Nga Besjana Lushaj

Më 26 gusht, në qytetin e Korçës gjendet trupi i pajetë dhe i dekompozuar i 60-vjeçarit me inicialet P.S. Zotëria, i cili jetonte i vetëm, baba i dy fëmijëve dhe i divorcuar prej kohësh, nuk kishte pasur kontakt prej më shumë se 8 muajsh me familjarët dhe të afërmit e tij. Ai nuk mbante telefon dhe bënte një jetë të izoluar, saqë për 8 muaj mungesën e tij nuk e vuri re askush. As fëmijët, as vëllai, as komshinjtë dhe as rrethi shoqëror. Asnjëri prej tyre nuk mendoi qoftë një herë të vetme të ngrinte telefonin e të pyeste se nga bëhej ky njeri.

Dhe kuptohet që kjo ngjarje e rëndë ka shokuar jo pak njerëz, të cilët nuk ngurrojnë e nuk dyshojnë në asnjë moment se zotëria ka qenë një baba shembullor që i ka rritur fëmijët me sakrifica. Po ashtu, është e qartë se askush nga këta që flasin me bindje mbi mënyrën se si ka prindëruar i ndjeri nuk e njohin atë personalisht. Por kjo nuk i pengon ata të njohin veten në rolin e prindit dhe të projektojnë sakrificat që lidhen me këtë rol tek çdo njeri që ka vendosur të riprodhohet, qoftë edhe vetëm në kuptimin biologjik të fjalës.

Prindërimi në Shqipëri është i vështirë, në një vend ku të paktën pesë gjeneratat e fundit i kanë rritur fëmijët në mos skamje e varfëri ekstreme, me shumë vështirësi ekonomike. Andaj, në një shoqëri ku çdo brez mban mend se paraardhësit e tyre i kanë rritur me halle, halli bëhet boshti prej ku projektohet e ardhmja. Shqiptari të takon në rrugë dhe nuk i vjen aspak zor të të pyesë: “Si i ke hallet?” – edhe kur nuk të njeh. Shqiptarin e zë halli dhe i duhet të martohet që të ndajë hallet me dikë, bën fëmijë sepse ata do rriten me halle si ne, por të paktën do të na bëhen krah për të përballuar këtë hall që gjithë jetën e marrim krahqafë. Shqiptari e merr hallin ngado me vete, sepse ndoshta pa hallin e tij ai nuk ka identitet. Dhe kështu, nga halli dhe prej hallit, në një botë plot halle, vjen një gëzim – një jetë e re – e cila shumë shpejt kthehet në një hall më vete. Sepse kjo jetë e re, që ka nevojë për përkujdesje në çdo moment, vjen me një kosto të lartë, e cila nuk është vetëm ekonomike. Dhe kështu kalvari i halleve zgjatet.

Hallexhiu e rrit fëmijën me halle: e vesh, e mbath, e çon në shkollë, por nuk kujtohet ta pyesë ndonjëherë se si ndihet. Sepse fëmija është fëmijë, ai nuk ka halle. Fëmija nuk shihet nga prindi si një qenie më vete, që ka nevojë të dëgjohet e të shikohet, por si një qenie e kushtëzuar nga mosha dhe që “nuk di”. Fëmija përjashtohet; nevojat e tij emocionale nuk plotësohen, sepse ato as nuk identifikohen e as nuk u jepet rëndësi. Emocionet, ndjesitë, inteligjenca emocionale janë një luks që “nuk e kemi”, në këtë realitetin tonë plot me halle.

Fëmijët rriten, largohen nga pragu i shtëpisë të veshur, të mbathur dhe me barkun plot, por pa pasur ndoshta asnjëherë një bisedë të hapur e të qenësishme me prindërit e tyre. Ata kanë jetuar jetën e tyre si të huaj, sepse mund të jetosh në një shtëpi me një njeri, por kur nuk denjon të flasësh e t’ia njohësh mendimet e ndjesitë, atë njeri e ke të huaj edhe pse mund të ndani një kulm. Dhe kështu i huaji, që është fëmija yt, largohet dhe tani mund të jetojë plotësisht si i huaj, sepse ata që e rritën as nuk e njohin, as nuk kanë durim dhe interes për ta njohur. Prindërit e kanë veshur, e kanë mbathur, ia kanë mbushur barkun, i kanë dhënë direktiva “bëj këtë, bëj atë” dhe gjithmonë janë siguruar t’i bëjnë të qartë se ata në një moment në jetë kanë qenë veçse një hallkë në zinxhirin e halleve.

I huaji, fëmija yt, largohet, ndërsa prindi mbetet pas. Ai plaket, sëmuret dhe ndoshta edhe ndërron jetë pa e kuptuar ndonjëherë se pse fëmija i tij ka një distancë dhe shkëputje emocionale – një distancë që në fakt fëmija e ka mësuar prej tij.

E në këtë prizëm, reagimet e opinionit publik mbi rastin e Korçës janë krejt të kuptueshme dhe të pritshme. Edhe pse pak kush merr mundimin të pyesë: a mos ndoshta ky njeri shfaqte simptomat e një individi me çrregullim shizoid? Apo si është e mundur që një 60-vjeçar të mos ketë një raport njerëzor të shëndetshëm në jetën e tij? Si mund të harrohet dhe injorohet deri në këtë pikë një njeri që ishte baba, vëlla, ish-bashkëshort, shok apo fqinj?

Alarmant është fakti se në turravrapin për të dalë në konkluzione pakkush i qaset ndodhisë me motivimin për të kuptuar më shumë mbi ngjarjen. Ndoshta një ngjarje e tillë që të trondit e të sëkëlldis mund të shërbejë si shtysë për t’iu qasur më seriozisht hendekut midis brezave në Shqipëri dhe mbi të gjitha për të pasur një bashkëbisedim real ku të menduarit nuk është në tufë dhe konkluzionet nuk janë gjithmonë të njëjtat. Shpërthimet mbi ndëshkime e sakatime ndaj fëmijëve të të ndjerit i shërbejnë vetëm maskimit të së vërtetës dhe mbi të gjitha frikës se nesër mund të jemi ne në vend të atij, pavarësisht se bëmë aq sa mundëm e aq sa ditëm.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *