Nga Fatos Lubonja
25 prill 1999
Të vjen çudi se si mali i Gjallicës, me qeleshen e bardhë të dëborës mbi krye, vazhdon të qëndrojë pa lëvizur teksa sheh nën rrëzën e vet këtë mjerim të pafund njerëzor.
Kam parë me dhjetëra reportazhe mbi Kukësin nëpër stacionet televizive më të rëndësishme të botës, por shkelja mespërmes me këmbë e këtij realiteti ma rizbulon më thekshëm se kurrë faktin se asgjë nuk mund ta zëvëndësojë kontakin e drejtpërdrejtë të syrit dhe të krejt qenies me të. As kameramanët dhe as fotografët më të talentuar nuk mund ta shmangin dot atë perde që e ndan botën virtuale nga realja dhe as atë distancë artistike që e shndërron dhimbjen në objekt estetik. Kamera nuk arrin dot të kapë atë që percepton qenia njerëzore njëherësh me pesë shqisat, ndjeshmërinë dhe imagjinatën e saj. Syri i kamerës, i strukur pas qelqit të trashë të objektivit, nuk e ndjen dot ftohtësinë e shiut me suferinë që të hyn në palcë, as erën e tmerrshme të shurrës e të përçit që rrethon xhaminë dhe Pallatin e Kulturës të Kukësit; ai nuk e jep dot atë që ndjen dora teksa i prek kokën një fëmije që dridhet nga të ftohtit e, mbi të gjitha, nuk i rrok dot të gjitha këto përnjëherësh, së bashku me qindra detaje të çuditshme që kap syri njerëzor me një të kthyer koke, teksa veshët dëgjojnë histori tmerri nga ata që vijnë pa pushim nga gryka e ferrit.
Kukësi është qytet 25 mijë banorësh e ndërkaq në shtëpitë e kuksianëve kanë hyrë 32 mijë refugjatë. Rreth njëqind mijë të tjerë ndodhen ngado: përreth tij, brenda tij, në trotuare, dyqaneve, nën streha. Një mjerim njerëzor i paparë me të cilin përballesh më së pari tek Pallati i Kulturës. Shkallët e tij janë të mbushura cyt me njerëz të rrazbitur, të cilët nuk ke kurajo t’i shohësh në sy e le më t’u drejtosh kamerën për të fiksuar larminë e pafundme të shprehjeve me të cilat reagohet ndaj vuajtjes. Prandaj fotot i marr kryesisht nga larg. Në oborrin e Pallatit shpërndahen pako ushqimesh nga karroceria e një kamioni. Duar të panumërta ngrihen nga turma e përkulen drejt karrocerisë, shëmbëllyeshëm me kallama që i fryn një erë e furishme – era e urisë njerëzore.
Drejtori i ka hapur dyert e Pallatit. “Gjithë këta njerëz natën futen për të fjetur – më thotë – por tani i kemi nxjerrë që të ajrosen ambientet”. Brenda sallës, Abdyl Frashëri me Isa Boletinin, të kapur për dore, sikur e kanë humbur atë pamjen krenare që ua ka dhënë skulptori i realizmit socialist dhe mezi e durojnë këtë dhimbje. Përballë tyre, i pafuqishëm, i mbështetur në mur, dergjet një plak kosovar mbi tetëdhjetë vjeç, vështrimi i fikur i të cilit zor se arrin t’u komunikojë diçka atyre të dyve. Ndonëse ka orë që njerëzit kanë dalë jashtë ambienteve të Pallatit, me përjashim të këtij plaku e ndonjë të sëmuri tjetër, brenda vazhdon të kutërbojë një duhmë e rëndë frymësh dhe djersësh njerëzore.
“Më bën përshtypje se janë njerëz që e njohin rregullin dhe respektin”, tregon drejtori. “Nuk kam parë të shtyhen a të përdorin dhunën ndaj njëri-tjetrit. Shih radhët e telefonave”. Vërtet, është i patregueshëm durimi me të cilin këta njerëz qëndrojnë dy nga dy në radhën e pafundme të disa kabinave që Telekomi Shqiptar i ka vendosur për herë të parë në qytetin e Kukësit.
Midis Pallatit të Kulturës dhe xhamisë shtrihet një fushë thuajse një kilometër e gjatë, që zbret së gjeri drejt bregut të liqenit. E gjithë kjo fushë është e mbushur, në disa rreshta, me ato strehët e çuditshme që tashmë janë bërë simboli i këtij ekzodi biblik. Janë traktorët, me karroceri të mbuluara me plastmase gjithfarëshe: ngjyra-ngjyra, të kuqe, të verdha, të bardha, jeshile, por ku, megjithatë, dominon ai më i thjeshti dhe më i holli i plastmaseve, transparenti. Vetë ekzistenca e këtyre lloj strehëve dëshmon anakronizmin e asaj që po ndodh. Traktorët përdoren për të ngarkuar produktet bujqësore, frutat, thasët e grurit dhe çdo lloj bereqeti. I përdorin njerëzit më të lidhur me tokën: bujqit dhe fermerët. Në një qytetërim modern, që prodhon traktorë, nuk mund të mendohet që këta të përdoren si qerre ose shtëpi lëvizëse për t’u larguar nga toka që të ushqen. Por ja që ndodh edhe kjo, që
modernizimi i shekullit XX të takohet diku me barbarinë mesjetare.
Midis radhëve të traktorëve, në dheun plot pellgje e baltë, gjallojnë banorët e këtij kampingu surreal. Sheh fëmijë që kanë të ftohtë dhe dridhen, pleq të lëshuar në rrazbitjen e tyre, të rritur që çalltisin andej-këndej. Një shqiptar ka ardhur nga Gjermania dhe ka gjetur në një çadër plastmasi familjen e të vëllait. “Janë shtatëmbëdhjetë veta”, thotë. “Nuk di ç’të bëj me ta. Dua t’i marr në Gjermani, po si? Nuk di as ku të drejtohem.” Në këtë mizëri njerëzish çdo lloj zyre duket e pafuqishme. Një pjesë thonë se nuk kanë ngrënë bukë qysh një ditë më parë; duken të braktisur. Të tjerë të tregojnë për mënyrat si i kanë dëbuar. Nuk ke ç’u thua veçse “durim e shpresë”, teksa ikën kokulur duke menduar për natën që po bie me të ftohtë dhe shi.
Mëngjesi
Ngrihem herët me një ndjenjë faji që kam fjetur në të ngrohtë. Dua të shoh çfarë bëhet në atë mëngjes të ftohtë, ku kanë fjetur gjithë ata njerëz. Gjëja e parë që ndesh është radha e telefonave. Nuk ka ndryshuar, me siguri ka mbetur ashtu gjatë gjithë natës. Lehtësohem kur shoh se shkallët e Pallatit të Kulturës janë bosh. Njerëzit janë brenda.
Megjithatë, qyteti ka një lëvizje të pazakontë për orën gjashtë të mëngjesit. Nga sheshi përballë Pallatit të Kulturës nisen autobusët: Tiranë, Vlorë, Skrapar, Poliçan… për nga nuk nisen.
Prapa Pallatit të Kulturës, Kryqi i Kuq finlandez ka hapur një spital me tenda të bardha, të cilat në mëngjes sikur bien më shumë në sy. Edhe aty kanë filluar të hyjnë e të dalin njerëz.
Nisem për te xhamia. Në korridorin e jashtëm të saj disa gra të moshuara vazhdojnë të flenë, të shtrira radhazi gati njëra përmbi tjetrën. Brenda në xhami, ku një pjesë janë çuar e një pjesë vazhdojnë të flenë, ka një duhmë të tmerrshme që më bën të dal jashtë menjëherë.
Në korridoret midis radhëve me traktorë, më të pagjumët kanë filluar të dalin nga mbulesat me plastmas. Drejtohen më së pari për te dy nevojtore të zeza plastmasi që janë vendosur pranë liqenit nga UNHCR-ja. Pranë tyre është një rezervuar i madh cilindrik prej plastmasi që e çon ujin me disa tuba të trashë në një lloj çezme portative me disa rubineta. Disa kanë mbledhur shkarpa dhe po ndezin zjarr në disa kazanë të nxirë nga tymi. Diku më tej shoh njerëz që vijnë me bukë në krah – dy, tri, nganjëherë edhe katër copë. Janë disa kamiona që shpërndajnë bukën. Pamja e bukës në krahët e këtyre njerëzve sikur ta ngroh pak shpirtin.
Dielli fillon e del që prapa malit të Gjallicës, e me dritën e tij shtohet edhe lëvizja. Jeta, megjithatë, duket se po triumfon edhe në këtë ferr. Diku uji në kazanin e zi ka filluar të ziejë, diku janë mbledhur rreth dhe po hanë. Diku kanë hapur radion me bateri dhe dëgjojnë lajmet e Tiranës. Ndonjë grua ka filluar të lajë. Fëmijët kanë zgjeruar shoqërinë dhe vende-vende i sheh të luajnë. Në qendër të Kukësit është një si park (edhe ai i mbushur me traktorë) ku ndodhet edhe një rrotë lojërash. Disa fëmijë janë varur mbi atë rrotë të zezë dhe përpiqen ta sjellin vërdallë. Kanë dëshirë të fotografohen. Qeshin para kamerës me një pafajësi dhe gëzim jete që të çudit kur mendon se çfarë kanë kaluar. Nuk ka se si ndodh ndryshe, përderisa është vetë instikti i jetës që i ka sjellë këtu.
Ata dhe ne
Vërtet pjesa më e dhimbshme e kësaj tragjedie janë fëmijët, sepse ata janë më të pambrojturit. Por, kur i sheh të luajnë dhe të qeshin para kamerave, e kupton se nuk janë ata që do ta ndjejnë më së shumti këtë tragjedi. Këta, pa dyshim, janë pleqtë që kanë parë shtëpitë dhe krejt punën e jetës së tyre t’u shkatërrohen.
Duke i parë këta njerëz në atë gjendje, pa dyshim të vjen pyetja: sa e ndjejnë në këto çaste dhimbjen? Më duket sikur nuk kanë pasur dhe nuk kanë kohë për ta ndjerë tmerrin që kanë kaluar dhe po kalojnë. Kanë qenë në luftë për t’i shpëtuar vdekjes, tani janë në luftë për mbijetesë. Plagën e kanë ende të nxehtë. Dhimbjen do t’ia ndjejnë më vonë. Kamerat televizive kanë dhënë shumë njerëz duke qarë. Unë, në këtë mizëri, pashë shumë pak, madje vetëm një grua, dhe sapo ndalova për të mësuar se ç’mund t’i kishte ndodhur, dëgjova burrin t’i thoshte: “Mos qaj, se po ndalet krejt hallku po na sheh”.
Në fakt, të ndjerit e kësaj gjëme është luksi i hidhur i yni që i shohim nga jashtë, pa qenë në gjendje t’i ndihmojmë. Shpesh, më e rëndë është ta shohësh dhimbjen nga jashtë sesa ta përjetosh në lëkurë. Kur je duke u përballur trup me trup me të keqen, në gjendjen e një aktiviteti të ethshëm, sikur mpihen disa pjesë të shpirtit që rrisin ndjeshmërinë e ligështimin dhe funksionojnë ato që të rrisin rezistencën. Dhimbja shpirtërore, më e rënda e dhimbjeve, është më shumë fryt i një gjendjeje në të cilën funksionojnë të gjitha ndjesitë dhe imagjinata ka kohë të kthehet në kujtime e imazhe të shtrenjta, ndoshta të humbura përgjithnjë.
Në fakt, dëshmitarët e jashtëm, të cilët nëpërmjet aftësisë njerëzore për të imagjinuar, identifikohen në këto çaste me dhimbjen e tyre, me atë që ata po ndjejnë dhe do ta ndjejnë nesër, ndjehen shumë keq. Më së keqi ndjehemi ne, shqiptarët e Shqipërisë, që këtë gjëmë e përjetojmë dyfish të traumatizuar, sepse tek goditja e shqiptarëve të Kosovës shohim të goditur jo vetëm identitetin e dinjitetin tonë si qenie njerëzore, të cilën e ndjejnë edhe të huajt, por edhe identitetin e dinjitetin tonë si shqiptarë.
Pas kësaj zezone nuk jemi më ata që kemi qenë. Ndërgjegjja na ka pësuar një tronditje traumatike dhe do të kërkojë kohë të qetësohet. Solidariteti spontan i shqiptarëve, solidariteti i një populli që e njeh dhimbjen dhe vuajtjen, që i ka pasur pjesë të jetës së vet edhe hallet e komshiut, që ka shprehjen e bukur “bukë e krypë e zemër të mirë” është tregues i kësaj tronditjeje. Pa dyshim, pas bukës e krypës e zemrës së mirë, tek ky mjerim gjen edhe pjesët e tij të errëta. Ka edhe plot shqiptarë të cilëve mjerimi shpirtëror e material ua ka mpirë aftësinë për t’u tronditur. Ka nga ata, identiteti i të cilëve nuk shkon përtej atij të kafshëve të egra, që kërkojnë të nxjerrin përfitim edhe nga ky mjerim. Por jam i bindur se ata janë pakicë, e se shqiptarët do të dinë ta përjetojnë këtë tragjedi si një moment historik që duhet ta çojë një hap më tej ngjizjen e tyre shpirtërore, vetëdijësimin se kanë përgjegjësi edhe për të tjerët, se nuk do të mund të jenë mirë nëse shqiptarët e tjerë janë keq.
…dhe serbët
Duke parë këtë masakër ndaj qenies njerëzore nuk ka se si të mos i mendosh edhe ata autorët e saj, serbët, që ndodhen matanë kufirit e që nuk i shohim dot. Përgjithësisht, politikanët perëndimorë tregohen të kujdesshëm kur flasin për popullin serb. E vënë gishtin mbi një autor të vetëm të kësaj gjëme, Millosheviçin, ose regjimin e tij. Mirëpo, duke parë këtë masakër, nuk ka si të mos mendosh për ata që janë instrumenti i terrorit të Millosheviçit, serbët që vrasin, që djegin, që nuk ndjejnë asgjë teksa nxjerrin jashtë fëmijët nga foletë e tyre, që u marrin këtyre fatkeqëve edhe paratë e fundit që mund t’u kenë mbetur nëpër xhepa, që përdhunojnë e poshtërojnë. Mendja të shkon, madje, edhe tek ata qytetarë të Beogradit që u dhemben më shumë urat sesa jetët e shqiptarëve, edhe te ata opozitarë të Millosheviçit që nuk gjejnë zë për të protestuar kundër vrasjes së shqiptarëve, por klithin me të madhe kundër bombardimeve të NATO-s, pasi kjo u hoqi shansin për të rrëzuar kundërshtarin e tyre, apo se bombardimet po u shkaktojnë dëme ekologjike. Si është puna me ta? “I ka rrëmbyer një pasion i tërbuar kundër bombardimeve”, tha një gazetar serb, “dhe nuk mendojnë më gjatë”.
Pa dyshim, njeriu e ka brenda vetes edhe dimensionin e vrasësit, por, kur vrasja kthehet në histeri kolektive dhe nuk zgjat vetëm një çast, por vazhdon në mënyrë të programuar të korrë jetë njerëzish të pafajshëm dhe të pambrojtur, atëherë nuk ka si të mos mendosh se ajo nuk lidhet as vetëm me Millosheviçin, as vetëm me regjimin, as vetëm me pasionin e egër, por me diçka që ka rrënjë më të thella. Nuk dua të shpreh idenë se serbët janë racë gjakësore, kriminale, sikurse dëgjon të shprehen me revoltë shqiptarë të ndryshëm. Njeriu nuk është produkt i racës a i gjeneve, por i kulturës me të cilën është rritur e selitur. Kur përfytyroj serbët që meritojnë të quhen “instrumenti i terrorit të Millosheviçit”, më shfaqen si produkt i një kulture, ose më saktë i asaj pjese të kulturës që dominon në Serbi, ashtu sikurse ishin gjermanët, që masakruan çifutët, produkt jo vetëm i Hitlerit, as dhe vetëm i nazizmit, por edhe i një kulture të ushqyer kohë më parë sesa të vinte Hitleri në fuqi. Është pikërisht kjo kulturë që shpesh lidh diktatorin e egër me instrumentet e tij.
Në Nish ka një monument të çuditshëm, të ngritur me kafka armiqsh. Miti i egërsisë së pamëshirëshme ndaj armikut, që në fakt është mit mjaft ballkanik, duket se tek serbët është pjesë e fuqishme e kulturës, e ndërgjegjes kolektive. Këtij miti duhet t’ia shtojmë edhe mitet vetëvrasëse serbe – si ai i Betejës së humbur të Kosovës – që me siguri gjejnë rezonancë të fuqishme te deliret e një lideri që ka jetuar prej kohësh me vdekjen (kam parasysh vetëvrasjet e të dy prindërve të tij). Këtyre miteve u duhet shtuar fakti se në kulturën politike serbe, dëbimi i shqiptarëve, shoqëruar me një ndjenjë të fortë raciste, ka qenë një konstante qysh prej 1878, kur Serbia u bë shtet i pavarur dhe Obrenoviçi lëshoi parullën “sa më shumë shqiptarë të dëboni, aq më patriotë jeni”. Prandaj, nuk mendoj se ai që quhet populli serb, (pa dyshim nuk kam parasysh të gjithë individët që e përbëjnë), nuk ka përgjegjësi për këtë që po ndodh. Ka një përgjegjësi kolektive në këtë gjëmë, e cila duhet kuptuar si një proces i gjatë historik manipulimi, si përgjegjësi e gjithë atyre politikanëve, historianëve, akademikëve, shkrimtarëve, mësuesve serbë, që përgjatë kësaj historie, të paktën njëshekullore, kanë krijuar dhe ushqyer këto mite dhe paragjykime të rrezikshme, kanë manipuluar historinë dhe, tekefundit, kanë krijuar ato qenie të tmerrshme dhe mendjengushta që tani po vrasin të tjerët.
Kosova është një plagomë e madhe në zemër të Ballkanit, një krater vuajtjeje në shpërthim, grykës së të cilit nuk i afrohesh dot. Nëse do t’i afrohesh kësaj plagome, duhet të vish sa më afër kufirit, aty ku fillon e derdhet kjo lavë e paimagjinueshme njerëzore, e shtyrë për të dalë nga vatra prej tërhuzjes diabolike të një populli të marrosur. Ajo çka ne shohim kur afrohemi është lava e pafund e gjakut dhe dhimbjes njerëzore që rrjedh nëpër Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi e pastaj nëpër botë, që vjen duke u degëzuar sa më shumë i largohesh burimit të shërthimit e që ta jep veçse përafërsisht idenë se çfarë po ndodh aty brenda. Kukësi është vetëm njëra nga këto pika të nxehta që djeg përvëlon ndërgjegjen njerëzore.
Marrë nga libri “Bri plagomës prej nga derdhet dhimbja”, Dhjetor 2017, publikuar nga Admovere dhe KFOS