Nga Hasan Bello

Rivendosja e mësimit fetar në shkollat publike pas Luftës së Dytë Botërore ishte një proces i vështirë për komunitetet fetare. Institucionet shtetërore e konsideronin këtë si një kërkesë të panevojshme dhe të papranueshme, pasi regjimi komunist shqiptar, në përputhje me ideologjinë marksiste, synonte zhdukjen graduale të çdo elementi religjioz në jetën publike dhe arsimore.

Megjithatë, për arsye taktike dhe për të shmangur reagime të menjëhershme, udhëheqja e Partisë së Punës së Shqipërisë vendosi që ky proces të zhvillohej në mënyrë të ngadaltë dhe të kujdesshme. Në fillim të vitit 1945, qeveria shqiptare lëshoi një urdhër që lejonte mësimin e fesë në shkollat shtetërore me një orë mësimi në javë. Lënda ishte fakultative dhe mësuesit e saj duhej të kishin njohuri të mjaftueshme mbi bazat e besimit, të miratoheshin fillimisht nga komunitetet fetare dhe më pas të merrnin pëlqimin e seksioneve arsimore.

Në maj të vitit 1945, Ministria e Arsimit dha udhëzime për përdorimin e teksteve të posaçme për lëndën e fesë. Por brenda pak muajsh, qeveria ndërmori hapa të qartë për ta kufizuar më tej këtë lëndë. Me miratimin e një vendimi që sanksiononte se të gjitha shkollat ishin shtetërore dhe me karakter laik, mësimi i fesë humbi gradualisht rëndësinë dhe vendin e vet në sistemin arsimor.

Për më tepër, mungesa e ambienteve të përshtatshme për zhvillimin e kësaj lënde, pengesat e qëllimshme nga drejtuesit e seksioneve arsimore dhe presioni i propagandës komuniste nëpër shkolla e bënë edhe më të vështirë zbatimin e saj. Drejtues shkollash dhe mësues me bindje komuniste shpesh nxisnin nxënësit të braktisnin orët e fesë.

Më 16 mars 1946, u shpall Kushtetuta e re, e cila e sanksiononte qartë karakterin laik të shkollës shqiptare. Sipas saj, mësimi i doktrinës fetare nuk përputhej me parimet shkencore dhe misionin edukues të shkollës. Në shtypin e kohës u intensifikua propaganda kundër fesë dhe klerit, të cilët akuzoheshin se mbillnin injorancë dhe përçarje në popull.

Kjo fushatë u shoqërua me masa konkrete. Më 23 mars 1946, Ministria e Arsimit lëshoi një urdhër zyrtar për të gjitha zyrat arsimore në qarqe, duke ndaluar përfundimisht mësimin e fesë në shkollat publike. Në praktikë, ky vendim veçse ishte zbatuar në pjesën më të madhe të shkollave, duke e bërë ndalimin një fakt të kryer.

By Editor