Nga Arbër Zaimi
Asnjë vrasje nuk është e arsyetueshme. Aq më pak kur arsyeja është interesi vetjak. Aq më pak kur vritet dikush në krye të detyrës. Ngushëllime familjarëve të gjyqtarir Kalaja.
Mirëpo gjyqësori duhet të jetë një ndërmjetës i paanshëm dhe i besueshëm mes palëve. A është deri diku i tillë sistemi gjyqësor në Shqipëri?
Jo, sistemi gjyqësor ka një mungesë të lartë besueshmërie. Sipas studimeve e anketave të publikuara gjykatat renditen ndër institucionet publike me besueshmëri më të ulët në Shqipëri, tejkaluar nga parlamenti që fatkeqësisht e ka edhe më të ulët (urojmë që parlamentarët e gjyqtarët gjithsesi të mos i gjejë asgjë më e keqe se mosbesimi publik).
A vjen kjo ngaqë shqiptarët e përbuzin drejtësinë dhe duan vetëgjyqësinë? Jo. Pse jo? Sepse të njëjtat studime e anketa tregojnë se institucioni me kredibilitetin më të lartë tek shqiptarët është SPAK, pra sërish pjesë e drejtësisë ama jo ajo e zakonshmja, por një e reformuar.
Pse e kanë humbur besimin shqiptarët te gjyqësori “i zakonshëm”? Dy janë arsyet: vonesa e madhe deri në marrjen e vendimit që i bën njerëzit ta shohin gjykatën si hall e jo si zgjidhje; dhe perceptimi se drejtësia nuk është e verbër por kandari i saj anon nga leverdia politike, ekonomike, apo nga influenca të tjera.
E para nuk ka zgjidhje të thjeshtë, duhet rritur numri i gjyqtarëve e njëkohësisht edhe kriteret e përzgjedhjes, teksa duhet të mbikqyren gjatë punës. Ata duhet të jenë të parët që e respektojnë pozitën që kanë, e pozita respektohet vetëm kur punon me rezultate të ndjeshme, jo kur fryhesh e shet mend. Nuk e merr dot respektin e popullit e as autoritetin, nëse nuk e respekton qytetarin që paraqitet te ty për hall, por e përbuz atë.
E dyta është po aq e komplikuar. Perceptimi rrjedh edhe nga raste reale, edhe nga raste të paragjykuara, është kombinim i fakteve me bindjen që s’kërkon fakte. Për ta ndryshuar perceptimin duhet punuar me edukim e me komunikim së brendshmi, me qytetarët, gjë që Shqipëria nuk e bën sepse përgjithësisht ofiqarët e lartë e shohin popullin me përbuzje si “turmë” që s’kupton. Po të kishin vënë të njëjtin përkushtim në ndryshimin e perceptimit të qytetarëve shqiptarë për vendin e tyre, siç iu përkushtuan përshembull ndryshimit të perceptimit të të huajve për Shqipërinë si destinacion turistik, mbase do të kishte rezultate të tjera anketa. Po të trajtohej drejtësia e zbatimi i ligjit me pedantësi nga qeveria në radhë të parë, por edhe nga institucionet e tjera publike e private, siç janë bizneset e mëdha edhe mediat, mbase do të kishim perceptim tjetër. Por prej vitesh ata që bëhen miliarderë nga shkeljet ligjore hanë dreka e darka me pushtetarë dhe mbajnë media për të kërcënuar a lavdëruar këdo që u intereson.
Megjithatë siç thamë perceptimi rrjedh nga kombinimi i bindjeve me faktet e teksa mund të punohet me edukim e komunikim (por jo me pallavra) për të ndryshuar bindjet, faktet mbeten kokëforta e ato duhet të ndryshojnë. Si mund të ketë besim të lartë te drejtësia qytetari në një vend ku kullat, vilat e makinat e shtrenjta janë në shpërputhje të plotë me ekonominë vendore dhe takatin e kësaj shoqërie?
Pjesa “jonormale” e drejtësisë, SPAK-u ka arritur ta fitojë besueshmërinë pikërisht duke prodhuar rezultate faktike. A do të nxjerrë mësim pjesa tjetër e drejtësisë, apo shpresa e vetme do të mbetet SPAK-u, armiqtë e të cilit shpresojnë që Amerika të heqë dorë prej tij? Nuk e dimë se a do të heqë dorë Amerika e Europa, këto gjëra edhe mund të ndodhin sepse bota është bërë më e paqëndrueshme në vitet e fundit. Drejtësia e demokracia nëse nuk importohen do duhet të rriten në shtëpi. Por nëse kërkohet arsyeja për largimin intensiv të të rinjve nga vendi duhet gjetur aty pranë mungesës së drejtësisë e demokracisë. Sa më i ulët besimi te parlamenti e te drejtësia, aq më e lartë dëshira për ikje. Edhe ajo, një farë vetëgjyqësie është.