Nga Daut Dauti

Me këtë tekst dëshiroj t’i përkujtoj dy miqtë e mi, Zekerija Canën dhe Kastriot Shehdadin, që nuk janë më në mesin tonë. Tekstin e kam shkruar para tri viteve me kërkesë të Kastriotit, i cili përgatiste një libër për Zekiria Canën. Kastrioti, për fat të keq, ndërroi jetë pa e përfunduar librin. 

 Zekeria Cana (1934 – 2009)

Ruga ime për në shkollë ka qenë mjaft e pazakonshme. Kur dilja nga shtëpia shkoja te dy shokët e mi fqinjë dhe me ta vazhdonim të lëshoheshim kodrës për në shkollë. Shumë shtëpitë e lagjes (Aktash) kanë qenë të papërfunduara e diku as që kishte filluar ndërtimi. Prandaj, në shkollë shkonim nëpër oborre të këtyre shtëpive për shkak se kjo ishte rruga më e shkurtër. Para se të dilnim në rrugën kryesore ‘Dubrovniku’, në krahun tonë të majtë gjendej një shtëpi e lyer me ngjyrë të gjelbër. Shtëpia ka qenë dy katëshe dhe na e tërhiqte vëmendjen dhe e shikonim me kurreshtjen tonë fëmijërore. Kjo ka qenë shtëpia e Zekiria Canës. Ia njihnim edhe anëtarët e familjes se kjo ishte punë e kërshërisë sonë që na shtynte t’i njihnim edhe njerëzit e lagjes edhepse nuk ishin afër shtëpive tona.

Nuk e dinim saktësisht se çka apo ku punonte ky njeri, por mendja na thoshte se ishte profesor në universitet. Më vonë e morëm vesh se profesori, siç e quanim, gjatë kësaj kohë (1969 – 1974) kishte punuar në Institutin Albanologjik dhe nuk e kishim pasur shumë gabim kur mundoheshim ta dinim profesionin e tij. Sidoqoftë, ne fëmijët nuk kalonim pa e përshëndetur profesorin, të cilin, zakonisht në mëngjes e shihnim duke pirë kafe dhe duhan në ballkon, aty ku përfundonin shkallët e katit të dytë. Ai, na e kthente përshëndetjen dhe kur ishte i zënë me lexim, me siguri të gazetës, e ngriste njerën dorë sa për të na dhënë shenjë se na dëgjoi dhe ne vazhdonim rrugën të kënaqur edhe me këtë mënyrë të pranimit të respektit tonë. Kur ishte me dikend në ballkon, e mbaj mend se dëgjohej vetëm zëri i tij që përherë ka qenë i lartë, bindës dhe dominues.

Profesori doli të ishte njeri i rëndësishëm, ashtu siç e kishim imagjinuar. Megjithatë, unë nuk do të kisha rast të takohesha e të njihesha me te për së afërmi apo personalisht pa kaluar gati dy dekada. Në fund të viteve të 80-ta, kur fillova të punoja si gazetar, m’u ofrua mundësia të takohesha shpesh me profesorin. Deri në këtë kohë Zekeria Cana ishte bërë emër i njohur dhe kishte zënë vend të rëndësishëm në fushën e historisë. Me ndryshimin e situatës politike, e cila gjithnjë e më shumë po bëhej e rëndë për shqiptarët, Zekeria Cana u përfshi edhe në sferën e të drejtave të njeriut dhe në atë të aktiviteteve politike kombëtare. Për këtë arsye, Zekeria Cana ishte bërë emëri i njohur në tërë Kosovën dhe jashtë saj. Pra, jo vetëm si profesor por edhe si aktivist i guximshëm, i cili publikisht merrej me tema të cilat deri atëherë ishin të ndaluara dhe të rrezikshme. E kundërshtonte shtypjen që ushtronte shteti jugosllav ndaj shqiptarëve, ishte ndër të parët që foli për vrasjen e ushtarëve shqiptarë dhe merrte pjesë në pajtimin e gjaqeve së bashku me Anton Çetën.

Deri me përfundimin e luftës (1999) Zekeria Cana gjendej në të gjitha situatat e vështira ku i dilte në ndihmë popullit. Me vullnetin për ndihmë dhe guximin që tregonte para pushtetit administrativ të dhunshëm dhe forcave barbare serbe, Zekeria Cana i ka mahnitur të gjithë. Ishte shembull i veprimit të intelektualit në momente të rënda e të rëndësishme. Me punën e tij, profesori po jepte shembull të fuqishëm se jo vetëm që nuk duhet të dorëzohemi, por duhet edhe të organizohemi kundër një të keqeje që tentonte të na zaponte dhe të rritej me rezultate tragjike.   

Në fillim të viteve të 90-ta, pasi që kisha kaluar një kohë duke hulumtuar një mori të dokumenteve në ‘Public Record Office’ apo në Arkivin Kombëtar Britanik siç njihet ndryshe ky arkiv, takimet e mia me profesorin filluan të shpeshtohen. U njohëm për shkak të gazetarisë, por u shoqëruan për shkak të historisë. Tema studjuese e profesorit ka qenë kryesisht çështja shqiptare që ndërlidhet me atë serbe gjatë periudhës së fillimit të shek XX. Tema ime kishte të bëjë po me këtë çështje, por e një periudheje më të gjërë dhe në kuadër të politikës së jashtme britanike. Megjithatë, edhepse nuk ishin tema të njejta, ne gjenim mjaft pika të përbashkëta për të biseduar dhe sygjeruar literaturë përkatëse njeri tjetrit. Unë në këtë kohë kam qenë hulumtues i ri dhe kam përfituar nga këshillat e profesorit, i cili tani më ishte emër autoritativ akademik në fushën e historisë. Zekeria Cana hulumtimet e tija kishte arritur t’i materializoj në një varg veprash të rëndësishme. Këto vepra, përfshirë libra dhe artikuj shkencorë që trajtojnë relacionin Kosovë – Serbi, janë monumentale në historiografinë tonë.

Pas vitit 1999 takimet tona nuk kanë qenë të shpeshta sa duhej. Megjithatë, kanë qenë përmbajtësore dhe për mua krijonin kënaqësi. Profesori e përcillte punën time të publicistikës dhe atë shkencore të historisë dhe kjo mua më krijonte një ndjenjë të mirë. E çmonte lartë rëndësinë e dokumenteve që ruhen në arkivat britanike dhe që të dy pajtoheshim se duhet një angazhim më i madh dhe më i planifikur për eksplorim të këtij materiali të vlefshëm që do të ndriçonte edhe më tej segmente të historisë tonë. Në kujtimet e mia profesori ka mbetur ndër njerëzit që posedojnë kapacitet enciklopedik dhe nga të cilët mund të mësosh shumë gjëra edhe jashtë fushës së historisë.

Nuk më kujtohet saktësisht se kur jam takuar me profesorin për herë të fundit. Por, e di mirë se ai, sikur shumë intelektualë tjerë, nuk ishte i kënaqur me gjendjen politike të Kosovës. Nuk ishte i kënaqur as me thellësinë dhe nivelin e angazhimit hulumtues që është duke u bërë në lëndën e historisë. Profesori bënte me dije se tashti ishin hapur shumë rrugë me mundësi të mëdha të studimit dhe përparimit të historiografisë sonë. Ky duhet të jetë një amanet i profesorit Zekeria Cana që duhet të përmbushet.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *