Letër dërguar Bedri Pejanit

Barcelonë, 21 mars 1921

I dashur Bedri,

Kam letrën tënde të 10 marsit. Rexhepit i shkrova më 16. Më vjen fort keq, që nji letra ime të jetë likshtinterpretuar. Në e këndove të tërë atë letër, do të kesh parë, se fort mirë e mbanj mend që ishte shkruar mbi çështjen e dërgatave, pse këtu emnuan tre delegatë, një sekretar dhe pastaj më hoqnë telegraf, që nuk ka të holla. Unë bëja qarje mbi këtë gjendje dhe shtova se kur s`ka të holla për delegatët, është një punë komike që të çohet edhe një dërgatë e re në Gjenevë.

Sa për Kosovën, më vjen keq që ti të më flasësh kështu, se ti e di fort bukur që çdo pëllëmbë tok’e Shqipnisë është e shenjtë për mua dhe s`di prapë se çfarë rivendikimesh kam unë, sa edhe me miqtë jam zënë, duke na quajtur shamatanë.

Çdo here, kur kam folur ose shkruar për kufinjt’e tokës sonë, kanë qenë Mitrovica dhe Shkupi brenda në tokën tonë. Kujtoj se këtë e mban mend dhe ti që në Stamboll dhe në Shkup e në Vlorë.

Në Svicër ose në Paris, çdo herë që kam mujt, kam shkrue; nji mik në Londër, Z. Paget, sekretari i Anglo-Albanian Societa, më thosh se midis shkrimeve të mi pëlqente ma tepër “Albanas et Slaves”, ku mbroj të drejtat jetike të kombit tonë kundra shkiavet, siç thotë Kosova.

Mizoritë serbe i kam botuar dy herë në fletën parisiane “le Monde Nouveau” dhe në revistën e Londrës “The Near East”. Kur qeshë në Londër u rrëfeva të gjithëve letrën e zezë, atë që më çoj Ramiz Daci, se ju nuk më kini çue as kurrfarë sendi, por meqë ishte e pamundun me e botue në gazetat, me gjithë këtë bëra soje shumë kopje dhe i çova në njerëz me influencë.

Po e sheh se po e bëj detyrën time. Po ti e di se nuk jam demagog prej atyre që rrejnë dhe japin fjalë edhe shpresa të kota. Pra, po të thom:

1. Kosova asht tokë Shqiptare. 2. Kosova nuk e shpëton Shqipninë, Shqipnia e shpëton Kosovën. 3. Ne dimë me e shpëtue Kosovën, por duhet ma parë me forcue Shqipninë, se anija do nji hu që të lidhet. 4. Për me forcue Shqipninë, duhet që të ketë paqe. 5. Për me pas paqe, duhet me jetue mirë më fqinjët. 6. E shoh nji punë kriminale me u dhanë kosovarvet shpresë të kotë dhe me i marr më qafë. 7. Duhet me i bind Kosovarët si me jetue urtë e me ruejtë interesat e tyne në rrugë të nomit.

Më 3 të këtij muaji i çova Societe de Nations nji memorandium për punët e shqiptarvet në Sërbi; më 10-të të këtij, Sekretari General, z. Drummond më përgjigjet tue në thanë se e përhapi “a tittre d`information” në “mebre de Concile et de le c der Nations”, d.m.th. në gjithë shtetet, që janë me ne.

Nuk kam këtu kopjen, po tani po i shkruaj sekretarit në Paris me e kopjue e me e çue në Tiranë në emën të Rexhepit.

Më thua se më ke për të më shkrue nji sërë letrash prej Tirane. Të shofim a ke me e mbajt fjalën

Të fala dhe miqësi,

Mid`hati

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *