Qazim Reshit Mulleti
Lindi në lagjen “Sulejman Pasha” në Tiranë, në 20 dhjetor të vitit 1893. Studimet e para i kreu në Manastir, i vazhdoi në gjimnazin “Zosimea” të Janinës dhe së fundmi kryen studimet e nalta në Kolegjin Perandorak “Gallata Saraj” të Stambollit, me medalje ari. Ishte poliglot. Dinte turqisht, osmanisht, arabisht, gjermanisht, frangjisht, italisht, latinisht, serbo-kroatisht, greqisht.
Hobi i tij ishte hipizmi, koleksionimi i suvenirëve,- ku në shtëpinë e vet nji kat e kishte shndërrue në nji muze të posaçëm, – si dhe patinazhi në akull.
Në 1912-ën, bashkë me shumë studentë të tjerë shqiptarë merr pjesë në ngritjen e flamurit në Tiranë dhe Vlorë.
Në 1914-ën asht nji ndër katër adjutantët e Princ Vidit. Largohen së bashku në Vjenë, ku jetoi aty deri në vitin 1920. Me ndërhyrjen direkte të Mareshalit austriak Trolman, i cili mbulonte rajonin e Ballkanit, Qazim Mulleti vijoi studime specializimi shtesë në fushën e diplomacisë ushtarake të luftës.
Në vitin 1920 merr pjesë në Kongresin e Lushnjës. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës u pengue të hynte në Durrës, ku kishte destinacionin për të ushtrue funksionet e saj, pasi Kongresi e kishte zgjedhur Kryeqytet. Me ndërhymjen e dajës së Qazimit, Mytesim Këlliçit, Abdi Toptanit dhe Qazim Mulletit, si dhe të delegatëve të tjerë të Tiranës në kongres, qeveria u vendos provizorisht në Tiranë. Shumë patriotë të Tiranës hapën shtëpitë e tyne në dispozicion të qeverisë së re. (Nji shtëpi e Mulletëve u ba Ministria e parë e Bujqësisë).
Ma vonë, në bisedat e Kuvendit Kombëtar, Qazimi mbron dhe argumenton pse Tirana duhet t’ishte Kryeqytet i Shqipnisë. Pozita gjeografike, strategjike dhe klimaterike ishin ma të favorshme se ato të qytetit të Durrësit. (Tirana, `de jure` u ba Kryeqytet i Shqipnisë në vitin 1925).
Në shtator të vitit 1920, asht Komandant i Forcave Vullnetare kundër Serbisë, me gradën `major` në luftimet e kryeme në Qafën e Tujanit.
Më 25 Prill – 3 maj 1921, ai merr pjesë në Kongresin për Bashkimin Kombëtar në Vlorë, si përfaqësues i Tiranës, në të cilën funksiononte shoqnia patriotike “Vllaznia-Zgjimi”, së bashku me z.Hafiz Ibrahim Dalliu dhe z.Musa Maçi, si përfaqësues të shoqnisë “Lidhja Kombëtare” dhe z.Avni Rustemi të shoqnisë “Bashkimi”.
Në Qeverinë e Sulejman Delvinës dhe Fan Nolit vendoset si prefekt në Dibër.
Mbas dështimit të Revolucionit largohet nga Shqipnia. Në fillim vendoset në Zara të Jugosllavisë, ndërsa ma vonë në Vjenë, ku ndenji si emigrant politik deri në vitin 1931. Kur ishte në Vjenë, pikërisht në vitin 1929, ai martohet me Hajrie Kusin, me të cilën pati vetëm nji djalë. Reshiti, bashkë me t’amën, Hajrien, vuejtën për 45 vjet në kampet e përqendrimit të Tepelenës, Savrës, Gradishtit, Porto Palermos, etj. Zj.Hajrie vdiq në vitin 1980, kur ishte në kampin e përqendrimit në Savër të Lushnjës. Ajo u cilësue si nji grue e rrallë, që diti të bante durim dhe të mbante me nder deri sa vdiq emnin e bashkëshortit, Qazim Mulletit, i cili që prej ’44-ës ishte largue në Itali, ku dhe vdiq në vitin 1956. Zj.Hajrie Mulleti asht e para grue që diti të kambëngulte që me marrë pensionin që i takonte tue qenë n’internim. Me kambënguljen e saj ajo arriti të bindte vetë Kadri Hazbiun, se pensioni i takonte t’i lidhej edhe pse ishte e internueme për shkak të së kaluemes së familjes së saj antikomuniste.
Mbas dështimit të atentatit kundër Mbretit Zog, në 1931-in, Qazim Mulleti dënohet nga mbretnia shqiptare me “Vdekje në mungesë”. Pas kësaj ishte dënue edhe në Vjenë me dy vjet burg, për bashkëpunim në atentatin kundër mbretit Zog. Pas përfundimit të burgut ai shkon në Paris, ku u bashkue me të vëllanë, Hysniun, i cili gjithashtu ishte dënue nga mbretëria me vdekje, megjithëse s’kishte lidhje me atentatin në fjalë. Hysniu në atë kohë vazhdonte studimet për Inxhinier Bankar. Së bashku filluen të merren me biznes privat, ku hapën nji restorant i cili saktësisht ndodhej në rrugën Nr.5, pikërisht pranë Harkut të Triumfit. Në Paris, Qazim Mulleti zgjidhet Kryetar i Emigracionit Politik jashtë atdheut, organizatë që ishte njohur nga Lidhja e Kombeve. Në atdhe pronat e Mulletëve pas atentatit të Vjenës, saktësisht në vendin ku quhej Kodra e Mulletëve ku tash asht Pallati i Brigadave, u tjetërsuen “për me ndërtue nji shtëpi të vogël për mbretin”. Miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij ishin: Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Mustafa Kruja, Ernest Koliqi, Dom Lazër Shantoja, Eqerem Vlora, Dom Frano Karma, Qazim Kondi, etj.
Në qershor të vitit 1939, kthehet në Shqipëri. Me kërkesën e qytetarëve të Tiranës zgjidhet Kryetar Bashkie i Tiranës. Në 1941-in, ai emnohet Komisar i Jashtëzakonshëm për lirimin e tokave të robnueme në Kosovë, Dibër të Madhe, etj.
Në vitin 1942 emnohet Prefekt i Klasit I të Tiranës.
Në qeverinë e Regjencës emnohet prapë Prefekt i Klasit I, deri në shtator të vitit 1944 kur u largue përfundimisht nga Shqipëria.
Si Prefekt i Klasit I, ai kishte pushtet të plotë. (Ishte Kryeministër për Tiranën dhe Kavajën). Mbulonte policitë, bashkitë, rendin, forcat e ndërhyrjes së shpejtë. Kishte dhe gradën e Gjeneralit.
Gjatë kohës së luftës, me iniciativën e tij u ndalue gjakmarrja. Dihet që, gjatë kohës së drejtimit të Qazim Mulletit në Tiranë sundonte stabiliteti, rregulli, siguria, dhe tregtia vazhdonte normalisht punën, tue përjashtue rastet sporadike. Në atë periudhë në Tiranë u zhvilluen ndërtime të reja, si rrugë, ujësjellës, që i dhanë Tiranës fizionominë e një qyteti perëndimor. Asht e dokumentueme ndihma dhe këshillimi që i ka dhanë shumë të rinjve që të mos baheshin pre e bindjeve komuniste, të cilat u vërtetuen që qenë shumë të damshme për popullin shqiptar. Gjithashtu, në këto arkiva dokumentohet dhe ndihma që u ka dhanë hebrenjve gjatë luftës, duke i pajisur dhe me dokumentet lehtësuese përkatëse, në bazë të marrëveshjes ndërmjet Regjencës dhe përfaqësuesit gjerman të Europës Juglindore, Neubacher…
Qeveria Komuniste ia konfiskoi të gjitha pasunitë e luejtshme dhe të paluejtshme dhe i grabiti “dhomën-muze” me souvenirë dhe dokumente të rralla për historinë e Shqipnisë.
Mbas largimit nga Shqipëria, Qazim Mulleti shkon në Austri dhe dorëzohet pranë forcave aleate anglo-amerikane, ku e gjykojnë dhe e lanë të lirë. Me afrimin e trupave të Ushtrisë së Kuqe (sovjetike) aleatët e këshillojnë të largohet nga Austria.
Pas kësaj vendoset përfundimisht në Romë, së bashku me vëllain e tij, Hysniun. Gjatë kësaj kohe ka qenë konsulent i ambasadave të hueja për emigracionin politik shqiptar jashtë atdheut.
Vdiq në 28 gusht të 1956-ës, në Romë dhe larg familjes, që në atë kohë e kishte të internueme në malësitë e Tepelenës. U varros në ‘Roço di Pappa’.
I kushtoi jetën çështjes kombëtare shqiptare. Ishte shumë serioz dhe shumë bujar. Jetoi në kryeqytetet e ish-perandorive, me dinjitet, por gjithmonë larg familjes. I përshtatet ma së miri thënia e Nolit të madh “Syrgjyn gjallë e syrgjyn vdekur”.
Referencat:
Biseda dhe fjalime në Kuvendin shqiptar; arkivat e Ministrisë së Brendshme dhe ato të shtetit; Ernest Koliqi, “Shija e bukës së mbrume”; Ibrahim Hosnaj, “Kujtime”; Gazetat “Flatra”, “Republika”; shtypi i përditshëm shqiptar në shumë lloje gazetash, Visar Zhiti, “Kujtime”; Herman Neubaher, “Themelimi i Shtetit”; Doktor Hakif Bajrami, “Dokumente gjermane 41-44”; dokumentet e arkivit sekret të Ministrisë së Brendshme dhe të shtetit, etj.
Nga: FATOS VELIU