Teknologjia po shndërron blegtorinë, por jo mjaftueshëm shpejt, shkruan The Economist.
Një lopë mesatare në Amerikë prodhon rreth 30 litra qumësht në ditë. Një lopë në Afrikë prodhon vetëm 1.6 litra. Ky ndryshim prej 19 herë më pak litra qumësht ka pasoja të mëdha. Ngushtimi i hendekut do të zbuste varfërinë, do t’i ndihmonte fëmijët të ushqeheshin më mirë, do të ulte emetimet e gazrave serrë dhe ndoshta edhe do të ulte gjasat për shpërthimin e ndonjë lufte civile.
Lajmi i mirë është se lopët mund të bëhen më produktive, falë teknologjive të vjetra dhe të reja. Por traditat e padobishme dhe ndryshimi i klimës e bëjnë këtë më të vështirë. Në shtetet e pasura, lopët si burim ushqimi nuk janë të pëlqyera. Banorët e këtyre vendeve janë më të vetëdijshëm për shëndetin, prandaj po shmangin mishin e kuq dhe po zëvendësojnë qumështin me versione bimore.
Nga ana tjetër, njerëzit që janë të ndërgjegjshëm për mjedisin, përmendin vazhdimisht faktin se bagëtitë janë përgjegjëse për 7% të emetimeve të gazrave serrë të shkaktuara nga njeriu, shumë më tepër se çdo lloj tjetër bagëtie. Dhe të tjerë të dhënë pas teknologjisë kanë parashikuar që nga koha kur u krijua për herë të parë mishi i viçit në laborator në vitin 2013, se mishi i kultivuar pa shfrytëzimin e kafshëve, do të zëvendësojë mishin e marrë nga kafshët e therura, pasi të jetë bërë mjaftueshëm i lirë dhe i shijshëm.
Ndoshta ajo ditë do të vijë. Por tani për tani, lopët po bëhen më të rëndësishme, jo më pak (shih grafikun 1). Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) parashikon se konsumi global i mishit të viçit do të rritet me 11% deri në vitin 2033 dhe konsumi i qumështit do të rritet me 17%, pasi popullsia njerëzore po rritet dhe më shumë njerëz do të konsumojnë proteina shtazore. Fermerët do të gjenden përballë dy vështirësive.
Së pari, duhet të plotësojnë kërkesën në rritje për bagëti, edhe pse moti më i nxehtë dhe më i paparashikueshëm e bën këtë më të vështirë. Dhe së dyti, ata duhet të ndalojnë që lopët të lëshojnë kaq shumë metan që dëmton planetin. Në çështjen e parë ka pasur përparime mbresëlënëse, edhe pse jo të njëtrajtshme në botë (shih grafikun 2). Në Indi, ku ndodhet numri më i madh i bagëtive në botë, mbarështimi përzgjedhës dhe blegtoria më e mirë rritën rendimentin e qumështit për lopë nga 3,8 litra në ditë në vitin 2013, në 5,3 në vitin 2022. Por rritja në nivel global ishte më modeste: nga 6,4 në 7,4 litra.
Gjedhët në vendet e varfra mbeten shumë mbrapa atyre në vendet e pasura, që do të thotë se “mundësia për përmirësim është e madhe”, thotë Dominik Wisser nga organizata FAO. Fatkeqësisht, emetimet e bagëtive po vazhdojnë të rriten. Fermerët nuk kanë shumë arsye për t’i ulur ato. Qeveritë nuk duan të vendosin rregulla që mund të rrisin çmimet e ushqimeve, konsumatorët nuk duan të konsumojnë aditivë ushqimorë që frenojnë metanin si Bovaer dhe emetimet e lopëve janë më të vështira për t’u gjurmuar se sa për shembull, emetimet e termocentraleve, sepse ka rreth 1.5 miliardë lopë nëpër botë dhe pronarët e tyre janë shpesh nomadë.
Sidoqoftë, rritja e produktivitetit të lopëve, që është në interes të fermerëve, çon edhe në uljen e emetimeve për një gotë qumësht. Për shembull, një lopë që prodhon dhjetë litra në ditë, lëshon shumë më pak metan se dy lopë që prodhojnë nga pesë litra secila, shpjegon Sonja Leitner nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Blegtorisë (ILRI), në Najrobi. Organizata FAO mori nën vëzhgim 11 mënyra për të ulur emetimet e bagëtive: më e rëndësishmja prej tyre ishte rritja e produktivitetit, shumë më tepër sesa manipulimet e gjeneve apo kontrolli i dietave të lopëve.
Hapat e parë që mund të ndërmerren janë të thjeshtë. Alfred Kering, një pronar i vogël pranë rajonit Eldoret në Kenia, rriti prodhimin ditor të lopëve të tij me nga një deri në tetë litra, thjesht duke ulur numrin e lopëve. Ai mbante sa më shumë bagëti, sepse në krahinën e tij Kalenjin, një njeri gjykohet për nga madhësia e tufës së bagëtive që ka. Problemi ishte se ai nuk kishte tokë të mjaftueshme për t’i ushqyer të dhjeta lopët ashtu si duhet. Një ekspert i bujqësisë i këshilloi që të shiste disa. Tani ai ka vetëm tri lopë, ama ato janë të ushqyera mirë dhe prodhojnë mbi dy herë më shumë qumësht sesa dhjetë lopët e mëparshme.
Alfredi e shet tepricën dhe tani është më pak i varfër. Fëmijët e tij ushqehen më mirë dhe sëmuren më rrallë dhe ai nuk ka më vështirësi të paguajë tarifat e shkollës. Hapi tjetër për të rritur produktivitetin e lopëve është mbarështimi i përzgjedhur dhe ky është një hap më i ndërlikuar. Nuk mundet thjesht të marrësh një lopë amerikane me prodhimtari të lartë, ta dërgosh në Afrikë dhe të presësh që të prodhojë shumë qumësht. Ajo me siguri do të ngordhte nga i nxehti dhe insektet.
Fermerët kanë nevojë për kafshë hibride që prodhojnë shumë qumësht por edhe që durojnë kushtet e mjedisit. Një problem është se pronarët e vegjël si zoti Kering, zakonisht nuk mbajnë të dhëna për linjën e gjakut të lopëve të tyre. Disa thjesht marrin demin e fqinjit kur kanë nevojë që lopët të mbesin shtatzënë. Kjo gjë çon në lindjen e pasardhësve të pashëndetshëm. Të tjerë janë përpjekur të krijojnë kafshë hibride më të mira, por nuk dinë se nga duhet të fillojnë.
Pra, që nga viti 2016, shkencëtarët në Africa Asia Dairy Genetic Gains (AADGG), një projekt i drejtuar nga ILRI dhe i mbështetur nga Fondacioni Gates, kanë mbledhur të dhëna mbi gjenetikën dhe produktivitetin e lopëve në vendet në zhvillim. Ata kanë shkulur qime nga 15,000 lopë në Etiopi, Kenia dhe Tanzani dhe kanë përdorur ADN-në e tyre për të ndërtuar një bazë të dhënash të gjenomave të gjedhit. AADGG-ja punon edhe me një aplikacion celular që i lejon fermerët të mbledhin dhe të përcjellin të dhëna për qumështin e çdo lope, shëndetin, vendndodhjen e kështu me radhë.
Më pas i përdor këto të dhëna për të parashikuar se cilat kombinime gjenetike mund të funksionojnë më mirë në vende të ndryshme. Në fillim ishte e vështirë të bindeshin pronarët e vegjël për të ndarë të dhënat, sepse shumë prej tyre menduan se ato do të përdoreshin për t’i detyruar të paguanin tatimin. Por përfundimisht, duke punuar me një firmë të quajtur iCow, projekti AADGG i mësoi fermerët si të merrnin këshilla në mënyrë dixhitale. Ata që u regjistruan në këtë projekt në Tanzani vunë re se produktiviteti i lopëve të tyre u rrit me 50%.
Njohuritë po përhapen me kalimin e kohës. Daniel Kemboi, një fermer nga Kalenjini, thotë se e gjen spermën e duhur të demit duke e kërkuar në Google. Ai kërkon në një faqe interneti që e lejon të zgjedhë veti të ndryshme të lopëve, nga prodhimi më i lartë i qumështit, deri tek toleranca më e madhe ndaj nxehtësisë. Rendimenti i lopëve të tij është rritur nga 12-15 litra për lopë pesë vjet më parë, në 26 litra. Ai gjithashtu ka ndërtuar një stallë lopësh për të mundësuar hije nga temperaturat e larta, një problem për të cilin ankohen të gjithë fermerët vendas. Ai thotë se tani fiton dhjetë herë më shumë para se kur punonte si shofer kamioni.
Në nivel kombëtar, produktiviteti për lopë në Kenia u rrit nga 1.8 litra në vitin 2013, në 2.3 në vitin 2022. Kjo është më e lartë se mesatarja e Afrikës, por shumë më pak se ajo që është e mundur. Gjithashtu nuk arrin të përmbushë nevojat e vendasve. Rreth 35% e kenianëve janë të kequshqyer. Ata do të përfitonin shumë nga proteina dhe hekuri shtesë, që janë thelbësore për zhvillimin e trurit.
Kjo është e vërtetë edhe për 22% të fëmijëve nën pesë vjeç në botë, të cilët kanë prapambetje në zhvillimin mendor, për shkak të mungesës së ushqimit të mirë. Një studim nga Beliyou Haile dhe Derek Headey në Institutin Ndërkombëtar të Kërkimit të Politikave Ushqimore në Uashington zbuloi se rritja e konsumit të qumështit në një vend, ul nivelin e problemeve zhvillimore te fëmijët. Trysnia për t’u përshtatur është shumë e fortë midis barinjve nomadë.
“Ne lëviznim nga një vend në tjetrin, pas shiut”, kujton Daniel Sinkeet, një bari 59-vjeçar Maasai nga Kenia Jugore. Një thatësirë e madhe në periudhën 2021-23, e bëri atë të kuptonte se mënyra e tij e jetesës nuk ishte e qëndrueshme. Kur kullotat u thanë, ai u përpoq t’i shpëtonte lopët sipas mënyrës tradicionale, duke i zhvendosur ato 200 km larg për të gjetur bar të freskët dhe ujë, duke udhëtuar natën për të shmangur nxehtësinë.
Shumë lopë vdiqën nga etja ose sëmundja. Ai duhej të shiste disa të tjera me çmime të lira, për të blerë ushqim për lopët e mbijetuara. Tufa e tij u tkurr nga 300 krerë në 200. Nëse thatësirat bëhen më të rënda, konfliktet midis barinjve nomadë dhe fermerëve, mund të rriten. Në vite të mira, blegtorët i kullosin lopët në tokë të shkreta derisa fermerët të kenë vjelë të korrat e tyre.
Më pas, me lejen e fermerëve, ata i dërgojnë lopët të hanë kashtë dhe i paguajnë fermerëve para. Por kur nuk ka reshje, barinjtë detyrohen të lëvizin përpara se të fillojë korrja dhe lopët e tyre shpesh shkatërrojnë të korrat e pavjela. Kjo mund të ndezë përleshje, të cilat mund të përshkallëzohen në konflikte etnik.
Një studim nga Eoin McGuirk në Universitetin Tufts dhe Nathan Nunn në Universitetin e Harvardit, zbuloi se thatësira në zonat baritore ishte një shkak kryesor i konflikteve në Afrikë midis viteve 1989 dhe 2018, duke përfshirë luftërat civile. Zoti Sinkeet ka arritur në përfundimin se zgjidhja është të gjejë një vendndodhje fikse. Në vend që t’i lejojë lopët të enden shumë larg, ai tani ia sjell vetë shumicën e ushqimit. Rrit vetë misër, jonxhë dhe bar.
Ai është i trishtuar që nuk mund të endet së bashku me bagëtitë. Por nëse produktiviteti i barinjve rritet dhe ata ndalojnë zhvendosjet, mund të hiqet qafe një nga shkaqet kryesore të luftës në Afrikë. Pronarët e vegjël që mezi po ushqejnë fëmijët nuk e kanë mendjen te ngrohja globale. Por organizata ILRI po i ndihmon disa vende të ulin emetimet e gjedhit.
Në një eksperiment në Najrobi, lopët vendosen në një kuti metalike të quajtur dhomë frymëmarrjeje, me instrumente për të matur sasinë e metanit që gromësijnë. Studiuesit po hulumtojnë nëse ndryshimi i dietës së tyre me bishtajore i bën ato të prodhojnë më shumë qumësht dhe të lëshojnë më pak emetime.
Armiku më i mirë i njeriut
Edhe shtetet e pasura nuk po bëjnë ndonjë përpjekje të madhe për të frenuar emetimet e kafshëve. Një përjashtim është shteti i Kalifornisë. Ai ka synimin që deri në vitin 2020 të ulë emetimet e metanit 40% nën nivelet e vitit 2013 dhe ka hartuar rregulla dhe subvencione për t’i nxitur fermerët të bëjnë pjesën që i takon. Një teknikë është kapja e metanit dhe shitja e tij si lëndë djegëse (gjë që është më pak e dëmshme sesa emetimi në ajër).
“Kjo është thjesht jashtëqitje”, thotë Simon Vander Woude, një fermer qumështi pranë fshatit Merced në Sacramento, duke treguar një kanal të mbushur me një lëng të trashë ngjyrë kafe. Rrjedhat e ujit derdhin në kanal mbetjet nga 3200 lopët e tij. Më pas përdoret një tretës që zbërthen mbetjet biologjike në metan. Biogazi më pas përpunohet dhe shitet.
Përpara vitit 2017, kishte më pak se 20 tretës të tillë në Kaliforni; sot ka të paktën 149. Kompanitë private kanë ofruar që t’i ndërtojnë dhe t’i mirëmbajnë tretësit, nëse përfitojnë subvencione nga shteti. Ka edhe teknika të tjera premtuese. Studimet tregojnë se shtimi i algave të kuqe në ushqimin e bagëtive mund të ulë emetimet e metanit, megjithëse nuk dihet ende sasia.
STgenetics, një firmë në Texas, shet një mjet për t’i ndihmuar fermerët të mbarështojnë lopë që prodhojnë më shumë qumësht. Pablo Ross, shefi i firmës, thotë se “ka ende shumë punë për të bërë” për t’i bindur fermerët se kjo do t’i kursejë paratë, pa sakrifikuar veti të tjera që dëshirojnë tek lopët.
Nëse emetimet e lopëve do të taksoheshin në një mënyrë që reflektonte efektin e tyre të dëmshëm në klimë, fermerët do të kishin një arsye për t’i ulur ato dhe konsumatorët do të pakësonin ushqimet për prodhimin e të cilëve janë lëshuar shumë emetime. Në qershor, qeveria e Danimarkës tha se do të vendoste një taksë për emetimet nga bagëtia. Deri tani, është i vetmi shtet që e ka bërë këtë.
Përshtati në shqip: Monitor.al