Nga Abdulla Diku

E dimë që Shqipëria është një vend i vogël, një grusht tokë që për shekuj është mbrojtur me gjak, por që sot po digjet nga vetë shqiptarët e saj. Ne e mbajmë veten për “patriotë” dhe nuk lëmë rast pa folur për territore të humbura e për fqinj që na kanë marrë tokën, por të vërtetën e hidhur nuk e themi dot: këtë copë tokë që kemi, po e shkatërrojmë vetë, çdo ditë.

Zjarret që përpijnë pyje e kullota nuk janë fatkeqësi natyrore, por krim kundër vendit – të vetmit që kemi në këtë botë. Pas çdo tymi të zi nuk zhduket vetëm një pyll, por një pasuri që nuk rikthehet për dekada; është toka jonë që bëhet më e varfër, ajri më i rëndë dhe vendi ynë më i zbrazët. Këto nuk janë vepra të forcave të natyrës, por të njerëzve që ecin mes nesh, me çakmak në dorë dhe pa asnjë frikë nga ligji. Ata djegin për të pastruar tokë, për konflikte mes tyre, për të shfrytëzuar territore, për të ndërtuar ose për të përfituar shpejt në kurriz të natyrës.

Pastaj, pas çdo tragjedie, fillojmë qurravitjen: “Jemi vend i vogël, kemi pak tokë…”, por ç’kuptim ka të qash për diçka që vetë e kthen në hi? Ç’vlerë ka të përmendësh kufijtë e djeshëm kur kufijtë e sotëm i dogje vetë? Patriotizmi nuk matet me hartat e historisë, por me gjendjen e tokës nën këmbët e tua. Nuk na i djeg fqinji pyjet, nuk na i betonon lumenjtë e detin asnjë armik tjetër. Vetë i kemi bërë malet fushë, vetë i kemi kthyer brigjet në beton, vetë e kemi shitur ajrin dhe ujin për një grusht euro.

Ky vend nuk po digjet nga lufta, por nga armiku më i rrezikshëm që ka shkelur ndonjëherë në këto troje: shqiptari pa ndërgjegje, sabotator dhe anti-kombëtar. Një komb që nuk e mbron tokën e vet, nuk e meriton atë. Sot, Shqipëria nuk po “pushtohet” nga jashtë, por po copëtohet nga brenda – me zjarr, me beton, me mbeturina e me ligësi. Ky është pushtimi më i keq, sepse është vetëvrasje. Në fund, nuk do të na duhet asnjë armik për të na e marrë vendin: do ta kemi djegur, shitur dhe kthyer në hi vetë. Atëherë Shqipëria do të mbetet vetëm një emër në librat e historisë dhe fajtorin nuk do ta kërkojë askush jashtë kufijve, sepse ai do të jetë në pasqyrë, duke na parë çdo ditë – ne vetë.

Sa për shtetin, nuk ka nevojë të tregojë sa mjete e forca po punojnë me zjarret, sepse shifrat nuk i hyjnë askujt në punë. Urgjenca është të shpallet situata e Fatkeqësisë Natyrore ose Gjendja e Jashtëzakonshme, në mënyrë që çdo punonjës, mjet dhe institucion të vihet nën urdhrat e Emergjencave Civile dhe Shërbimeve Zjarrfikëse. Nuk ka shtetar, punonjës apo institucion që do t’i duhet më një Shqipërie të përzhitur nga flakët. Ushtria, IKMT dhe policia duhet të lënë mënjanë tritolin për shembje ndërtesash dhe të merren me zjarret, përndryshe do të mbeten pa punë, sepse zjarri do të shkatërrojë gjithçka para tyre.

Kjo situatë është pasojë e papërgatitjes së bashkive, të cilat nuk kanë plane veprimi, nuk bëjnë sensibilizime, nuk krijojnë skuadra vullnetare dhe nuk menaxhojnë pyjet. Po ashtu, është pasojë e heqjes nga puna të specialistëve të pyjeve dhe e mosinvestimit në logjistikën bazë për mbrojtjen nga zjarri. Pasi të kalojë kjo krizë, çdo institucion – SPAK, Prokuroria, KLSH, SHISH – duhet të mbajë përgjegjës çdo kryetar bashkie që shpërdoron fondet dhe nuk shpenzon as 1000 euro për pajisjet më bazike të mbrojtjes nga zjarri, si dhe nuk përgatit sipas ligjit planin e masave për parandalimin dhe fikjen e tyre.

Duhet të hetohet pse bashkitë kanë hequr nga puna specialistët e pyjeve dhe kanë punësuar persona pa asnjë përgatitje profesionale, pa dëshirë dhe pa dashuri për të mbrojtur pasurinë publike si pyjet e kullotat. Po ashtu, kërkohet një analizë e thellë dhe profesionale përse, me gjithë këto zjarre ndër vite, askush nuk është dënuar.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *