Nga Hasan Bello

Më 20 prill 1924 deputeti Avni Rustemi i paraqiti Kuvendit Kushtetues kërkesën për një leje tremujore. Ai mendonte të zhvillonte një udhëtim në ShBA. Por legata amerikane ia refuzoi vizën. Një rast shumë i rrallë për kohën, duke e shpallur atë si shqiptarin e parë “non grata” për qeverinë amerikane. Kjo për shkak të tendencave antikushtetuese të organizatës “Bashkimi”, siç ishte eleminimi fizik i kundërshtarëve politikë. 

Atentati kundër kryeministrit të kohës, A.Zogu në shkallët e parlamentit, në shkurt të 1924 kishte si autorë Beqir Valterin, por në fakt nga hetimet rezultoi se organizator dhe stërvitës i tij kishte qenë A.Rustemi. Gjithashtu, anëtarët e organizatës “Bashkimi” u jepnin me zor deputetëve kundërshtarë vaj ricini, që t`i zinte diarrea dhe të diskretitoheshin në sytë e popullit. Për të gjitha këto amerikanët kishin informacion të plotë. 

Vrasja e Avni Rustemit ndodhi në një moment kur situata politike mes pozitës dhe opozitës ishte shumë e tensionuar. Ajo ngjasonte me një shesh ku ishte derdhur benzinë…Sipas versionit zyrtar dhe shtypit të kohës thuhet se, rreth orës 16:00-17:00 të 20 prilli 1924, ai po shkonte në shtëpinë e ministrit të Arsimit, Fahri Gjilani, kur në “Varrezat e Pashës” afër Pazarit të Ri, u qëllua nga Isuf Reçi, i cili njihej si mullixhi i Esat Toptanit. Pas disa ditësh ai ndërroi jetë. Trupi i tij u balsamos nga dr.Sezai Çomo dhe më 28 prill u nis nga Tirana në Durrës për tu transportuar drejt Vlorës me vaporin jugosllav “Beograd”. 

Më 29 prill kortezhi mortor i shoqëruar nga përfaqësuesit e opozitës, deputetë dhe ndonjë ministër i qeverisë së koalicionit mbërriti në Vlorë. Ajo që dihet është fakti se, trupi i të ndjerit u përdor politikisht për të ndezur gjakrat e popullit, ushtarakëve dhe nënpunësve të ndershëm dhe për t`i hedhur ata kundër qeverisë. Ky ishte sipari i një grushti shteti, i cili njihet edhe si “Revolucioni i Qershorit”. 

Por kush ishin të interesuar për vrasjen e A.Rustemit dhe një luftë civile mes shqiptarëve?

Sipas botimit me dokumenta nga arkivat ruse “Marrëdhëniet sovjetiko-shqiptare (vitet 20-30 të shek.XX)”, të përgatitur nga Prof. Lenina Zhila dhe Prof. Vlado Popovski shtrohet një pistë e re. Në një dokument të zbulimit sovjetik për “Komitetin e Kosovës” dhe ngjarjet politike në Shqipëri në vitin 1924, për vrasjen e Avni Rustemit shkruhet: “Kah mesi i këtij prilli, Avni Rustemi u plagos rëndë dhe tashmë ka vdekur. Nuk mund të anashkalohet fakti se vrasja e tij qe inspiruar nga agjentura serbe në Shqipëri.”

Kjo pistë përputhet edhe me disa informacione të mbledhura nga prefekti i Shkodrës, Abedin Nepravishta, i cili më 10 prill 1924 informon Zyrën Sekrete pranë Ministrisë së Brendshme se një person që kishte marrëdhënie konfindenciale me konsullatën jugosllave i kishte deklaruar se, brenda dhjetë ditësh po përgatiteshin disa atentate kundër personave me rëndësi. Në fillim prefekti nuk e kishte besuar vërtetësinë e këtij informacioni, por kur kishte ndodhur vrasja e dy turistëve amerikanë në pyllin e Mamurrasit, ai kishte filluar ta merrte seriozisht. 

Pas vrasjes së A.Rustemit, personi në fjalë ishte takuar përsëri me prefektin e Shkodrës, duke i konfirmuar faktin se, si vrasja e amerikanëve ashtu dhe ajo e A.Rustemit ishin organizuar nga konsullata jugosllave, e cila përgatitej të eleminonte edhe disa personalitete të larta politike si A.Zogu, Luigj Gurakuqi etj. E gjitha kjo bëhej për të destabilizuar situatën politike dhe për t`i çuar shqiptarët drejt luftës civile. Megjithëse vrasja e A.Rustemit, për shkak të veprimeve të tij, ishte vetëm çështje kohe.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *