Nga Daut Dauti

Tulipani është simboli i rritjes së fuqisë së Perandorisë Otomane. Kjo lule ka qenë subjekt i shumë poezive të hershme të dashurisë dhe bukurisë në literaturën perse. Prandaj, aristokracia otomane e solli këtë lule në Stamboll. Sulltanët bënin garë se cili po e stoliste pallatin perandorak dhe parqet publike më mirë dhe me më shume lloje të tulipanëve. Sulltan Sulejmani i Madhërishëm u bë kampion i kultivimit të tulipanit. Madje, ai edhe çallmën e dizajnoi me pamje të tulipanit. Në fakt, në persisht dhe osmanisht fjala ‘tulipan’ është për ‘turban’ që në shqip është ‘çallmë’.

Për ta kuptuar rëndësinë e kësaj luleje në Stamboll e gjetiu në perandori, duhet patur parasysh thënia që qarkullonte atëkohë e që thoshte: Një tulipan është më i vlefshëm se jeta e një njeriu.

Sidoqoftë, sulltan Sulejmani një ditë ia dhuroi disa kokrra apo fara fisnikut flaman, Olgier de Busbeck, i cili shërbente si përfaqësues diplomatik i habsburgëve në pallatin perandorak otoman. Pastaj, Busbeck ia dha disa tulipanë mikut të tij, Carolus Clusius-it, i cili e dekoroi kopshtin perandorak në Vjenë. Por, pas disa viteve, Clusius duke qenë botanist i shkëlqyeshëm, u emërua profesor në Universitetin e Leidenit (Holandë) dhe me vete i solli farat e tulipanëve.

Ky veprim i profesorit krijoi histori. Tulipani në Holandë u bë aq i rëndësishëm sa që njerëzit e përdornin, jo vetëm si lule, por edhe si mjet pagese. Shitblerja e tulipanëve e krijoi tregun e parë spekulativ në Evropë dhe poashtu ndikoi edhe në rregullimin finaciar, tregtar sikur edhe bankar.

Sot, Tulipani është lule që lidhet tërësisht me Hollandën. I shohim gjithë ato fotografi të bukura të arave të rrafshta hollandeze me lloj-lloj ngjyra të tulipanëve.

Duhet theksuar se një lloj tejet i veçantë i Tulipanit, i quajtur ‘Tulipa Albanica’, rritet në Shqipëri, më saktësisht në nje vend në rrethin e Kukësit. Botanistët bëjnë me dije se kjo lule autoktone është në rrezik të zhdukjes.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *