Nga Arbër Zaimi

Në Adis-Abeba po zgjerohen shëtitoret me nga një korsi për biçikleta, po mbillen pemë e po rregullohen fasadat e ndërtesave. Vizioni i kryeministrit etiopian Abiy Ahmed është që të tërheqë turistë e investues, duke e bërë qytetin ashtu siç e ka dhe kuptimin e emrit “Lule të re”. Ky vizion nënkupton përmirësimin e ndriçimit publik e dekorativ, ngjyrosjen dhe shkëlqimin e fasadave, si dhe ndërtimin e hoteleve e qendrave tregtare me pamje luksoze. Kuptohet, kjo sjell edhe rritjen e migrimit e shpërnguljen e banorëve drejt periferive sepse qendra bëhet shumë e shtrenjtë për ta. Panorama e vjetër qytetare vazhdimisht prishet e rrënohet, sepse nuk përputhet me vizionin e ri turistiko-tregtar të liderit. Teksa presin investimet e huaja dhe turistët me investime në zona qendrore, shumë krahina periferike të Etiopisë ndihen të harruara e të lëna pas dore, gjë që ka ngjallur forca centrifugale, deri edhe rebelime separatiste.

Ndërkohë, Arabia Saudite në dekadën e fundit ka dyfishuar numrin e pularive e të pulave, nën udhëzimet e princit Muhamed bin Selman që kërkon të arrijë pavarësi ushqimore. E vështirë kjo për kushtet natyrore të Arabisë, por jo e paarritshme. Ndonjëri mund të thotë: Ç’i duhet pavarësia ushqimore Arabisë që mund të importojë gjithçka se është e pasur, por princi nuk është as naiv e as budalla. Rritja e sektorit të prodhimit ushqimor është 6% në vit në Arabi. Vendi ende importon rreth 80% të ushqimeve, e pikërisht kjo rrit shqetësimin në këtë kohë tensionesh të rritura e krizash ndërkombëtare, epidemish shtazore e sfidash infrastrukturore.

By Editor