Nga Arbër Zaimi
Ditëve të fundit ka ndodhur një varg sulmesh antishqiptare.
Në Tetovë disa huliganë rrahën dy gjimnazistë shqiptarë. Në Bujanoc shkruajtën nëpër mure emrin e kriminelit të luftës, Ratko Mlladiqit. Në Podgoricë disa shikues të paedukuar ndërprenë shfaqjen e filmit “Lejleku” të Isa Qoses sepse aty tregoheshin shqiptarë duke folur shqip në trojet e tyre në Mal të Zi.
Këto shfaqje të reja të urrejtjes së vjetër antishqiptare sot ndodhin për dy arsye:
E para, qendra e tyre po dridhet. Beogradi, prej nga zakonisht komandohet dhe ushqehet antishqiptarizmi, është në krizë të thellë.
E dyta, pavarësisht mungesës së vëmendjes perëndimore, dy shtetet shqiptare po funksionojnë mirë. Shqipëria për herë të parë prin në procesin e integrimit europian dhe tashmë adresa e Europës në Ballkan nuk është më Beogradi por Tirana. Kosova, pavarësisht polarizimit të pazakonshëm partiak që ka vonuar konstituimin e Kuvendit, vazhdon të funksionojë normalisht me institucionet e veta, madje edhe të përparojë si ekonomi dhe shoqëri, pa kaos e pa probleme.
Dikur destabilizimi nga Serbia shpërndahej nëpër vendet e rajonit përmes kanalizimeve ku përzihen një lloj i politikës e një lloj i biznesit me krimin, dhe këtë Serbia e shiste si potencial destabilizues rajonal, e për ta mbajtur nën kontroll, kërkonte “ledhatime” nga perëndimorët. Këta ndërhynin për të shmangur problemet dhe forcohej thënia “shqiptarët nuk dinë të mbajnë shtet, por perëndimi i mban artificialisht”.
Sot Serbia s’po arrin të destabilizojë më askënd, edhe pse siç thamë, perëndimorët s’e kanë vëmendjen në Ballkan se kanë hallet e veta. Ndërsa vetë Serbia është tash e një vit e destabilizuar, sepse korrupsioni i madh qeveritar dhe autokracia ka ngjallur protesta që po vijnë duke u shtuar.
Kjo krizë e bën Vuçiqin të shpërthejë duke sharë e duke fajësuar “Europën e degjeneruar” që “dëshiron të rrëzojë Serbinë”. Po e njëjta krizë e frustron fashistin e vogël antishqiptar, që përpiqet të dalë në pah në Mal të Zi, Maqedoni të Veriut apo Luginë, e edhe në veri të Kosovës me grafite qyqare.
Siç duket ka ardhur kohë tjetër, është Serbia ajo që nuk po mundet të mbajë shtet pa ndihmën ndërkombëtare, tash që as perëndimi e as Rusia nuk kanë fort kohë për të.