(pjesë nga rrëfimi i Petro Markos në librin ‘Intervistë me vetveten – retë dhe gurët’, 2000)
“Gjenerali i foli gjermanisht togerit Kok dhe ky mori në dorë receptorin e telefonit. Unë e dija përmendsh numrin e telefonit të Koliqit, se më parë kisha shkuar disa herë në zyrat e tij dhe sekretari, njëfarë Shestani, më kishte dhënë shumë pasaporta për malazeztë e për grekët, shokët tanë, ish-të dënuar. (Koliqi më kishte pritur përzemërsisht dhe më kishte uruar që të shpëtoja e të shkruaja vjersha, pasi ai e dinte, që kur e kisha profesor në Ujë të Ftohtë, se bëja vargje). Ia thashë numrin togerit, i cili e mori menjëherë. Unë u shqetësova, se Koliqi, duke dëgjuar zërin e Gestapos, ndoshta do t’u thoshte se cili isha unë: luftëtar në Spanjë e të tjera.
Togeri Kok, që ishte tmerri i Romës (këtë e mora vesh më vonë), pas pak nisi bisedën:
– Na falni për shqetësimin, kemi këtu një… që pretendon se ju njeh.
– …. (Fliste Koliqi.)
– Quhet Petro Marko…
– … (Fliste Koliqi.)
M’u drejtua mua:
– Ku e keni njohur dhe çfarë ka botuar Koliqi? – Unë i flisja dhe ai përsëriste në telefon: – Në Vlorë, e kishit nxënës, keni botuar “Hija e maleve”, “Gjurmët e stinëve”… Ju ka kushtuar dhe një vjershë në “Leka”…
– … (Fliste Koliqi.)
– Ju falemi nderit shumë e na falni për shqetësimin në këtë orë! – tha togeri Kok… Pastaj foli me gjeneralin, gjermanisht.
Ai bëri tri shenja. Më vështroi në sy dhe tha shkurt:
– Falëndero Gëten dhe Shilerin.
Më morën dhe që andej më shpunë në burgun e madh “Rexhina Çeli”, në një birucë me tetë të tjerë. Aty ishte dhe një jugosllav e një grek.
Pas ca ditësh erdhi në burg për takim sekretari i Koliqit. Më tha të rrija i qetë, se do të kujdesej Koliqi. E vërteta është që Koliqi më shpëtoi jetën, se atje ku më shpunë mua: Pensione Xhakarini, rruga “Sicilia”, 10, ishte qendër e Gestapos dhe që aty asnjë nuk kishte dalë i gjallë. Edhe nëse kishte dalë i gjallë ndonjë, kishte dalë invalid përjetë. Këto i mësova në birucë, nga shokët me të cilët flisja, që u thashë se ç’më kishte ndodhur.
Aty mësova se Pensione Xhakarini ditën përdorej si klub i klasit të parë, ku shkonin familje aristokrate dhe pinin ose kërcenin, kurse pas orës 22 kthehej në zyra të Gestapos si në Via Taso. Aty mësova se togeri Kok ishte tmerri i antifashistëve dhe i patriotëve, agjent besnik i Hitlerit, kriminel i regjur. Pra, Koliqi më shpëtoi jetën dhe u interesua për mua duke më dërguar sekretarin e tij.
Përgatiti për publikim Agim Morina