Në Gjermani është hapur sërish diskutimi për shërbimin ushtarak. Pas njëqind ditësh në detyrë, kancelari Fridrih Merc ka shpallur synimin e tij: ta shndërrojë Bundesverin në ushtrinë më të fortë të Evropës. Por për ta arritur këtë duhen më shumë trupa, pajisje moderne dhe një rrugë e qartë reformash.

Sot ushtria gjermane numëron rreth 183 mijë efektivë. Sipas udhëzimeve të Natos dhe duke marrë parasysh madhësinë e popullsisë, ky numër duhet të rritet me të paktën 60 mijë ushtarë të rinj. Pyetja që ndan qeverinë dhe opozitën është si do të arrihet kjo rritje.

Vullnetarë në vend të detyrimit

Partia socialdemokrate këmbëngul që shërbimi të mbetet vullnetar. Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorjus, beson se me paga më të mira dhe kushte më moderne, ushtria do të tërheqë mjaftueshëm të rinj. Sipas tij, çdo vit mund të regjistrohen mesatarisht nga 25 deri në 30 mijë ushtarë të rinj.

Plani përfshin rritje page, trajnime më bashkëkohore, përdorimin e teknologjive të reja si dronët, si edhe kurse shtesë për gjuhë dhe aftësi të tjera. Kohëzgjatja minimale do të jetë gjashtë muaj.

Rezerva nga opozita

Kristiandemokratët dhe kristiansocialët janë më dyshues. Norbert Rëtgen nga CDU ka theksuar se projektligji nuk merr parasysh objektivat që Gjermania ka marrë përsipër në kuadër të Natos.

Ligji i ri parashikon që nga viti 2026, çdo djalë dhe vajzë 18-vjeçare të marrë një pyetësor nga ushtria, për t’i nxitur të reflektojnë mbi mundësinë e rekrutimit. Nga viti 2027, të gjithë të rinjtë pritet të paraqiten edhe në kontroll mjekësor, pavarësisht nëse kanë shprehur dëshirë apo jo.

Shembulli i Suedisë

Një model krahasimi është Suedia, ku shërbimi është me zgjedhje, por në rast mungese vullnetarësh, thirrja bëhet e detyrueshme. Në Gjermani, një mekanizëm i tillë nuk është parashikuar. Vetëm nëse situata e sigurisë përkeqësohet ndjeshëm, Bundestagu mund të vendosë për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm.

Kryetari i grupit parlamentar të socialdemokratëve, Matias Mirsh, ka theksuar se gjatë këtij mandati – deri në vitin 2029 – nuk do të ketë rikthim të detyrimit. Nga ana tjetër, shumë deputetë të kristiandemokratëve dhe kristiansocialëve e shohin të domosdoshëm një vendim më të shpejtë, duke përmendur rrezikun në rritje nga Rusia.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *