Një nga projektuesit e avionëve më të përparuar në botë po vuan një dënim të rëndë. Ai është dënuar me 32 vjet burg – një dënim që, me shumë gjasë, do ta vuajë deri në fund të jetës.

Noshir Gowadia, inxhinier me origjinë nga India, ka qenë ndër zhvilluesit kryesorë të sistemit motorik dhe teknologjisë stealth për bombarduesin amerikan B-2 Spirit. Në vitin 2011, ai u shpall fajtor për 14 akuza federale, mes të cilave edhe spiunazh dhe bashkëpunim në komplot.

Dyshohet se Kina i ka paguar deri në 2 milionë dollarë për informacionet që ai i dorëzoi.

Këto të dhëna ndihmuan ushtrinë kineze të zhvillonte teknologji të avancuara ushtarake, si sistemet e shkarkimit të padukshëm për raketat stealth, si dhe përparime të rëndësishme në programin e saj të bombarduesve të padukshëm ndaj radarëve.

Në moshën 66-vjeçare, Gowadia u dënua me 32 vite burg, çka do ta mbajë pas hekurave deri më 2043 – kur ai do të jetë 98 vjeç. Praktikisht, një dënim i përjetshëm.

Ai u shpall fajtor për shpërndarjen e sekreteve ushtarake të klasifikuara një shteti të huaj – Kinës – që SHBA-të e konsiderojnë si rivale strategjike. Ndër të tjera, ai ka dorëzuar prezantime, skema dhe këshilla teknike, të cilat ndihmuan në forcimin ushtarak të një shteti rival.

Paratë e marra për këto informacione i përdori për të shlyer borxhe, për të udhëtuar dhe për të blerë një shtëpi në Hawaii.

Veprimet e tij u konsideruan tradhti e lartë, pasi ai shiti teknologji që mund të përdorej kundër vendit të vet.

Si pasojë e këtij akti, Kina përfitoi përparime të ndjeshme në teknologjinë ushtarake, duke shkurtuar dekada zhvillimi.

Përgatiti: Sokol Neçaj

By Editor