Rubrika “Letrat e Mid’hat Frashërit”

Barcelonë, 16 mars 1921

I dashur Zoti Rexhep,

Mbramë e mora letrën e Z. sate, 20 shkurt.

Më ngjan, je zemëruar pa shkak, meqenëse unë në letrat që i çoja doktorit , kritikoja vendimin e tij dhe jo punën tuaj. Por, edhe nuk më thua, Bedriu , me shokët a shkuan në Gjenevë apo jo, dhe ç`bënë atje, se F. Noli, me të cilin kam pasur letërkëmbim, nuk më ka shkruar askurë farë sendi.

Më thanë se Dibra lyp me qit (deputet) Z. Hasan Prishtina dhe z. Dervish Hima; mësoj se edhe Gjirokastra ka me qit, ose e ka qit z. Myfid . Zgjedhjet a morën fund dhe kush doli? Se shumë miq prej frëngjvet po më pyesin dhe nuk di si me u përgjigj.

Mua më duket sikur po më qortoni tue më thanë se nuk due me u nda nga Parisi. Po më duket se kam fillue nji punë dhe se dua me të vërtetë me hedh themelet e nji vepre pjellore, si politikisht dhe diplomatikisht. Kena me pasë kurdoherë nevojë për ndihmën morale dhe materiale të çdo Fuqie të Madhe e aq më tepër të Francës. Edhe nji punë sado e vogël që të jetë, nuk bëhet pa durim dhe perseverencë.

Puna e qeverimit më duket se do të zgjidhej më lehtë me një regjim republikan: ndryshe kena me pas shum ngatrresa. M’asht kujtue ky sistem: të kena me rradhë nji kryetar prej nji feje dhe dy nënkryetarë prej dy fevet të tjera dhe ka me i arth radha sejcilës fe me ardhë në kryesi. Kjo takon edhe në Zvicër për presidentin e konfederatës, i cili ishte, njëri gjerman dhe tjetri freng.

Dua edhe mendimin tuaj.

Për mizorit`e serbvet në Kosovë kam botue tri herë në gazetat e Parisit. Të faleminderit për atë që më qitët nga letra e mikut. I kam shkrue edhe Z. Mehmet Vokshi në Romë (për të cilin të lutem me më thanë çfarë njeri asht) se duhet me u kujdes që të mbledhim dokumenda preçize me data dhe emra, që kështu t`i paraqitim e t`i shtrojmë në sy të miqvet dhe të armiqvet. Por duhet me u ndrasht me u banum vegla të italianëve ose të mbretërvet serbë e malazezë!

Bajram begut dhe Hysni Currit shumë të fala si edhe Bedriut. A asht e vërtetë që aj Bedriu i vocërr a banum krejt alkolik, ma zi se Shahim Kolonja? Atëherë ma mirë me vdekë nji sahat ma parë!

Z. Kristo Krika po vjen aty prej Amerike me formue nji parti. I dhashë emnin e z. sate. Po çilni sytë mos me u banum për inat e për smirë.

A do ketë gjindja mjaft fuqi me trajtue nji postë morale?

Të fala miqvet dhe të puth sytë.

Mid`hati

Burimi: Instituti i Studimeve “Lumo Skendo”

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *