Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për anulimin e vendimit të Këshillit Bashkiak, i cili e shkarkoi nga detyra pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama. Në ankimimin e tij, Veliaj rendit 15 argumente juridike, ku thekson se procedura e shkarkimit ka qenë “e paligjshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën”.
Sipas tij, neni 62 i ligjit “Për vetëqeverisjen vendore” nuk mund të përdoret si bazë e pavarur për shkarkimin e një kryetari bashkie, pa u interpretuar në përputhje me nenin 115 të Kushtetutës, i cili lejon largimin nga detyra vetëm në rast të një “shkeljeje të rëndë të provuar”.
“Shkarkimi pa shkelje të rëndë të provuar është antikushtetues. Kushtetuta qëndron mbi ligjin dhe asnjë dispozitë nuk mund ta zëvendësojë atë”, thuhet në kërkesë.
Veliaj argumenton se mungesa e tij fizike për më shumë se tre muaj nuk përbën “shkelje të rëndë”, pasi nuk ka qenë rezultat i vullnetit personal, por i një mase sigurie (paraburgim). Madje, ai nënvizon se funksionet e tij janë ushtruar nga nënkryetarja, siç e parashikon ligji.
Në dokumentin e dorëzuar në Kushtetuese, Veliaj paralajmëron se pranimi i këtij shkarkimi do të krijonte “një precedent të rrezikshëm”, ku pushteti qendror mund të ndërhyjë arbitrarisht në mandatin e zgjedhur vendor, duke e relativizuar autonominë lokale.
Ndërkohë, Këshilli Bashkiak i Tiranës e justifikoi vendimin e shkarkimit me nenin 62 të ligjit vendor, që parashikon heqjen nga detyra në rast të mosparaqitjes për më shumë se tre muaj. Veliaj kundërshton se kjo dispozitë nuk mund të aplikohet në mënyrë mekanike, pa u lidhur me kriterin kushtetues të “shkeljes së rëndë”.
Tashmë, fjala i mbetet Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet të vendosë nëse shkarkimi i Veliajt është një masë legjitime ligjore apo një ndërhyrje politike në pushtetin vendor.