Nga Hasan Bello

Preng Bib Doda (1860-22 mars 1919) është një nga figurat më interesante të Shqipërisë. Ai është pinjoll i familjes së njohur të Mirditës, derës së Gjonmarkajve, e cila për shekuj me radhë ka luajtur një rol të rëndësishëm. 

Sipas të dhënave, Preng Pasha fëmijërinë e kaloi në Stamboll ku u shkollua në një nga institucionet arsimore më të mira të perandorisë. Në vitin 1876, ai u kthye në Mirditë. Angazhimi i tij në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si zëvendës i Hodo Pashë Sokolit, bëri që Porta e Lartë ta internonte në qytetin e Kastamonusë, në Azinë e Vogël. Sipas librit të studiuesit Hamdi Bushati, atje ai thirrej si Ahmet Pasha dhe për disa vite shërbeu edhe si myteveli (kujdestar) i një xhamie. Me ndihmën e Syrja bej Vlorës dhe të konsullatës franceze e cila tregonte një interes të posaçëm, Preng Pasha u lirua nga internimi. Ai shkoi në Liban ku vendosi kontakte me nëpunës dhe diplomatë të njohur. Një nga këto kontakte ishte dhe ai me familjen e pasur të Malhalmëve, e cila kërkoi nga qeveria osmane që ta emëronte në postin e guvernatorit (valiut), ashtu si dikur kishte emëruar Pashko Vasën. 

Për disa kohë Preg Pasha shërbeu edhe në Stamboll. Ndërsa në vitin 1911, ai u zgjodh deputet në Parlamentin Osman. Në Qeverinë e Vlorës, Ismail Qemali do ta emëronte zëvendëskryeministër. Ndërsa Turhan Pashë Përmeti i caktoi dy herë detyrën e ministrit. Preng Pasha u vra në mars të 1919 nga Çokajt e Bregmatës gjatë një udhëtimi që po bënte me konsullin anglez Eden. Pavarësisht alibisë, arsyeja dhe organizatorët e vërtetë të këtij atentati ishin italianët.

***

Pas tërmetit të vitit 1905, i cili shkaktoi dëme të konsiderueshme në qytetin e Shkodrës, Preng Pasha bleu një shtëpi të vjetër për rikonstruktimin e së cilës ngarkoi arkitektin dhe piktorin e njohur me origjinë nga Preveza, Kol Idromeno. Pjesë e kësaj banese, të fotografuar nga Kel Marubi në vitin 1913, ishte edhe biblioteka. Preng Pasha ishte njohës i disa gjuhëve të huaja (italisht, turqisht, anglisht, frëngjisht) dhe njeri i shkolluar, për të cilin librat ishin pasion i hershëm. Prandaj, biblioteka e tij ishte një nga më të pasurat e qytetit. 

***

Sipas një dokumenti arkivor, më 1 gusht 1920 ministri i Arsimit, Sotir Peci i shkruante Ministrisë së Brendshme që të interesohej për fatin e bibliotekës së Preng Pashës nëpërmjet prefekturës së Shkodrës. Ai kishte frikë se kjo bibliotekë me libra të çmueshëm kishte rrezik të binte në duart e personave të papërgjegjshëm. Për ta marrë në mbrojtje, ai sugjeronte gjithashtu që ajo të bëhej pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare, e cila sapo ishte themeluar nën varësi të Ministrisë së Arsimit.  

Për fatin e mëtejshëm të kësaj biblioteke nuk disponojmë asnjë informacion.  

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *