Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, ka deklaruar se vendimi për të kandiduar për presidente nuk lidhej me ambicie personale, por me nevojën për të nxjerrë vendin nga kriza politike.

Në një konferencë për media, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, ajo theksoi se kandidimi i saj ishte një përpjekje e sinqertë për të stabilizuar institucionet dhe për të çuar përpara Kosovën.

“Ky nuk ka qenë një hap për pushtet apo për karrige, por një kontribut si person jopartiak për të ndihmuar vendin të dalë nga ngërçi politik”, u shpreh Rushiti.

Ajo mohoi të ketë qenë pjesë e kalkulimeve politike, duke theksuar se vendimi erdhi pasi u konsumuan të gjitha mundësitë dhe pas kërkesave të qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Rushiti shtoi se e kishte parë veten si një figurë unifikuese dhe kishte besuar se mund të siguronte mbështetjen e nevojshme për zgjidhjen e situatës në Kuvend.

Në përfundim, ajo bëri të ditur se do të vazhdojë angazhimin e saj në organizatën që drejton, duke mbetur e përkushtuar ndaj kauzës së të mbijetuarve të torturës.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *