Nga Abdulla Diku
Dikur, pylli ishte pjesë e jetës së përditshme. Banorët e fshatit ngriheshin herët për të mbledhur dru për dimër, për të vendosur bletët në skaj të lisave, për të kullotur bagëtinë, apo për të ndjekur shtigjet që i njihnin më mirë se rrugën për në shtëpi. Pylli nuk ishte thjesht natyrë — ishte trashëgimi, burim jete, mburojë e heshtur.
Sot, kur tymi ngrihet nga kreshtat e maleve, pak sy e shikojnë me shqetësim. Zjarret shpërthejnë më shpesh, zgjasin më gjatë dhe djegin më thellë — jo vetëm trungjet dhe degët, por edhe lidhjen mes njeriut dhe natyrës.
Nga kujdestarë në spektatorë
Dikur, banorët e ruanin pyllin me fanatizëm. Sot, ata rrallë ndërhyjnë.
Jo nga dembelizmi.
Jo nga neglizhenca.
Por nga ndjesia e braktisjes dhe padrejtësisë që ndjejnë çdo ditë.
Uji i lumit që dikur kalonte nëpër arat dhe tokat e tyre, sot kalon nëpër tuba çeliku drejt ndonjë HEC-i. Toka që u punua brez pas brezi është lënë djerrë, sepse pa ujë nuk prodhon asgjë. Prerja e drurëve dhe kontrolli mbi pyllin nuk janë më në dorën e tyre.
Dikur, kullotat ushqenin blegtorinë. Sot, as blegtoria nuk gjendet më, sepse panelet diellore, braktisja e fshatit dhe mungesa e mbështetjes kanë bërë që njerëzit të tërhiqen. Pylli që ishte “i tyre” tani është “i dikujt tjetër” — dikujt që s’ka asnjë lidhje me fshatin.
Ndërkohë, institucionet flasin për strategji, plane emergjente dhe investime, por komunitetet nuk janë të pyetura, nuk janë pjesëmarrëse, përfitues — as që bëhet fjalë. Dhe kur nuk je pjesë e diçkaje, e ke vështirë ta mbrosh me zemër.
Zjarri si protestë e heshtur
Në raste ekstreme, disa individë i vënë vetë flakën pyllit. Jo gjithmonë nga ligësia. Ndonjëherë, si një akt i dëshpëruar proteste — një mënyrë për të thënë: “Unë ekzistoj”, në një sistem ku askush nuk dëgjon.
Ky cikël është i rrezikshëm: sa më shumë përjashtohet komuniteti, aq më shumë dëmtohet pylli. Dhe sa më shumë dëmtohet pylli, aq më shumë zbehet vetë komuniteti — jo vetëm ekonomikisht, por edhe në identitet.
Uji, për HEC-e. Pylli, për kompani shfrytëzuese dhe “strategjikët” e turizmit. Tokat, të shpallura zona të mbrojtura, por nga ku komuniteti nuk përfiton. Kullotat, për panele diellore. Mineralet, për privatët.
Po komuniteti?
Çfarë i mbetet atij?
Asgjë.
Kështu, nga një aleat i pazëvendësueshëm në mbrojtjen e burimeve natyrore, komuniteti është shndërruar në spektator — në rastin më të mirë — ose në armik të pyllit, shtetit dhe vetes.
Zgjidhja: jo vetëm teknike, por njerëzore
Problemi i zjarreve nuk është vetëm mungesa e mjeteve apo e zjarrfikësve. Është mungesë lidhjeje, mungesë përkatësie.
Për të mbrojtur pyllin, duhet të rindërtojmë besimin. Të rikthejmë ndjenjën se pylli është ende i tyre. Të mos u merret uji, toka dhe jeta, pa iu dhënë më parë mundësia, fjala dhe përfitimi.
A keni parë ndonjë thirrje që fton komunitetet të përfshihen në menaxhimin e zjarreve? Keni dëgjuar ndonjë fushatë ndërgjegjësimi për mbrojtjen e pyjeve?
Jo.
Dhe kjo heshtje e shtetit tregon se ai e ka kuptuar që komuniteti nuk është më aleat në këtë betejë për mbijetesën e pyjeve. Dhe kjo është një shenjë e keqe — jo vetëm për sot, por sidomos për të ardhmen.
Pylli digjet kur nuk ka më kujdestarë.
Dhe komuniteti hesht, kur nuk ka më arsye të kujdeset.
Të kuptohemi: kjo është vetëm një nga arsyet madhore pse zjarret përsëriten gjithnjë e më shpesh në vendin tonë. Por nëse nuk reflektojmë sot, nesër do të jetë shumë vonë — për pyllin, për natyrën dhe për ne.