Nga Hasan Bello

Pashko Vasa (ose Vaso Pashë Shkodrani) është një nga patriotët dhe intelektualët kryesorë të Rilindjes Kombëtare. Ai njihet gjithashtu si shkrimtar, filolog, studiues dhe funksionar i lartë i shtetit osman.

Më 10 korrik 1883, me titullin vezir, ai u emërua mytesarif i Malit të Libanit me qendër në Bejrut, post që e mbajti deri në vdekjen e tij më 26 qershor 1892. Ritet funebre u kryen në kishën St-Louise des Capucins në Bejrut, dhe ai u varros në të ashtuquajturat “Varrezat e Pashallarëve” në kodrinën e Hazmiehut, në periferi të kryeqytetit të sotëm libanez.

Për jetën private dhe pasardhësit e Vaso Pashës nuk ka shumë informacion. Kjo vlen edhe për shumë personalitete të tjera të kombit shqiptar.

Në vitin 1855, kur ishte 30 vjeç, Vaso Pasha u martua me gruan e tij të parë, Dranden. Nga kjo martesë, çifti pati pesë fëmijë, por katër prej tyre vdiqën në moshë shumë të re. Pas vdekjes së Drandes, ai u martua me Katerina Bonati për herë të dytë, por ajo gjithashtu vdiq nga tuberkulozi në vitin 1884, pak pasi Vaso Pasha u emërua guvernator i Libanit. Një nga fëmijët që la pas nga martesa e tij e parë, Roza, vdiq gjithashtu nga tuberkulozi më 27 janar 1887, në moshën 28 vjeç.

Vaso Pasha u martua për herë të tretë me Bertën, me të cilën pati dy djem, Mikelin dhe Leonin.

Në disa burime, dy djemtë e tij përmenden me emrat Selim, i cili ishte diplomuar në drejtësi dhe punonte në Zyrën e Punëve të Jashtme, dhe Said.

Motra e Vaso Pashës ishte e ëma e klerikut të njohur Luigj Bumçi.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *