Nga Arbër Zaimi

Një gazetar në London Review of Books kish nxjerrë para do javësh një analizë të gjatë për mafian malazeze.

Tek e lexoja më përngjante shumë me ato që lexojmë për mafian e Shqipërisë, duke nisur nga pretendimi i shkrimit se malazezët kontrollojnë prej vitesh sektorë të narkotrafikut, sidomos atë të kokainës mes vendeve të Amerikës Qendrore e Jugore dhe Europës. Rrugët ishin ato “të zakonshmet”, me importin e frutave ekzotike. Pse frutat, sepse janë mall që duhet të lëvizë shpejt, me volume të mëdha dhe vazhdimisht, konsumohen gjerësisht e nuk mund të rrinë gjatë në kontenierë. Mandej, nevoja për pastrimin e parave krijonte një hotel-ekonomi, një kinse sektor turistik me ndërtesa të shtrenjta e ekskluzive, teksa zhvleftësohej çdo sektor tjetër i ekonomisë, që nga minierat, industria e deri te blegtoria. Banda të lidhura me politikën kontrollojnë hotelet, kazinotë, tenderët, dhe vrasin njëri-tjetrin brenda e jashtë vendit, si në rastin e konfliktit të famshëm mes Kavaçëve e Shkalarëve.

Por kishte edhe vëzhgime që nuk i përngjajnë shumë Shqipërisë.

Autori kishte analizë të mprehtë socio-ekonomike. E lidhte zhvillimin e këtij sektori të kriminalitetit me traditën detare të vendeve si Kroacia e Mali i Zi, por edhe me infrastrukturën që mundëson ajo traditë. Shumica e detarëve të flotës tregtare jugosllave kanë qenë malazezë e kroatë, si trashëgimi direkte e kësaj sot që flasim rreth 6-7000 malazezë punojnë si detarë në kompani të mëdha të transportit detar. Aq shumë malazezë punojnë në detarinë tregtare globale, sa që gjigandin global të transportit detar, Mediterranean Shipping Company, jo rrallë e quajnë me humor Montenegrine Shipping Company. Përveç traditës detare, diku nga vitet 70-80 e sidomos 90 në mënyrë gjithsesi jozyrtare shteti udhëzoi sektorë të shërbimeve inteligjente e të detarisë që të merreshin me kontrabandën e cigareve, gjë që mundësonte valutë të huaj të vlefshme për këstet e kredive të mëdha të marra nga Tito, por edhe më të vlefshme më vonë, kur nisën embargot si pasojë e agresioneve serbomëdha. Pra u krijuan kontaktet e strukturuara në shumë nivele me organizatat kriminale ndërkombëtare, sidomos me ato italiane që gjenden edhe gjeografikisht afër. Mandej luftërat jugosllave të viteve 90 krijuan një kontigjent njerëzish me njohuri ushtarake e të sprovuar me brutalitetin ekstrem. Politika komuniste teksa kalonte né postkomunizëm krijoi përqendrime ilegale pushteti ekonomik, duke krijuar entitete që herë shfaqen si kompani të ligjshme që fitojnë tenderë e privatizime, e herë shfaqen si banda të pamëshirshme vrasësish e huliganësh…

Tash, Shqipëria nuk e ka traditën e detarisë. Edhe ushtria e dikurshme, edhe “populli ushtar” traditën dhe dijet e zhvilluara me stërvitjet e përhershme, e ka të këmbësorisë. Edhe në Shqipëri pati përpjekje që shteti të koordinojë kontrabandë cigaresh në vitet 80, por në vitet 90 kjo nuk rezultoi në ndonjë korporatizim të sektorit, që u vërshua nga faktorë të huaj. Ish-pushteti komunist mund të jetë përpjekur të ndërtojë oligarkët apo bandat e veta edhe në Shqipëri, por biznesmenët e dalë nga “gjiri i PPSH-së” mbetën të vegjël krahasuar me superbiznesmenët shqiptarë që u krijuan pas viteve 2000 me para që origjinën e kanë në qarqet e Beogradit apo Athinës. Edhe kriminaliteti i Shqipërisë, që me siguri është ambicioz dhe dëshiron të ngjisë shkallët e këtij aktiviteti të pandershëm, sa kuptohet nga përgjimet e publikuara, ndoshta me disa përjashtime por duket se është ende i nivelit banal, më shumë si punëkryes se sa si skenarizues i thellë apo ideues operacionesh shumëplanëshe ndërkombëtare. Me thënë të drejtën, s’ta mbushin mendjen si gjeni ata që ndjejnë nevojën të tregojnë se kanë shumë para.

Në një moment gazetari i LRB shkruan se ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviqi, i ka thënë se s’po mundet qeveria ta luftojë siç duhet bandën e Kavaçëve, sepse ata janë projekt shtetëror e sepse kanë më shumë para se shteti. Këto fjalë janë shumë interesante. Së pari, çfarë kuptojmë kur kryeministri thoté se shteti nuk e lufton dot një bandë që lufton shtetin sepse ajo është projekt shtetëror. Kuptojmë thjesht se kemi të bëjmë me shtete të ndryshme. Një pjesë e mirë e krimit të organizuar ballkanik kumbarët që drejtojnë regjinë i kanë rreth Beogradit nëse jo rreth Moskës. Pra projekt shtetëror vërtet, po i cilit shtet. Në radhë të dytë: shtetet e vogla nuk e luftojnë dot mafian e madhe. Mafia e Shqipërisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë është tashmë bashkëpunuese, nëse jo e federalizuar, një farë sindikate. Po të federalizoheshin demokratikisht këto shtete, mbase do të kishin kapacitetet për të luftuar. Do të pyesë dikush: E Serbia? Për momentin Serbia është më e madhe, si në terma demografikë, ushtarakë dhe ekonomikë, ashtu edhe në nivel të organizimit e logjistikës kriminale. Qendra strategjizuese e mafias ballkanike prej dekadash është atje, pavarësisht se organizatat e detarëve dhe këmbësorëve të subkontraktuar mund të jenë diku tjetër. Ndarja e Serbisë prej vendeve që i përdor si tentakula është zgjidhja, sepse nëse tentakulat lejohen të bashkohen me kokën, oktapodi të thotë “falemnderit!”.

Sidoqoftë, në shkrim té LRB-së lihet përshtypja sikur BE dhe Amerika qasjen ndaj vendeve ballkanike e kanë kësisoj – i shtyjnë (mbase dhe me presion për të mos thënë shantazh) politikanët e korruptuar e të lidhur me mafian të kryejnë reforma me rëndësi gjeopolitike e integruese, dhe pasi ata i kryejnë ato detyra, i dënojnë apo së paku përpiqen. Këtë skemë të përjetuar gati se në çdo vend ballkanik, e prish disi Kosova, ku aktualisht është një kryeministër që mund t’i kryejë reformat integruese me dëshirën e vet, por që nuk mund të kërcënohet sepse nuk ka lidhje me krimin. Të qenit i pakërcënueshëm e bën disi të bezdisshëm për ata që janë mësuar të kryejnë punë shpejt e vetëm në atë mënyrë.

By Editor