Nga Abdulla Diku

Shqipëria po digjet.

Po digjet nga zjarri, nga neglizhenca, nga heshtja.

Çdo verë, një pjesë e vendit zhduket pa zhurmë. Mijëra hektarë pyje, shpate, kullota dhe pasuri të natyrës bëhen hi nën flakët që nuk bien nga qielli, por nisen nga dora e njeriut.

Nga dora e shqiptarit që nuk e do tokën e vet. Dhe, më keq akoma, kjo plagë përsëritet vit pas viti: pa ndëshkim, pa përgjegjësi, pa ndërgjegje.

Zjarret në pyje nuk janë më fatkeqësi natyrore. Janë pasojë e veprimeve të qëllimshme, e papërgjegjshmërisë së organizuar dhe e mungesës së ndëshkimit. Përfitimi nga toka e zhveshur, spekulimet mbi pronësinë apo thjesht “pastrimi” i kullotave – janë justifikime për një akt që duhet quajtur me emrin e tij të vërtetë: krim mjedisor dhe kombëtar.

T’i vësh zjarr një pylli është njësoj si të vrasësh një pjesë të Shqipërisë.

Të rritesh në këtë vend, ta quash “atdhe” dhe t’i vësh flakën, është tradhti morale.

Por më e tmerrshme është kur ky akt kalon pa zë, pa revoltë, pa ndëshkim – është tradhti kolektive.

Shqipëria nuk është vetëm tokë. Ajo është kujtesë, është rrënjë, është gjak.

Sepse kur digjet një pyll, nuk humbet vetëm oksigjeni.

Njeriu humb lidhjen me tokën.

Fëmija humb vendin ku do të rritet.

Shqipëria humb vetveten.

Shteti? I ngadaltë.

Ligji? I butë dhe, mbi të gjitha, nuk zbatohet.

Shoqëria? E lodhur, e mpirë – sikur jeton në një vend, por mendon për një tjetër.

Shumica prej nesh shohin tym në mal dhe thonë:

“U ndez sërish”

Pa zemërim.

Pa tronditje.

Pa reagim.

Sot presim gjithçka nga Emergjencat Civile apo Shërbimi Zjarrfikës. Por kjo nuk është e drejtë.

Duhet përfshirje dhe reagim qytetar.

Kur rinia nuk lëviz, vendi digjet më shpejt!

Më tragjik se flaka në pyll është shuarja e flakës në zemrat e qytetarëve, sidomos të rinisë.

Sot, shumica e të rinjve nuk ndihen të thirrur për të mbrojtur vendin e tyre.

Kultura e kafenesë, rehatia e ekranit, mentaliteti “le të iki që këtu” – kanë zëvendësuar ndjenjën e përkatësisë dhe të përgjegjësisë qytetare.

Duket sikur, edhe nëse Shqipëria do pushtohej nesër, shumë prej tyre nuk do lëviznin, sepse nuk ndihen më pjesë e saj.

Rinia ndoshta nuk është fajtore kryesore, por është mungesa më e madhe në këtë betejë për mbrojtjen e natyrës dhe të identitetit kombëtar.

Një rini e heshtur është një komb i zymtë që po vdes.

Shqipëria ka nevojë për ndihmë!

Zëri i saj tashmë dëgjohet në kërcitjen e trungjeve që digjen.

Në heshtjen e faunës që largohet.

Në retë e zeza që mbulojnë qiellin e pastër.

Çdo dru që digjet është një kujtim i humbur.

Çdo rrënjë që shkrumbohet është një brez që nuk do të njohë më gjelbërimin që njohëm ne.

Çdo metër katror që zhduket është një plagë mbi ndërgjegjen tonë kombëtare.

A do të vazhdojmë të heshtim?

A do ta lëmë Shqipërinë të shndërrohet në një tokë të zbrazët, pa kujtesë, pa frymë, pa të ardhme?

Shqipëria ka nevojë për mbrojtës, jo për vëzhgues.

Ka nevojë për qytetarë që nuk kalojnë përbri një zjarri sikur ai të ishte diçka e zakonshme.

Ka nevojë për njerëz që reagojnë, flasin, veprojnë.

Ka nevojë për një rinjohje të dashurisë për vendin, që nuk shprehet me flamuj në profile sociale, por me veprim real në terren.

Është vonë për justifikime, por jo për ndërgjegjësim.

Nëse vërtet duam ta shpëtojmë këtë vend, duhet të mbrojmë çdo pëllëmbë pylli siç mbrojmë familjen, shtëpinë dhe pronën tonë.

Dhe disa fjalë për rininë:

Lëvizni!

Sepse nëse nuk e mbroni këtë vend sot, nesër ai nuk do jetë më i juaji.

Nëse nuk lëviz tani, kur do ta duash Shqipërinë?

Kur ta djegin të gjithën?

Kur të ikin të gjithë?

Kur të mos mbetet më asgjë për të dashur?

Mos prit që Shqipëria të jetë perfekte për ta mbrojtur.

Ajo duhet dashur edhe kështu siç është – e lodhur, e goditur, por e jotja.

Kush e do këtë vend, nuk mjaftohet me flamurin në profil.

Ai e mbron tokën, malin, pyllin, sepse atdheu nuk është vetëm një koncept – është gjithçka që nuk duhet të digjet.

By Editor