Nga Hasan Bello
Në fund të dhjetorit 1924, të trembur nga mësymja e forcave zogiste, Fan Noli, pjesa dërrmuese e qeverisë dhe e përkrahësve të tij u larguan drejt Durrësit. Në qytetin bregdetar, Noli u vendos në hotel “Adriatiku”, ku ishin mbledhur të gjithë funksionarët e ikur, me në krye regjentin Sotir Peci. Sipas kujtimeve të Andon Frashërit, burra shteti, oficerë, nëpunës të lartë dhe admironjës ishin radhitur në tryeza; disa bisedonin, të tjerë pyesnin për fatin e njërit apo të tjetrit, shumica dëgjonin në heshtje e pikëllim.
Ai përshkruan dhe një episod sa tragjik aq dhe komik, i cili tregon për gjendjen psikologjike të tyre. Në një moment kishte mbërritur ministri i Luftës, Kasem Qafëzezi, i cili i krekosur dhe me nofullat shtrënguar kishte thërritur: “Mos u dëshpëroni, burra. Lufta nuk është humbur. Ushtria kombëtare është intakte. Do të vazhdojmë luftën në anën tjetër të Shkumbinit.”
Të gjithë hapën sytë. Noli nënqeshi. E pa ministrin e tij të Luftës dhe pa të keq, me buzën në gaz, i thotë: “Kasem bej, Kasem bej! Më dukesh si Luigji i XVI përpara se t’i prisnin kokën.” Të gjithë ia plasën të qeshurës…