Nga Lutfi Dervishi
Nga “stop rrënimit” te ultimatumi i radhës
Që përpara se të merrte detyrën si Kryeministër në vitin 2013 (kohë kur përdorej iPhone 4), Edi Rama paralajmëroi aksionin kundër uzurpimit të hapësirave publike dhe ndërtimeve pa leje. Ai ngriti platformën “stoprrënimit”, ku u bënte thirrje qytetarëve të denonconin me foto çdo ndërtim abuziv. Kryeministri e quajti atëherë fenomenin e ndërtimeve pa leje “një kancer agresiv” dhe premtoi një “operacion të gjerë e të thellë”, me Policinë e Shtetit në krye, që s’do ndalej “deri në vendosjen e sundimit të ligjit mbi territorin”.
Faqja e internetit “stoprrenimit” u përmbyt nga denoncimet.
Në shtator 2013, sapo mori pushtetin, policia nisi aksione kundër ndërtimeve pa leje. Brenda dy javësh u inventarizuan mbi 4 mijë objekte të paligjshme dhe dhjetëra përgjegjës u proceduan penalisht.
Megjithatë, koha tregoi se “kanceri” i abuzimit me territorin nuk u trajtua kurrë siç trajtohet tumori. Pas aksioneve me bujë, fenomeni i ndërtimeve pa leje dhe zaptimit të trotuareve e çdo hapësire publike vijoi të përsëritej, si serialet e Netflix – çdo vit një sezon i ri.
Çdo verë, në plazhe, qeveria paralajmëron dhe policia ndërhyn me aksione duke hequr çadra e shezlongë të vendosura pa leje. Por gjithçka zgjat pak dhe zaptimet rikthehen shpejt.
Në qytete, veçanërisht në kryeqytet, është kthyer në rutinë skena ku biznese të vogla e ndërtues të mëdhenj vendosin barriera dhe ndërtime provizore aty ku nuk u takon: nga trotuaret, te hyrjet, e deri në tarracat e pallateve.
Një pjesë e ndërtuesve, pasi shesin apartamentet, vijojnë të kontrollojnë hapësirat përreth sikur t’i kenë prona të lëna nga baba. Kryeministri e ka cilësuar këtë praktikë si “abuzive dhe skandaloze”.
Sot, në ditëlindjen e tij, Rama paralajmëroi publikisht bar-kafenetë dhe çdo subjekt që ka zënë hapësirë publike “të çmontojnë vetë” konstruksionet pa leje, ndryshe do të përballen me “forcën e ligjit”.
Ai veçoi sidomos ata që kanë bllokuar hapësirat mes pallateve me trarë dhe gardhe. Sipas zotimit të sotëm, në dy javët e para të këtij muaji do të bëhet inventarizimi i çdo zaptimi urban, ndërsa në dy javët në vijim do të nisë një aksion masiv për lirimin e tyre, “njëherë e mirë”.
Melodia është e njohur: zero tolerancë, ligji mbi të gjitha, “shtëpinë e përbashkët do ta ngremë në hava”, thotë kryeministri.
Por ata që ende i kanë sytë në ballë dhe tru (e jo byk) në kokë për të kujtuar, e kanë dëgjuar këtë muzikë edhe më parë.
Faktet flasin ndryshe. Në vitin 2022, vetë qeveria shpalli “fushatë agresive” kundër shtesave pa leje në kulla. Një prej kullave në sheshin “Skënderbeu” ndërtoi pesë kate pa leje, dhe u zotua se do të konfiskoheshin për strehim social e ndërtuesit do ta paguanin shtrenjtë.
Por ky ultimatum u tret një vit më pas, duke u falur pothuajse të gjitha mëkatet ndërtuesve. Ata paguan me çmime simbolike dhe askush nuk u ndëshkua realisht. Ky rast tregon se “forca e ligjit” përkulet kur përballë janë interesat e atyre që kanë pushtet ose para.
Edhe me ligjin e duhanit, një tjetër kauzë ku është trumpetuar “luftë pa kompromis”, faktet flasin ndryshe. Zbatimi i këtij ligji është zbehur deri në tallje: vetëm 71 gjoba ndaj bareve në gjithë vitin 2024 – një numër qesharak krahasuar me mijëra lokale ku pihet lirshëm duhan.
Shteti është kthyer në spektator të shkeljes së ligjit.
Në këtë panoramë, thirrjet e kryeministrit për të “çmontuar vetë zaptimet” urbane tingëllojnë të drejta, por ironikisht të vonuara.
Të drejta, sepse hapësirat publike u përkasin të gjithëve dhe abuzuesit duhet të ndëshkohen. Por thirrjet janë të vonuara dhe disi hipokrite, sepse pikërisht nën qeverisjen e tij uzurpimi i trotuareve, lulishteve e oborreve u bë normë e përditshme.
Nëse do të kishte sado pak vullnet politik, hapësirat e përbashkëta nuk do të kishin arritur në këtë derexhe.
Sa do të zgjasë këtë herë zelli për të liruar hapësirat publike nga kthetrat e privatëve? Thonë se me gushtin ikën dhe vapa.
Thonë edhe që Elbasani po digjet…
Por nëse ka një mësim nga këto 10 vitet e fundit, është fakti që entuziazmi i aksioneve të tilla zbehet shpejt, ndërsa “kanceri i territorit” kthehet si baticë e zbaticë: largohet për pak, sa për “respekt”, pastaj rikthehet më i fortë.
Rusët e përshkruajnë më bukur me shprehjen:
“Me urdhër të peshkut, çdo gjë mund të ndodhë.”