Nga Lutfi Dervishi

Dhimitër Anagnosti u largua, por kinemaja e tij mbetet gjallë. Filmat e tij refuzojnë të plaken, sepse nuk ishin thjesht kinema: ishin pasqyra ku herë u pamë ashtu siç ishim, e herë siç duhej të ishim.

Breza të tërë u rritën duke mësuar ç’është liria në sytë e fëmijëve tek Lulëkuqet mbi mure. Panë hijet e së shkuarës që riktheheshin në Kthimi i ushtrisë së vdekur. Zbuluan veten dhe dilemat tona në Në shtëpinë tonë. Ndjenë tensionin moral në Duel i heshtur, dhe buzëqeshën hidhur me satirën therëse të Përrallë nga e Kaluara. Sepse Anagnosti dinte si ta kthente jetën e zakonshme në art.

Ai vetë thoshte: “Jetë të gjatë kanë veprat që ngrenë pyetje dhe trajtojnë jetën njerëzore.” Dhe filmat e tij e dëshmojnë këtë më së miri. Edhe në veprën e fundit, Gjoleka, djali i Abazit, ai na dha një metaforë të fortë për brezat e rinj që rriten mes dashurisë dhe urrejtjes, mes traditës dhe përpjekjes për t’u bërë pjesë e një bote të re.

Sot i themi “lamtumirë”, por ndoshta më e drejtë është të themi “mirupafshim”. Sepse sa herë një brez i ri do të shohë një djalë me lulekuqe në xhep, një duel të heshtur, një përrallë që ngjan si realitet, një familje rreth tryezës, apo një ushtri që kthehet nga e shkuara, do të njohë aty shpirtin e një artisti të madh.

Një mjeshtër që na mësoi se kinemaja nuk është vetëm zbavitje, por hapësira ku pasqyrohemi, ku ruajmë kujtesën dhe ku mbijetojmë si individë dhe si shoqëri.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *