Nga Hasan Bello
Një nga familjet më të njohura shqiptare ishte ajo Vrionasve të Beratit e cila jetonte në një ansambël arkitekturor prej katër shtëpishë, të rrethuara me një mur të lartë në lagjen “Mangalem”. Në pamje të parë ato ngjasonin me një kala të vogël dhe konsideroheshin si sarajet më të bukura të Shqipërisë.
Kontributi i kësaj familjeje shtrihet thellë në historinë e Shqipërisë, duke vijuar me Mehmet Ali Vrionin, i cili në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit do të luante një rol të rëndësishëm fillimisht si deputet në Parlamentin e parë osman (1876-1877) dhe më pas si kryetar i Lidhjes për degën e Beratit. Në prill-qershor 1879 Mehmet Ali Vrioni sëbashku me Abdyl Frashërin udhëtuan drejt kryeqyteteve europiane për t’u takuar me diplomatë dhe personalitete të njohur për të sensibilizuar opinionin publik ndërkombëtar lidhur me çështjen shqiptare.
Mehmet Ali Vrioni që për disa vite kishte ushtruar detyrën e mytesarifit (nënprefektit) në këtë periudhë do të martohet me një vajzë nga familja beratase Vokopola, e cila bashkë me bukurinë thuhet se i solli dhe pasuri të madhe. Në vitin 1882 çiftit u fali Zoti një djalë të cilin e quajtën Ilias. Por gëzimi në këtë familje nuk zgjati shumë. Një aksident tragjik i mori jetën bashkëshortes së Mehmet Aliut, duke e lënë foshnjen jetim. Pas disa kohësh ai u martua me një çerkese të quajtur Mihiri hanëm që nuk zgjati pasi në vitin 1890 atdhetari i njohur ndërroi jetë.
Iliasi i vogël u rrit me përkujdesin e njerkës, e cila nuk kishte fëmijë dhe nga xhaxhai i tij, patrioti Azis Pashë Vrioni. Pas mbarimit të arsimit bazë ai u dërgua për të vijuar studimet e larta në Stamboll, në Mylkijen e famshme (Fakultetin e Shkencave Politike dhe Administrative) nga auditoret e së cilës dilnin drejtuesit kryesorë të administratës osmane. Në vitin 1904 ai u diplomua me rezultate të larta. Ndërsa në vitin 1908, në moshën 26 vjeçare u zgjodh kryetar i bashkisë së Beratit. Deri në vitin 1912, Ilias Vrioni do të përpiqet për zhvillimin e arsimit kombëtar dhe përmirësimin e jetës së bashkëqytetarëve. Gjatë kësaj periudhe, ai bashkëpunoi ngushtë me klubet patriotike, të cilat luftuan për zgjerimin e shkollave në gjuhën shqipe. Ai do të luaj rol kryesorë për zgjedhjen e Ismail Qemalit dhe xhaxhait të tij, Azis Pashë Vrioni si deputetë në Parlamentin e dytë osman. Kjo pavarësisht fushatës së xhonturqve për t`i penguar këto kandidatura.
Në Kuvendin e Vlorës, Ilias Vrioni mori pjesë si përfaqësues i Beratit dhe me kërkesë të Ismail Qemalit iu ngarkua detyra e këshilltarit të Ministrisë së Brendshme. Angazhimi politik i Ilias Vrionit ka disa kulme. Ai fillon në këtë periudhë, por në fakt pas Kongresit të Lushnjës në janar të 1920 ku ai ishte pjesëmarrës aktiv, Ilias Vrioni do të bëhet disa herë kryeministër dhe ministër i Jashtëm. Për shkak të kontributeve, formimit dhe besimit që ai gëzonte edhe në vitet e Republikës dhe Monarkisë shqiptare ai do të luajë një rol të rëndësishëm. Kryesisht, Zogu e ngarkoi atë të merrej me politikën e jashtme si ministër dhe diplomat. Në vitin 1932, ai ndërroi jetë në Paris ku shërbente si ambasador.
***
Në vitin 1909 Ilias Vrioni ashtu si të gjithë pinjollët e familjeve (oxhaqeve) të mëdha shqiptare u martua me vajzën e Hysen Pashë Dinos. Xhemilia ishte një vajzë e shkolluar dhe tepër e emancipuar për kohën. Ajo i përkiste një familje po aq të njohur çame nga Preveza, e cila kishte nxjerrë funksionarë të lartë në administratën osmane, patriotë dhe intelektualë të njohur brenda dhe jasht Shqipërisë. Ajo kishte mbaruar një shkollë femërore në Stamboll dhe zotëronte shumë mirë përveç shqipes, frëngjishten, italishten, greqishten dhe turqishten. Xhemilia solli në Berat edhe pianon së cilës i binte shumë mirë dhe brenda një kohe të shkurtër filloi t`ua mësonte vajzave të tjera.
Epilog i dhimbshëm
Me Ilias Vrionin i cili vdiq relativisht herët Xhemilia pati tre fëmijë, Mehmet Aliun i cili pas shkollimit në Paris shkoi në Itali dhe sëbashku me të motrën, Nihalin e martuar atje për shkak të regjimit komunist nuk u kthye më kurrë në Shqipëri. Ndërsa fëmija i tretë, përkthyesi dhe intelektuali i njohur Jusuf Vrioni, i cili u diplomua po në Paris për drejtësi dhe ekonomi u kthye në Shqipëri ku për 13 vite vuajti në burgjet komuniste.
Xhemilia vdiq në Tiranë në vitet 70-të pa u takuar me dy fëmijët e tjerë që ndodheshin në Itali dhe pa e parë Jusufin në detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në UNESKO pas viteve 90-të. Por, ajo përjetoi edhe diçka të tmerrshme në vitin 1946, kur komunistët hapën sarkofagun dhe nxorrën nga varri bashkëshortin e saj, ish-kryeministrin, ish-ministrin e Jashtëm, ish-ambasadorin dhe nënshkruesin e deklaratës së pavarësisë, Ilias Vrionin për ta hedhur në një vend që nuk dihet as sot. Përveç kësaj, “barbarët e kuq” iu vërsulën edhe sarajeve të Vrionasve, për të zhdukur me kazma nga faqja e dheut ato pak gjurmë të familjeve fisnike shqiptare.