93 vjet më parë, afër shtëpisë së tij në Zagreb, atentatorët serbë vranë filologun dhe dijetarin kroat Milan Shuflaj, i cili nga Mbretëria Shqiptare mori përsipër të shkruante historinë e Shqipërisë.
Në fund të vitit 1930, Milan Shuflaj u ftua të vizitojë Shqipërinë. Akademia e Vjenës i kishte propozuar të vazhdonte botimin e tretë të “Acta Albaniae”. Dijetari kroat u prit solemnisht nga mbreti Zog dhe kryeministri shqiptar, Pandeli Evangjeli. Në janar të vitit 1931, Shuflaj para deputetëve në Parlamentin shqiptar, shpalosi projektin e “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia“ dhe të “Historia e Shqipërisë”. Parlamenti shqiptar urdhëroi Qeverinë që në llogari të Shuflajt të derdhte shumën prej 75 mijë franga ari, që sot është e barabartë me rreth 4 milionë dollarë amerikan. Shuma ishte e madhe për Shqipërinë e varfër.
Historia e Shqipërisë nuk u shkrua. Një muaj më vonë, më saktë më 19 shkurt të vitit 1931, organizata terroriste Mlada Jugosllavia kreu atentat kundër Shuflajt. Atentati ndodhi derisa Shuflaj kthehej në shtëpinë e tij në Zagreb. Atentatorëve pak ditë para aktit, u kishte mbajtur leksion politik mbreti serb, Aleksandar Karagjorgjeviq. Atentatorët në fillim i dërguan Shuflajt letër kërcënuese, pastaj e vranë. Shefi i atentatorëve, Branko Zverger nëntë vjet pas atentatit përfundoi në çmendi. Shuflaj i emocionuar, projektin shqiptar e kishte biseduar me studiuesit serbë. U dekonspirua dhe i kushtoi me jetë. Një histori afirmative për shqiptarët dhe Shqipërinë, ishte kërcënim për serbët dhe Serbinë.
Paradokseve shqiptare nuk u dukej fundi. Katër vjet më vonë, botuesi amerikan Robert McBride në Nju Jork, i propozoi diplomatit shqiptar, Faik Konica të shkruante historinë e Shqipërisë. As Konica nuk e mbaroi. Pa provuar paragjykime, historia e Konicës do të ishte më e arrirë se e kroatit Shuflaj. Konica kishte dije të jashtëzakonshme jo vetëm për Shqipërinë dhe Gadishullin e Madh. Projekti nuk iu dha, pse mbreti Zog kishte smirë ndaj tij. Trembëdhjetë vjet Konica ishte ambasador fuqiplotë i Mbretërisë Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por marrëdhënie normale me mbretin Zog nuk pati kurrë. Projekti për historinë e Shqipërisë doli të jetë ters. Shuflaj u vra pse nisi të shkruante historinë e Shqipërisë dhe Konica nuk e përfundoi pse bënte jetë mondane dhe ndjehej i harruar.
Serbia më shumë se të ngulfatur, Shqipërinë e donte të vdekur përballë Evropës. Atentati ndaj Shuflajt e faktoi këtë. Kur serbët bën atentat në dijetarin kroat, që Shqipëria të mos kapërcente jashtë Gadishullit, për habinë e të gjithëve bënin të kundërtën për veten. I ashtuquajturi krah zenitist kërkonte “ballkanizimin e Evropës”. Ky krah, anarkist në formë e përmbajtje, përfaqësonte misticizmin e çuditshëm midis pansllavizmit dhe dekadentizmit rus dy shekuj më parë.