Njërin prej shkrimtarëve tanë më të rinj, por mjaft produktiv, Adem Demaçin, e takuam në Redaksinë e botimeve të sipërmarrjes gazetare-botuese “Rilindja”, ku punon si redaktor. Ia bëmë disa pyetje, në të cilat u përgjigj në mënyrë pothuaj lakonike.

* Kemi dëgjuar se në numrin 1 të “Jetës së re” do të dalë gjysma e parë e romanit tuaj më të ri “Gjarpinjtë e gjakut”. Çka mund të na thoni për këtë?

– Mund të them se më tepër më ka ëndja të flas për krijimet e të tjerëve se sa për punimet e mia, por megjithatë po them se “Gjarpinjtë e gjakut” janë një fryt shumë i përvuajtur i një synimi jo të përvuajtur: me shtjelluar artistikisht një problem aq të ndërlikuar siç ka qenë dhe ndoshta është hakmarrja dhe gjakderdhja ndër malet tona.

* Po për romanin për të rinj “S’ka paqe ndër kasolle”?

– I vjen, ndoshta, koha edhe atij.

* E diçka për përmbledhjen e tregimeve “Kur zoti harron”, që e keni dorëzuar për botim?

– Ende nuk dihet gjë, se të gjatë e ka dardha bishtin.

* Çka mendoni për ata që po kërkojnë forma dhe shprehje bashkëkohore në letërsinë tonë?

– Mendoj (pra, vetëm mendoj po them) se ndër ta ka edhe asi që me të vërtetë gjejnë forma e shprehje të reja, si Besim Bokshi, bie fjala, por ka edhe asi (jo vetëm ndër vjeshëtarë) që mbeten vetëm si shkërbyes, adaptorë, huajtës, madje edhe deformues të zbehtë e të dobtë formash edhe motivesh që dikur kanë qenë me të vërtetë bashkëkohore dhe të reja për një vend dhe ambient të caktuar. Tek e mbramja, gjithkush i bie asajde kah mundet, prandaj edhe poeti përvetëson metodën e të shkruarit sipas fuqisë së talentit të vet. 

* E pyetëm edhe për planet e tij në të ardhmen. U përgjigj shkurt e trup.

– I përmbahem parimit: mos bëj hop – pa e qitur hapin, prandaj nuk mund të them gjë. 

Rilindja, 1958                                                         

R. S. 

(Rafael Sopi)

Shënim: 

E gjeta sot duke kërkuar diçka tjetër! Sa më është dashur kjo fletë gazete të vjetër, sidomos kur më duhej ta bindja vetë autorin për titullin e kryehershëm të librit të tregimeve të tij. 

Një intervistë përnjëmend e shkurtër që shpalos një botë të madhe e fort interesante pikëpamjesh serioze e të pjekura për fenomene të thellë të letërsisë e artit. 

I vura veç këtë titull që i mungonte!

Publikoi: Shaip Beqiri

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *