Nga Abdulla Diku
Në këtë tokë të zezë, dikur kishte prehje. Kishte qetësi. Kishte kujtime. Kishte emra të gdhendur mbi gurë që kujtonin jetën, dashurinë, dhimbjen, njerëzit tanë që s’jetojnë më.
Sot, gjithçka është kthyer në hi.
Zjarri që përpiu gjithçka përreth ka hyrë edhe aty ku njeriu duhet të ndalet, të ulë kokën, të ndiejë respekt dhe, mbi të gjitha, edhe turp: në varreza.
Kush i vë zjarrin një varri? Kush e shkel me kaq lehtësi të shenjtën? Përse kaq të dhunshëm edhe me të vdekurit?
Dhe më e rëndë akoma – si është e mundur që ky vend, kjo shoqëri, ky shtet, nuk arrin dot t’i ndalë këta njerëz? T’i gjejë, t’i ndëshkojë, t’u thotë me zë të prerë: “Jo më!”
Edhe armiqtë më të përbetuar nuk ia kanë bërë këtë njëri-tjetrit. Sepse në çdo epokë, vend, shtet, fe, besim e traditë njerëzore, varret janë konsideruar dhe vazhdojnë të jenë të shenjta edhe sot.
Por jo tek ne! Jo në Elbasan, Vlorë e gjetkë!
Nuk është vetëm një krim ndaj mjedisit. Është një dhunim i kujtesës sonë kolektive. Është fshirje e historive që ndoshta nuk i kemi thënë kurrë me zë, por i kemi ndjerë në heshtje – kur kemi çuar lule mbi një varr, apo kemi qëndruar në këmbë, duke shpresuar që prehja e tyre të jetë më e lehtë se jeta që lanë pas.
Por sot nuk ka më prehje. Sot është dhunuar edhe paqja.
Dhe ne pyesim: Ku është drejtësia? Ku janë ata që duhet të mbrojnë?
A është kjo tokë, në fund të fundit, vend ku nderohet jeta dhe kujtohet e kaluara – apo thjesht një shesh ku digjet gjithçka: edhe e kaluara, edhe e ardhmja?
Dikush duhet të përgjigjet. Sepse heshtja dhe mosveprimi i shtetit është po aq i frikshëm sa flaka që përpiu këto varre.
Një komb që përdhunon të vdekurit, nuk ka si të kujdeset për të gjallët.
E di që të vdekurit nuk kanë gojë të ankohen, apo mënyrë fizike për të protestuar. Por problemi më i madh është me të gjallët, të cilët janë shndërruar në kufoma zombi që enden rrugëve pa busull njerëzore.
Në fakt, s’ka asgjë për t’u çuditur! Teksa tymi toksik i mbetjeve ende ‘shëtit’ mushkëritë e elbasanllinjve, ndot tokën, ajrin dhe ujin më keq se lëndët helmuese luftarake të Luftës së Ftohtë, tashmë kapaku i kësaj historie tragjike vihet me djegien e varreve.
Dhunimi i varreve është i ndëshkueshëm ligjërisht, por kur kjo dhe plot gjëra të tjera të ngjashme bëhen rutinë, s’ka ligj që i mbron më. Sepse e keqja dominon dhunshëm të mirën publike dhe normalen.
Duke parë varret e djegura në Elbasan, mund të themi për to:
Pa paqe në jetë, pa prehje në vdekje.
Made in Albania!