Lazër Shantoja (Shkodër, 7 korrik 1891 – Tiranë, 5 mars 1945) ka qenë prift, publicist, përkthyes i Gëtes, Shilerit dhe Leopardit, poet lirik, satirist dhe esperantisti i parë shqiptar.

Për arsye se ishte ndër mbështetësit, frymëzuesit dhe organizatorët e Lëvizjes e qershorit, me t’u kthyer në pushtet Ahmet Zogut në dhjetor të 1924, u arrestua janarin e 1925. Pas disa muajve burg u fal nga Qeveria e Ahmet Zogut dhe u largua për në Jugosllavi. Me 2 tetor 1925 prej Beogradit, kujton me një artikull prekës te ”Liria Kombëtare“ vrasjen e Gurakuqit. Më 1 shtator 1926 në Cetinjë mban ligjëratën në varrimin e Kapiten Mark Rakës, vdekur në rrethana misterioze në një aksident rrugor.

Më 1928 kaloi nga Jugosllavia në Vjenë, Austri. Këtu filloi të botojë gazetën “Ora e Shqipnisë”, financuar nga Hasan Prishtina. Nga ndërrimi i shpejtë i gjendjes politike në Shqipëri, Shantoja doli prej atdheut dhe shkoi në Zvicër ku qëndroi për pesëmbëdhjetë vjet.

Pas pushtimit të Shqipërisë më 7 prill 1939, u kthye në Shqipëri. Më 1941 me Koliqin, Mustafa Krujën etj., qe një nga themeluesit në Tiranë të Institutit të Studimeve Shqiptare. Mbështeti pambarimisht Qeverinë Kruja, tek i cili shihte vazhdimin e mendimit politik të Gurakuqit. Me kapitullimin e Italisë në shtator 1943, u tërhoq prej skenës politike.

Ndër shumë shkrime e botime (në vitin 2005, në Shkodër do të botohet vepra e tij), Lazri, në vitin 1926, në të përjavshmen LIRIA KOMBËTARE (botohej në Zvicër) do ta botojë poemthin dramatik në një akt “Kuvendi i dëshmorvet”. Origjinali i këtij teksti, përkatësisht dorëshkrimi, bashkë me shumë shënime e korrespondenca të ndryshme ndodhen në Beograd, në Arkivin e Mbretërisë jugosllave.

Pas përfundimit të LNÇ, Shantoja do të burgoset nga regjimi i Enver Hoxhës dhe do t’i nënshtrohet një masakre të vërtetë. Siç do të bëjnë të ditur dëshmitarët, ndër të tjera, atij do t’i rrjepën lëkurën e këmbëve dhe mbi mish do t’i hedhin kripë. Me hekura të nxehtë i thyen këmbë e krahë dhe e lanë pa mjekime. Kur e kishte parë në atë gjendje, me duar e këmbë që i vareshin pa asnjë lidhje me pjesën tjetër të trupit, e ëma, e cila kishte vuajtur emigrimet e fëmijëve, u kishte thënë rojeve: Ju lutem më jepni revolen ta vras! 

Më 5 mars të vitit 1945, Lazër Shantoja do të pushkatohet./ Hejza

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *