Nga Alfons Zeneli

Më 18 Maj para 4 vitesh ka hyrë në tokë trupi i Shkëlzen Zallit dhe është ngjitur në qiell shpirti i tij. 

Ai ishte një nga shkrimtarët më të mirë e prodhimtarë të letërsisë shqipe për fëmijë. Por Zeni ishte gjithashtu dhe një poet i finesës së lirizmit. 

Tronditës, delikat, kristalin. Por atë nuk e njihte masa. Nuk e njihnin qarqet, sektet, tarafet dhe klanet që dominojnë biznesin e poetrimit nëpër studio, podiume dhe ekrane. Sepse Zeni ishte i varfër, i heshtur, shëndetlig. Zeni nuk kishte mundësi që brenda një aktiviteti të ndërronte shtatë kostume, shtatë palë këpucë e këmisha dhe ta kuronte fytyrën dhe ta arkitektonte mjekrrën me laser. Ai ishte thjesht një poet- perandor i pafundësisë së vet. Atje ku është e sigurt se si triumfon 

ZENI I VUEJTUN MBI DERRAT E PARFUMOSUN. 

I VETEM   (Shkelzen Zalli)

I vetëm po pi me zhulin e natës

ku Viti i Ri të vjetrin pështyn.

Gishtat-aksidente n`udhkryqet e natës

lypsarët e dehur nga kockat i hyjnë.

Lulishtja më veshi me pallton e ftohë,

koshat si doreza përqafuan grushtat.

Qerpikët e akullt thyhen nëpër tokë

pas palltos si komca, qepen prostitutat.

ZONJA ME TE ZEZA ( Sh. Zalli) 

Zonja me të zeza…E zezë

trembja e perëndimit të ditës.

Zonja me të zeza…E zezë

plaga e pikëllimit shpotitës.

Zonja me të zeza…E zezë

rritja e mureve të qelqta.

Zonja me të zeza…E zezë

shkitja e metaforës në letra.

Zonja me të zeza…E zezë

kripa n`rrëkenë e mesnatës.

Zonja me të zeza…E zezë

mjellma në ujerët e fjalës.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *