Po të ra në dorë ky shkrim, e përfytyroj se si do shkosh prej fronit ku kalon të shumtën e ditës gjer te tryeza anë dritares, ngadalë-ngadalë, në 5-fishin e kohës që të është dashtë 15 vjet më parë, kur të kam njohur. Këmbët mezi binden, edhe shikimi ka humbë thellë brenda syve, sadoqë shkëlqimi i tyre mbetet i zi e depërtues si përherë. Ke me marrë pastaj lupën mbi tryezë e ke me ia afrue gazetës për t’i shkoqitë gërmat një për një: “Të jesh mirë, patër Zef”. Shqiptarët e vjetër e thoshin këtë fjalë për falemnderës, edhe unë s’rri dot pa ta thënë, të shumëfishuar, në dy kuptimet e saj, sepse sapo mbarova edhe një herë së lexuari tre blenjtë e kujtimeve tua “Rrno vetëm për me tregue”, që së afërmi botohen në një vëllim të vetëm.
Kur doli së pari ky libër, këtu e para 10 vjetësh, e kam pasë lexuar titullin e tij: “Rro vetëm, për me tregue”, dmth. mos u përzje me të tjerë, në qoftë se do të rrëfesh. Por presja duhet vendosur ndryshe: “Rro, vetëm për me tregue”, e kjo bëhet e qartë qysh në faqet e para: Jeta e at Zef Pllumit, një jetë e kaluar trupërisht nëpër 9 rrathët e ferrit e shpirtërisht në ajrin këndellës të Besimit, ka kuptim sot vetëm për me u tregue.
Një titull që mendoj i ka lënë larg shumë lexues të mundshëm, sidomos ç’vinë nga Shkumbin e poshtë, me njohuritë e varfra që kanë sot qytetarët tanë për variantin letrar gegënisht të shqipes.
Por kjo për patër Zefin nuk ka ndonjë rëndësi, sepse ai rrëfen jetën e vet dhe atë nuk ka si e rrëfen ndryshe përveçse me gjuhën e Bogdanit e të Mjedës, Fishtës e Gjeçovit, Gjon Shllakut, Donat Kurtit e Martin Camajt. Zef Pllumi, edhe kur çon rrallë e tek meshë ose pagëzon ndonjë fëmijë miku, nuk përdor atë liturgji të përkthyer në toskërisht pa lëng nga do priftna të rinj, por vë lupën te sytë dhe këndon nga një ruzare e vogël e vjetër gjuhën e moçme siç e njohim qyshse u zbulua i pari dokument i shqipes 1462: “unë të pagëzonj për emnit Atit, Birit e Shpertit Shenjt”.
Tani që s’dal dot nga fryma e kujtimeve tua, padre, më bëhet sikur jetët tona, aq të ndryshme së jashtmi, janë nisë me u ndeshë, me u kryqëzue e me ecë bashkë paralel. Nuk qe çudi që na ke përkrahë menjëherë në ato idetë tona të panumërta në vitet 1991-92, në Lidhjen Albania, partinë KIS, gazetën “Libertas” etj. etj. Në kohën që përktheja “Premtimi i plotësuar. Dokumentim i persekutimit të klerit katolik në Shqipëri” nga Gjon Sinishta, për ta përhapur si samizdat më 1990 ndër miq e kolegë, ti kishe filluar një dokumentim shumë më të gjerë e të plotë, nga Arkivi i madh i kujtesës tënde, diku te hauri i motrës Gjeorgjinë prapa rrugës Fortuzi. Paradoks, sepse kur linda unë mes të mirave në kryeqytetin e tiranisë, ti mbaje ndezur mes skamjes atë pak flakë të lirisë fetare në famulli të Shoshit e thellë në Dukagjin, e parrizi i fëminisë sime ishte koha kur për ty po hapeshin portat e Ferrit për herë të dytë, epoka e revolucionit kulturor. Lexova te vëllimi i tretë se si të arrestuan në Malësi të Madhe, kur po kërkoje një rrugë arratie për veten e për Dom Nikollë Mazrekun, se si të prunë në fshatin Tamarë e aty të mori gazi i degës për të të sjellë te hetuesi në Shkodër: Më hyri një dridhmë! Në atë kohë, verë ka qenë, fund i viteve ?60, edhe unë, fëmijë, vija me gazin e degës në Tamarë nëpër luginën e Cemit. Shkoja në ndërtimin e rrugës së Malsisë së Madhe, pionier entuziast për të ndihmuar motrën në brigadat vullnetare… Stemat me “S” në kraharorin e saj, më kishin lënë përshtypje aq të thellë sa nuk rrija dot pa e marrë dhe unë një të tillë. Në Shkodër, natyrisht që u vu në dispozicion makina më e sigurt për të çuar në Tamarë djalin e shokut Filan. E ndoshta po ky Gaz nuk kthehej bosh, por merrte të lidhur me hekura at Zef Pllumin për në hetuesi të Shkodrës, ku do të fillonte kalvari i 22 vjetëve të tjerë burg.
E di, padre, që këto paralele e kryqëzime janë mbase thjesht fantazi ose dëshira. Por mund të ketë edhe një grimë zilije brenda, kur shoh jetën tënde të derdhur në këta tre libra dhe gjej aq shumë kuptim në të. Aq sa nuk gjej në shumicën tonë. Ne lindëm dhe u rritëm në një botë pa besim, ose me besime të rrejshme që kaq herë u detyruam t’i përmbysnim, t’i korrigjonim, sikurse bëjmë edhe sot e gjithë kohën. Kurse ti u rrite në një besim që vinte nga shekujt e që për më tepër kishte rritur të vetmet filiza të qytetërimit në Shqipëri. Fakti që këtij besimi iu vërsulën qysh më 1944-45 me zjarr e me hekur për ta shqymbur krejt, e bëri atë veç më të thellë, sikurse e bëri martirizimin tuaj gurin më të rëndë e më të rëndësishëm të historisë së feve në këtë vend.
Po jetojmë një kohë kur kanë vërshyer në shtypin dhe botimet tona lumenj, përrenj e gjiriza kujtimesh, shumica rrena dhe vetidilizime. Nuk kam asgjë kundër dëshirës normale të njeriut për t’i dhënë një kuptim jetës së vet të hallakatur diku nga fundi, por e kam të vështirë t’i lexoj sepse më mungojnë aty faktet dhe çastet. “Jam kloun – thotë personazhi i njohur i Hajnrih Bëlit – dhe koleksionoj çaste”. Nuk ka rrugë tjetër për të përballur sulmin e fjalëve tymtuese që po na merr frymën çdo ditë. Besoj se i këtij mendimi je edhe ti, patër Zef, që patjetër i don klounët shumë, sepse në kopertinën e librit të tretë shkruan për veten: “Thonë se asht i marrë e nuk rrin me dekë rehat”.
Tek ti, padre, faktet dhe çastet janë aq të shumta sa m’u desh një muaj të të rilexoj.
Po, edhe më shumë se një muaj, sepse ato çaste makthi dhe lumturie, torture fizike dhe shpirtërore kanë nevojë për pushime, për pak ajër të pastër nga e tashmja. Vetëm se s’vonon shumë dhe të tërheqin prapë mbrapsht.
Libri yt patjetër që nuk i ka rreshtur diskutimet e pafundme tek ne për Luftën N-Ç, për Luftën Civile, për luftën e klasave dhe për tiranin më të madh në shekujt e Shqipërisë, Enver Hoxhën. Për shembull, mënyra se si përshkruan ti hyrjen e brigadave partizane në Shkodër më 1944 i ngjan pak një çlirimi dhe shumë një pushtimi. Ja disa fragmente: “29 nandori gdhini ditë e zymtë dhe e ftohtë. Në orën 10-11 nëpër rrugët kryesore të qytetit hyni brigada partizane e prime prej major Gjin Markut. ushtrija partizane, e veshun me gjithnduer uniformash të hueja, paraqitej si nji ushtri e parregullt, leckamane, me opinga dhe e untë… Populli i strehoi, i ushqeu dhe u mbush me parazitë. Por nuk ishin rob Zotit: këqyrshin me tinzi nëpër shpija nëse mund gjejshin ndonji “reaksionar” të mshehun. E para punë që banë qe vumja në funksionim e burgjeve, të cilat u mbushën plot e përmajë me njerëz të pafajshëm. Menjiherë filluen të shpërndahen fjalë: kanë vra X-in o Y-in… Shkodra u mbush me brigada partizane dhe çuditej se nga erdhën aq shumë ushtarë sa nuk i kishin pasë as ushtritë e hueja! Partizanët thojshin se kishin ardhë për të ndjekë gjermanin deri në Berlin, por ishin pa këpucë ndër kambë. Në përgjithësi ishin njerëz me të cilët nuk mund të flitej, me sjellje të këqija: hajshin bukën e përmbysshin kupën. Shumë ushtri të hueja kishte pa Shkodra, por si këtë kurrnji jo… Flamujt e shumtë tringjyrësh jugosllavë valaviteshin në çdo rrugë, në çdo ndërtesë shtetnore e në çdo shpi… Shtoheshin kontrollet, shtoheshin të burgosunit, shtoheshin torturat, shtoheshin pushkatimet. Ndërsa pothuej për çdo natë, mbasi errej, turma të organizueme silleshin nëpër rrugë tue u çjerrë me tërbim me kangët terroriste “Hakmarrje Rini!”…Jo vetëm qyteti, por edhe katundet përreth pësuen të njajtën fatkeqsi. Vërtet: asnji pushtim i huej nuk kishte veprue kështu mbi shqiptarët.”
Në kujtimet e ndonjë ish-komandanti partizan patjetër që do ta gjejmë “të vërtetën” ndryshe. Aty tregohet se si i priti me brohorima çlirimtarët populli i Shkodrës, se si vërtet u morën masa të rrepta ndaj kundërshtarëve, por këta kishin qenë të gjithë bashkëpunëtorë të pushtuesit etj. etj.
Prandaj, padre, unë mbledh çastet te ty dhe ato çaste nuk më lënë të qetë ditë e natë, derisa në këtë vend të vendoset më së fundi njëfarë drejtësie historike. Çastet kur rrije i varur te pema e pjeshkës, ajo shtyllë e Pilatit në oborr të Pjetër Çurçisë, ku ishte vendosë Sigurimi i shtetit. Të lanë lidhur në pemë me litarin nën sqetull e këmbët që nuk preknin dot tokën për net të tëra në cikmën e dhjetorit. Shokët e tu priftërinj ose jo rrinin dhe ata varur kush nën parmakë të shkallëve e kush mbi WC, Guljem Sumën e kishin rrasë te një raft tepër i ngushtë për trupin e tij të madh, prej dy muajsh, me fytyrë nga muri derisa vdiq. Çasti padre kur lexove te muri i WC-së mbishkrimin “Un Dom Vlash Muçaj këtu më 22 korrik piva urinën time për mos me dekë etjet”. Ose çastet pa mbarim të Frano Kirit, që më vonë do të pushkatohej, i cili kaloi dy ditë e dy net lidhur me zinxhirë me një të vdekur. Më ther mes shpatullave, mik, kur shoh atë kapterin që të bie me hu po në një vend te kurrizi derisa shkopi lagshtitet me gjak dhe mendja të turbullohet nga dhimbja.
Kur të takova para dy javësh në Kuvendin Françeskan te Arra e madhe më the se shumë gjana nuk deshe me i futë në libër a se janë të pabesueshme për njerëzit sot a se janë tepër të randa me i shkrue, si çastet kur i shponin pulpën e kambës njerit me shtizë…
Po e le këtu se është e pamundur të ritregohen çastet e jetës dhe të vetmisë tënde. Ti i shkove së keqes deri në fund, për të realizuar profecinë e fratel Gjon Pantalisë, siç e ritregon nga viti 1947: “Fra Zef, mos mendo se kjo murtajë kalon shpejt. Ti je i ri. Kleri Katolik do të shkojë “usque ad unum” (deri në fund), vetëm atëherë do të vijë liria. Ti do t’ia mbrrijsh asaj dite dhe ti do të tregojsh të vërtetën për të kaluemen e të sotmen. Kështu jam i bindun un”.
“Rrno vetëm për me tregue“ është “Arqipelagu Gulag” i Shqipërisë; vërtet nuk ka autori teknikën e lartë të mjeshtrit rus, por arqipelagu i tij shqiptar është edhe më i shtrirë në kohë, plot 45 vjet. Dhe nuk është vetëm pasuria e detajeve, fakteve, çasteve që e mban fort paralelen, por pikësëpari humanizmi i birit të Françeskut, i cili di ta zbulojë njeriun edhe te një komisar edhe të një hetues dhe di të falë.
Dëgjova këto ditë një propozim që pater Zefi të shpallet “Nder i kombit”. Them se është i tillë që tani, pa ndonjë dekoratë konkrete, e në qoftë se do të ketë një të tillë, le të quhet më mirë “Nderi i kombit dhe i fesë”. Nocioni abstrakt i kombit, aq më shumë i këtij kombit tonë kaq të tollovitur dhe të hapërdarë, nuk do t’i kish dhënë kurrë forcën që i dha feja e tij. Tani e di që të lodha, padre, lene thjerzën mënjanë, kthehu prapë në fron. Dhe të lutem rri i marrë e mos dis rehat deri në fund, për të mirën tonë.