𝑯𝒂𝒎𝒊𝒕 𝑲𝑶𝑲𝑨𝑳𝑨𝑹𝑰 (1943):

“Por ajo që dihet më pak dhe që meriton të vihet në dukje është historija e Kosovës. Kosova nuk ka qënë vetëm djepi i rilindjes shqiptare, por ka qënë sidomos faktori kryesor i ngjarjeve historike që shkaktuan dhe siguruan krijimin e shtetit shqiptar dhe të liris s’onë kombëtare. Kosova ka qënë një fushë lufte e përherëshme ku Shqiptarët kanë derdhur gjakun e tyre shekuj me radhë në një luftë të dyfishtë kundër Turqve dhe kundër Serbo-malazesve. Veçanërisht ngjarjet historike më me rëndësi, ato të periudhës se Lidhjes së Prizrenit (1877-1881) dhe ato të kryengritjes së Kosovës (1909-1912), që patën si pasojë krijimin e shtetit shqiptar, ishin pothuaj kryekëput veprat e Kosovarëve. Vetëm Shqipërija e mbyllur në kufit e 1913-s pati fatin e mirë të gëzoje shpërblimin e therorive që bënë Shqiptarët e Kosovës, të cilët mjerisht, në vënd që të fitonin lirin e merituar, kaluan nga robërija turke në robërin sërbo-malazeze.”

(“𝘒𝘰𝘴𝘰𝘷𝘢 – 𝘥𝘫𝘦𝘱𝘪 𝘪 𝘴𝘩𝘲𝘪𝘱𝘵𝘢𝘳𝘪𝘻𝘮𝘪𝘵”, 𝘔𝘦𝘴𝘢𝘨𝘫𝘦𝘳𝘪𝘵 𝘴𝘩𝘲𝘪𝘱𝘵𝘢𝘳𝘦, 𝘛𝘪𝘳𝘢𝘯𝘦̈, 1943, 𝘧𝘲. 7-8)

P.S.

Shënim i marrë nga Muzeu Kokalari» i datës 28 maj 2014:

“22 dhjetori i vitit 1909 është ditëlindja e Hamit Kokalarit. Hamiti i biri i Reshatit dhe Hanushesë, ishte fëmija i tretë pas vëllezërve më të mëdhenj Muntaz dhe Vesim. 

Shok klase në Liceun Francez në Gjirokastër dhe në Korcë me Enver Hoxhën, për fat që ndodhej aq sëmurë sa s’mund të ngrihej nga shtrati, kur patrulla partizane shkoi ta merrte, ai shpëtoi nga ekzekutimi i paracaktuar i grupit të intelektualëve që pësuan këtë fat (ashtu si vëllezërit e tij më të mëdhenj) natën e 12 nëntorit 1944 në bodrumet e hotelit Bristol.

Në vitin 1934 Hamit Kokalari përfundoi studimet me rezultate shumë të mira në Fakultetin e Drejtësisë në Tuluz të Francës. Pas një periudhe punësimi në diplomaci në Kosovë, Hamiti botoi në vitin 1943 librin “Kosova, djepi i shqiptarizmit”. Janë të shumtë ata që mendojnë se një nga arsyet që Hamiti dhe ndoshta dhe vëllezërit e tij u përfshinë në listën e ekzekutimeve nga komunistët është pikërisht botimi i këtij libri, ku argumentohej autoktonia dhe hershmëria e popullsisë shqiptare në Kosovë që binte ndesh me politikat miqësore dhe ndoshta paktët e fshehta midis PKSH dhe PK te Jugosllavisë.

Sigurisht që “Kosova, djepi i shqiptarizmit” u listua në librat e ndaluar menjëherë pas konsolidimit të pushtetit nga PKSH.”

Përgatiti për publikim Agim Morina

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *