpjekjen e parë e bëri Abdurahman Mati, gjatë një vizitë në Amerikë. Fill pas tij dërgohet një delegacion i veçantë nga Tirana për këtë çështje. Delegacioni i posaçëm i Tiranës, kolonel Aqif Permeti dhe z. Kristo Kirka, ishin personalitete me influencë tek shqiptarët e Amerikës. Kolonel Aqif Permeti kishte qenë managjer i “Diellit”, konferencier i “Vatrës” dhe organizues i trupave vullnetare të shqiptarëve të Amerikës për çlirimin e Shqipërisë së Jugut nga pushtimi grek. Ndërkaq, Kristo Kirika kishte qenë një prej themeluesve dhe udhëheqësve të shoqërisë “Besa Besen”. Ai mori pjesë në themelimin e “Vatrës” dhe shërbeu si zyrtar i lartë, konferencier dhe kryetar i saj.
Me 12 mars 1938, arritën në Detroit Aqif Permeti dhe Kristo Kirka, për të pajtuar vatranët dhe mundësisht për të thirrur Kuvendin e Bashkimit Kombëtar. Me të arritur në New York, ata shkuan në Detroit për të shikuar gjendjen e atjeshme. Pas tre ditë bisedimesh me udhëheqësit e Detroitit, shkuan në Boston për të zhvilluar bisedimet me zyrtarët e “Vatrës” tjetër. “Dielli” i Detroitit shkruan për ardhjen e tyre:“…Nuk tregohet dot gëzimi i vatranëve edhe gjithë shqipëtarëve të këtushmë kur panë këta dy shokë edhe udhëheqës të vjetër, të cilët punuan me besnikëri edhe pa rreshtur për lëvizjen kombëtare vjet me radhë kur ishin në Amerikë…” (Dielli, 25 mars, 1938).
Më 19 mars (1938), bëhet një marrëveshje për bashkim, në praninë e Abdurahman Matit, i cili ndodhej për vizitë në Amerikë, dhe dy delegatëve të tjerë të dërguar nga Tirana. Më 28 mars, në prani të Aqif Permetit dhe të Kristo Kirkës, përfaqësuesit e dy “Vatrave” nënshkruan këtë marrëveshje: 1) Kuvendi i dy “Vatrave” do të mbahet në Boston më 24 prill. 2). Organet e tyre “Dielli”, në numrin e parë që do të dalin do të botojnë vendimet e komisionit të bashkimit dhe do të pushojnë botimin e tyre gjërsa të vendoste Kuvendi se ç’do të bëhet në të ardhmen. 3). Vasil Pani, në emër të “Vatrës” së Bostonit, dhe Kristo Thanas, në emër të “Vatrës” së Detroitit, ngarkohen prej komisionit të bëjnë përgatitjet për të zënë vendin ku do të mbahet kuvendi.
Më në fund arrti 24 prilli, delegatë e përfaqësues të dy “Vatrave” tubohen në Boston. Të dy palët, shkelin marrëveshjet e nënshkruara. Gjatë bisedimeve tensioni midis tyre ishte shumë i lartë. Përfundimisht, të gjitha përpjekjet për të bashkuar “Vatrën” dështuan. Me kthimin e përfaqësuesve të qeverisë shqiptare në atdhe, gjendja acarohet edhe më tepër.
Ndërkaq, Konicës përditë vinte duke iu shtuar konflikti me qeverinë e Tiranës. Me 1 korrik (1938), atij i shkruan nga Durrësi, Abdurahman Mati: “Para se të mirsha letrën tuaj kam pas niet me të shkruem nji letër dhe me të lajmruem un privatisht se N.M.Tij Mbreti ka vendos për interesa eprore të Shtetit me dërgue Zotnin tane si përfaqësues fuqiplot në Londër. Un e dij fort mirë se ti je nji njeri me vleft, dhe sidomos për Shtetin tonë, por e prish vehten kur të hyp damari yt. Pra lajmin e sipër po ju a ap qi të jeni i përgatitun por sa të ju vijë njoftimi i transferimit tuaj si Ministër Fuqiplot i joni pran Mbretit Imperator të Ingliterës. Dhe vet N.M. Tij Mbreti na tha se ket po e bon se situata politike e sotme e kërkon qi ju të jeni në Londër si përfaqësues i joni. Ju e kuptoni mirë punën tash dhe nuk asht nevoja me u zgjanue mbi ket çeshtje.
Ju përshendes miqsiht miku juaj, Adrurahman Mati.”
Konica i përgjegjet Abdurahman Matit, me 14 korrik, 1938:
I dashur mik,
Letrën t’uaj, me datën 1 Korrik 1938, e mora sot në mengjez, edhe po shpejtoj të ju përgjigjem.
Lajmin që me jipni, se do t’me transferojnë në London, e kam ditur që me kohë, me që Legata e Jugosllavisë këtu ka një mot që po përhap nër Amerikanët se do t’me heqin nga Washington-i; nga ana tjetër, të dy kodoshët që Mbreti dërgoj në Mars të trazojnë punët e Vatrës, duke thyer kanunet e Amerikës (po asnjë prej jush nuk ësht i zoti t’a kuptojë), u mburnë se kanë në dorë të më largojnë nga Amerika.
Mbreti ka shumë zotësira të larta; po si çdo njeri ka edhe ca mungesa. Një nga mungesat etij është se atë që thotë sot e harron nesëra. N’at letër që me prutë me dorë, Mbreti me thosh se, duke marë në sy trazimet që mund të bëhen në botë dhe rolin që do të lozë Amerika, e do interesi i Shqipërisë që të jem ministër në Washington, me që jam i vetmi që e di vendin. Pa shkuar tre muaj, e paska ndruar mendjen, dhe tani dashka të më dërgojë në London. Në i do qejfi, le të dërgojë këtu si përfaqësonjës të tij Osman Gazepin ose ahçin’ e Koço Kotës. E ka në dorë, dhe le të bëjë si të j’a dojë nderi.
Unë ju thashë arësyet për të cilat nuk largohem dot nga Amerika. Regimi në Shqipëri tronditet se ka themele të dobëta, dhe nesër munt të rëzohet; pastaj Mbreti është njeri që intrigat e Toskëve nuk është aspak i zoti t’i marë vesh, dhe sot të do, nesër të shkelmon pa shkak. Po të jem në London, mundet nonjë qërhanëxhi grek e kuçovllah t’i mbush mendjen Mbretit të më heqë: aherë unë, njeri i lashtë, me mallin dhe shtëpinë në Greqi, pa mjete, ç’munt të bëj? Po të jem n’ Amerikë është ndryshe: se këtu kam lidhje të shuma dhe zë një udhë. Jo, miku im; të heqim dorë nga intrigat, dhe të flasim hapta.
Mbreti munt të bëjë tre gjëra për mua:
1). Munt të më lejë këtu si përfaqësonjësin e tij;
2). Munt të me heq me një pension t’arsyeshëm që të mbaroj ditët me vepra letrare;
3). Munt të me heqë pa pension dhe pa çpërblim. Që të tria këto i gjëj t’arsyeshme dhe i pranoj.
Nonjë udhë të katërt s’di. Të fala shumë – Faik Konitza
Vitit 1939, si për “Vatrën” e Bostonit ashtu edhe për “Vatrën” e Detroitit, fillon si çdo vit tjetër, me grindje të zakonshme, me polemika sarkastike dhe kërcnuese kundër njëra-tjetrës, pa asnjë parashikim për mundësinë e pushtimit të Shipërisë. Dy organet e tyre, gazetat “Dielli”, botonin lajme të vonuara nga Shqipëria. Lajmet që merrnin nga Shqipëria dhe botoheshin në faqet e gazetave “Dielli” janë pa rëndësi, por pasqyrojnë si më parë besnikërinë e “Vatrës” ndaj Mbretit Zog dhe Monarkisë.
“Vatra” e Detroitit botoi pesë numra të gazetës “Dielli”, nga 13 janari deri me 12 maj të vitit 1939. Në editorialin e “Diellit” të Detroitit, 13 janar 1939, lexojmë: “Ngjarjet e vitit 1936 dhe vazhdimi i luftës vjetët e tjera 1937-1938 kundër Vatrës prej përfaqësonjësve të Guvernës s’onë në Amerikë dhe të një grupi të vogël njerzish të pabindur në Boston, vunë një njollë të zezë në historinë e shkelqyer të kësaj shoqërie dhe të Shqiptarëve të Amerikës.”
Më 31 janar 1939, “Dielli” i Bostonit boton një artikull, ku propozon t’i bëhet Faik Konicës një monument në Boston. “Dielli” i Detroitit i përgjigjet artikullit me një gjuhë të ashpër kundër Konicës, duke e akuzuar atë “për veprime antikombëtare” dhe shton me sarkazëm: “Po do të ish mirë që monumenti të zbukurohesh edhe me këta shokë që i kanë mbetur sot. Abdul Abazi ti pastroj këpucët, Shefqet Bença t’i japë dorën, Hito Sadiku t’i shkruaj vjershë. Nelo Drizari t’i shkruaj historinë, Dr. Andrea Ilia t’i thotë se ç’duhet të hajë, Vasil Pani t’i gatuaj ëmbelsira, Mehemt Korça t’i lajë enët dhe Petro Kolonja t’i këndoj ungjillin e pseudoprotestanëve”. Në artikull thuhet se do të ishte mirë që monumenti i Konicës të bëhëj sa më parë dhe në fund të monumentit të shkruhej epitafi: “Monumenti i çkatrrimtarit të shqiptarve dhe i prishsit të Vatrës”.
Papritmas, shpërthen si bombë lajmi i pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Këtë lajm tronditës sëpari e sjell shtypi amerikan. Gazetat e njohura si New York Times, Christian Science Monitor,etj., botojnë artikuj e analiza rreth pushtimit; kurse gazetat më pak të njohura e kritikojnë pushtimin dhe disa prej tyre i bëjnë thirrje qeverisë amerikane për ndërhyrje ushtarake.
Një gazetë e vogël e Filadelfisë, në artikullin e vet redakcional i bënte thirrje qeverisë amerikane t’i shpallte luftë Italisë, pasi akuzonte botën perëndimore për heshtje ndaj pushtimit të Shqipërisë. Artikulli ka një paragraf shumë të prekshëm: “ Tosktë dhe Gegtë trima, bijtë e një prej kombeve më të lashta të Evropës, do t’i nxjerrin nga varret e stërgjyshëve të vet të lavishëm armët e ndryshkura nga gjakui tyre, dhe do t’a lirojnë Shqipërinë. Ata kanë turpruar në fushën e luftës hordhitë e Sulltanëve të Azisë, ata do t’a nxjerrin Italinë fashiste me turp nga atdheu i tyre.” ( The Morning Star, 10 prill, 1939).
Shkrimet e botuara në gazetat “Dielli” rreth qëndresës së forcave shqiptare kundër forcave italiane janë sa kontradiktore aq edhe emocionuese. Thirrjet për bashkim tingëllojnë si kushtrimet e dikurshme tradicionale: “Sot shqiptarët kudo që jetojnë mbi faqe të dheut, këtu në Amerikë apo në shtete të tjera të botës, duhet të bashkohën dhe të organizohen ashtu siç e thrret nderi ynë kombëtar për çlirimin e atdheut nga Italia fashiste”.(“Dielli” i Detroitit, 12 prill, 1939).
Kryetari i “Vatrës” së Bostont, Dr. Andrea Ilia, bën hapin e par për bashkim, duke i dërguar një letër private, Fazlli Panaritit, kryetarit të “Vatrës” së Detroitit. Pas fërkimeve të vogla që dukën në faqet e “Diellit” të Detroitit, delegacioni i “Vatrës” së Bostonit shkon në Detroit dhe arrihet marrëveshja për bashkimin e “Vatrës”. Në të dy gazetatë “Dielli” botohet ky njoftim:
Kuvendi i Bashkimit Rreth Federatës Vatra
Deklaratë
1. Sot, më 8 të majit 1939, të mbledhur këtu në 2035 Temële Str., Detroit, Michigan, Zyrtarët e Vatrës me Qendrën në Detroit, Mich., edhe Përfaqësonjësit e Vatrës me qendër në Boston, Mass., pas shumë bisedimeve, deklaruan bashkimin e dy palëve të Vatrës.
2. Duk parë rrezikun e Shqipërisë, dhe për hirin e shpetimit të Atdheut t’onë nga robëria italiane, ky Kuvend vendosi të thërritet një Kuvend i Përbashkët për të bashkuar gjithë vatranët dhe Shqiptarët e Amerikës rreth Federatës Vatra.
3. Ky Kuvend vendosi që Kuvendi i Përbashkët i Vatrës të mbahet në Boston, Mass., të dielën me 4 të Qershorit 1939.
Gjith’ ashtu ky Kuvend vendosi që Kuvendi i Përbashkët të përfundojë se ku duhet të jetë Qendra e Vatrës, të zgjedhë zyrtarët e saj për vititn 1939-1940, dhe të caktoj programinë e Shoqërisë.
Nënshkruar: Përfaqësuesit e Vatrës me Qendër në Boston, Mass: Vasil Pani, Nelo Drizari. Zyrtarët e Vatrës me qendër në Detroit, Mich: Kryetar Fazlli Panariti, Sekretar Refat Gurrazezi.
Kuvendi i përbashkët zhvillohet, “Vatra” e bashkuar emëron udhëheqjen e re dhe vazhdon veprimtarinë e vet për çlirimin e Shqipërisë me anë protestash, memorandumesh dhe letrash dërguar personaliteve të ndryshme botërore, në radhë të parë, presidentit amerikan dhe zyrtarëve të lartë të këtij vendi.
Vështrimi im për veprimtarinë e “Vatrës” gjatë asaj dekade përfundon këtu për arsye se rrjedha e historisë së Shqipërisë dhe i fatit të shqiptarëve ndryshon, ashtu siç ndryshon edhe forca e veprimtarisë së “Vatrës”. Sytë e shqiptarëve të Amerikës për çlirimin e atdheut drejtohen nga Noli e Konica. Këta dy vigaj të shqiptarizmës ulen edhe një herë së bashku dhe bëjnë planet e tyre të veprimit politik, por veprimtaria e tyre del jashtë kornizës së temës sime. Ajo i takon një dhjetëveçari tjetër.
Konkluzioni im
Deri këtu kemi ndjekur zhvillimin kronologjik mbi veprimtarinë e “Vatrës” në vitet 30 të shekullit që kaloi. Tani dëshiroj të dëgjoni mendimin tim për atë periudhë.
Gjatë asaj periudhe 10-vjeçare “Vatra” kaloi nëpër shumë vështirësi, por tri janë më dallueset: 1). Kriza e thellë ekonomike në Amerikë ndikoi shumë në bllokimin e veprimtarisë së “Vatrës”, ku numri më i madh i degëve nuk arrinte të paguante antarësitë vjetore. 2). Ndërlikimi i thellë i konsullatës së Shqipërisë në Boston në punët e “Vatrës”, shkaktoi përçarjen dhe ndarjen e “Vatrës” në dysh. 3). Qëndrimi strikt i Refat Gurrazezit, me një grup të fortë vatranësh, në mbështetje të pakompromis ndaj Monarkisë Shqiptare dhe mbretit Zog, nxiti urrejte të madhe në mesin e antarëve të moderuar të “Vatrës”.
Konsulli i Shqipërisë në Boston, George Prifti, duke pasur edhe mbështetjen e Konicës, kishte ardhur në përfundim se Gurrzezi duhej larguar nga posti i editorit të “Diellit”, thjesht për arsye të qëndrimit të tij intrasigjent kundër vatranëve moderues dhe peshkop Nolit. Nga fundi i vitit 1934, Konica kishte filluar të tregonte njëfarë ftohësie ndaj mbretit Zog. Një prej arsyeve që kishte shkaktuar ftohjen ishte se shpenzimet e Legatës vinin duke u shtuar, siç ishte qiraja, dhe buxheti që vinte nga Tirana zvogëlohej për herë e më shumë; rroga personale dhe i gjithë buxheti i vinte me vonesë të madhe, nganjëherë kalonin edhe gjashtë muaj. Lidhur me këtë mund të bisedohet gjer e gjatë, mbështetur vetëm në letrat private të Konicës.
Nga mesi i viteve 30, bëhej fjalë edhe për mbylljen e “Vatres”. Dy gazeta në Shqipëri dhe një letër e Konicës drejtuar z. George Prifti, lënë të kuptohet se po bëheshin plane për mbylljen e “Vatrës” nën pretekstin se ajo e kishte përfunduar misionin e vet kombëtar.
Plani për mbylljen e “Vatrës” tingëllon edhe si një mesazh presioni i Konicës për të detyruar mbretin Zog t’u përmbahej zotimeve financiare dhe dërgimit në rregull të buxhetit për Legatën e Shqipërisë në Washington. Me këtë masë, ai i sillte në mend Mbretit se këllëçi politik i Nolit nuk ishte varur në muze për përgjithmon. Qeverisë së Tiranës nuk i interesonte mbyllja e “Vatrës”, përkundrazi, ajo ishte e intersuar që “Vatra” të jetonte dhe të vazhdonte vijën e saj politike ashtu siç e kishte ndjekur qysh nga viti 1925. Peshkop Noli dhe opozita vazhdimisht pohonin se “Vatra” ishte kufomë dhe mbahej vetëm nga paratë që jepte guverna shqiptare. Në këtë plan përfshihej edhe largimi i Refat Gurrazezit nga posti i editorit të “Diellit”. George Prifti i shkruan Konicës se Hito Sadiku, sekretar i Konsullatës, ishte personi më i mirë për editor.
Konsulli i Shqipërisë i kishte në dorë çelësat e “Vatrës”. Ndertesa ku ishin zyrat dhe shtypshkronja ishin pasuri e tij. Atij “Vatra” i kishte para borxh dhe nuk mund t’ia paguante aty për aty. Më në fund, konsulli i mbylli dyrtë e “Vatrës” me polici, por Gurrazezi nuk u gjunjëzua para faktit të kryer.
Koncia u ftoh në Gurrazezin dhe mbajti anën e “Vatrës” së Bostonit, e cila ishte më tolerante në veprimtari politike se “Vatra” e Detroitit. Si miq të ngushtë që ishin, ata nuk e sulmuan në shtyp personalisht njëri-tjetrin. Duket se pritnin ditën e pajtimit. Pajtimin e tyre publik e solli vetëm pushtimi i Shqipërisë nga Italia.
Kur shkruan për “Vatrën” e atyre viteve, studiuesi është i detyruar të shkruajë për Nolin e Konicën. Kur shkruan për Nolin e Konicën në kontekst të zhvillimit historik të “Vatrës”, natyrisht, ai është i detyruar të shkruajë edhe për Gurrazezin, Panaritin, Kolonjën e protogonistë të tjerë të asaj kohe. Edhe në vitet 30, gadi si në çdo kohë tjetër të “Vatrës”, epiqendër janë Noli e Konica dhe lufta klasike e mendimit të lirë midis vatranëve, për t’i dalë zot sa më mirë Shqipërisë. Fërkimet politike në atë kohë duken aq serioze sa do të thoje se Noli e Konica do të vrisnin njëri-tjetrin. Shqiptarët, në përgjithësi, qoftë edhe dishepujt e tyre, si Gurrazezi, Kolonja dhe Panariti, i shikonin ata si dy kundërshtarë të poleve më ekstreme politike dhe si armiq, që nuk mund të pajtoheshin. Por, dokumentat provojnë të kundërtën. Ata ruajtën miqësinë dhe respektin për njëri-tjetrin në çdo kohë, ata ndejtën bashkë, shkëmbyen mendime dhe ndihmuan njëri-tjetrin sipas nevojës dhe takatit.
Në fillim të viteve 30, botimi i gazetës “Dielli” është financuar nga qeveria e Tiranës. Në vitet 30, protogonistë kryesorë të “Vatrës” janë: Faik Konica, Vasil Pani, Refat Gurrazezi, Kristo Thanas, Dr. Andrea Ilia, George Prifti, Hito Sadiku, Petro Kolonja, Qerim Panariti dhe Nelo Drizari. Ka edhe shumë veprimtarë të tjerë të cilët bien nën hijen e këtyre të parëve.
Sot, me rastin e këtij seminari, e kujtoj me nderim të veçantë Kalorësin Klasik të Federatës Vatra, Refat Gurrazezin. Dhe ja pse: Gurrazezi ishte gazetar i shkëlqyer, polemist i ashpër, konferencier tribunal dhe një ndër personat më dinamikë të “Vatrës” në vitet 30. Megjithëse e kishte Konicën udhëheqës shpirtëror, ai nuk i nënshtrohej as mjeshtrit të vet, kur mendonte se i përkitej sedra e besimit politik e atdhetar. Shkrimet e tij të vëllimshme publicistike i njoh mirë. Atë e njoha edhe nga afër, në vitet 70, natyrisht kur ishte i thyer nga pleqëria e i këputur nga varfëria. Gurrazezin e njoha atëherë kur ishte editor i “Diellit” dhe shkruante e redaktonte, duke iu dridhur duart. Këtë vatran të madh e njoha atëherë kur kishte nevojën e ndihmës dhe pak kush e ndihmonte.