Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka ngritur akuza të forta ndaj pjesëmarrësve në protestat kundër investimit në Zvërnec, duke deklaruar se mes tyre ka persona të lidhur me Serbinë.
Në një prononcim për mediat, Balla u shpreh se ka dyshime se një pjesë e protestuesve nuk përfaqësojnë interesat e komunitetit lokal, por veprojnë të nxitur nga interesa të tjera.
“Këta që protestojnë janë serbë dhe të lidhur me Serbinë”, deklaroi Balla.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur protesta kundër projektit në Zvërnec po vazhdon prej disa ditësh, me pjesëmarrjen e banorëve dhe aktivistëve që kundërshtojnë zhvillimin e planifikuar në zonë.
Përfaqësues të protestuesve kanë kundërshtuar akuzat, duke i cilësuar ato si përpjekje për të diskredituar lëvizjen qytetare dhe për të larguar vëmendjen nga shqetësimet që ata kanë ngritur lidhur me mjedisin, trashëgiminë natyrore dhe interesat e komunitetit lokal.
Deklaratat e Ballës kanë shkaktuar reagime në opinionin publik, ndërsa debati mes qeverisë dhe kundërshtarëve të projektit pritet të vijojë edhe në ditët në vazhdim.
