Nga Astrit Cani

Vetëm ne e përçmojmë malin që asht bastioni i identitetit tonë kombtar. Për atë vijnë njerz prej anës e anës së mbarë botës, dhe ne e përçmojmë. Kjo urrejtje asht mbjellë në komunizëm, dhe nuk mund të shkulet, ngase vijon e plazmueme edhe në gjuhë. Kaq shum ka ngjitë në gjuhë, sa kosovarët e rij, në pamundësi me folë gjuhë zyrtare të Tiranës, e kanë ma të natyrshme me u shprehë n’anglisht, çka te ne interpretohet si tradhti kombtare, për sa kohë gjuha zyrtare quhet si vepër uniteti kombtar. Edhe në rastin e Thethit u vu re racizimi shqiptaro-shqiptar.

Tirana asht vendi me ndërtimet ma brutaliste n’Europë, por askush nuk i quen pa leje, ngase janë investime direkte të pushtetit. Teksa nji privat që investon në tokë të vet, në perlën e alpeve shqiptare, u dashka me u ndi në kundravajtje, ngase shteti nuk ka marrë llokmën e nevojshme për me dhanë leje, ose nuk asht ngi me at llokmë. Demokracia presupozon nji sistem ku hanë të gjithë. Ajo ndëshkon, kur shkelja prish ekuilibrin e përbashkët, dhe prek interesat e të gjithë komunitetit. Ata që e prishin imazhin e shtetit, i cili, nuk ka asgja prej republike, dhe gjithnji e ma shum i ngjan nji pornokracie, nuk janë vendalitë që shkrepin ndoj pushkaliçe, por janë përfaqësuesit e pushtetit (personal), të veshun me petkat e shtetit (impersonal), që shkojnë e bajnë show të turpshëm në mesin e sezonit. Ishte po ky pushtet, i cili, u hapi krahun, kur kje fjala për kultivimin e bimëve narkotike të cilat ma në fund i liberalizoi, dhe asht po ky shtet që të vendos gjoba vdekjepruse për nji shpi drunit, apo se pjek raki.

Dhe te ky sens përdhunues i shtetit, vemë re shkollën e vjetër staliniste, të cilës i përket si Rama – stalinisti parizien, ashtu edhe Berisha – stalinisti tiranas. Të mësuem me nji regjim të tillë, shqiptarët janë të vetmit që nuk kërkojnë asgja prej shtetit: vetëm mos tu bjerë në qafë. Ky establishment që e ndan humbjen dhe fitoren jo me qytetarët, por me kriminelat ose ndihmëskriminelat, nuk ka tagër as me kërkue votë, jo ma me kërkue ndoj gja ma tepër.

Avantazhet e pabesisë, janë minimale, dhe kthehen mejherë në disavantazh, sapo njeriu çohet prej gjumit. Psikopatia e Ramës, që iu ndërhyn njerzve te buka e gojës, kur për vedi menaxhon miliarda si pjestar lolo i klubeve ekzkluzive të kapitalit, të kujton mirëfilli psikopatinë e agjenturave të dikushme, që i suleshin fshatarëve kur shihnin se pulat e tyne banin shum voe. Nji sistem i bazuem mbi mohimin e çdo gjaje, për të cilin edhe b… e pulës, nuk mund të ishte private, por duhej kolektivizue edhe ajo.

Dhe kjo shpjegon edhe sesi legenoset para atyne që kanë ma shum pushtet se ai. Dhe kshtu, i mallkuem prej muzave, mbetet i rrethuem vetëm nga Tallja, të cilën e ushtron dhe e cila e ushtron. Si personazhet e Gogolit dhe Trebeshinës, si ndrikulla e fundit që mbetet prej byrosë gjoja politike, si ai Asmut Rrakatakja që fërkon duert sa herë i del ndoj i vdekun i ri, për koleksionin e tij të skeleteve, që skërmiten në vetrinën e tij mendore, ku asht e afishueme nën peshtaf, kontrata me të cilën ai ka shitë vedin, dhe kujton se mund të shesë edhe ne.

By Editor