Në një shkrim të fundit, Rexhep Qosja ka risjellë në vëmendje debatet rreth themelimit të Gjykatës Speciale për luftën në Kosovë. Sipas tij, shqiptarët kanë gabuar me themelimin e një gjykate që do të thotë vetëdënim historik dhe politik.
Shkrimi i Qoses:
Ç’do themelimi i Gjykatës së Veçantë vetëm për luftën mbrojtëse të shqiptarëve në Kosovë? Për ta bërë politikisht dhe moralisht të barabartë luftën mbrojtëse të shqiptarëve në tokën e vet me luftën pushtuese, agresore të Serbisë në Kosovë? Cinizëm i jashtëzakonshëm!
Ç’do themelim i Gjykatës së Veçantë vetëm për luftën mbrojtëse të shqiptarëve në Kosovë pesëmbëdhjetë vjet pas mbarimit të kësaj lufte? Për të kënaqur ato vende ballkanike e europiane, ato grupe apo ato vetje ballkanike e europiane, që besojnë se shqiptarët, që luftuan për pavarësinë e Kosovës dhe me luftën e tyre fituan përkrahjen e SHBA-së dhe BE-së për këtë pavarësi, përfituan shumë, shumë, prandaj duhet të ndëshkohen së paku me burgje qoftë edhe vetëm disa nga të merituarit për këtë luftë!
Ç’do themelim i Gjykatës së Veçantë vetëm për luftën mbrojtëse të shqiptarëve në Kosovë, ndërsa tani e pesëmbëdhjetë vjet nuk u themelua kurrfarë Gjykate e Veçantë për hulumtimin dhe dënimin e atyre që bënë luftën pushtuese, agresore në Kosovë, të atyre që në fshatra e në qytete të Kosovës vranë e masakruan djem, burra, pleq, gra, nëna, vajza, fëmijë e trupat e një numri prej tyre i çuan dhe i hodhën në varre të përbashkëta në Serbi?
Isha dhe, natyrisht, jam kundër themelimit të kësaj Gjykate.
Për mua është me rëndësi, është me rëndësi politike dhe etike, është me rëndësi historike, është me rëndësi kombëtare, që atë Gjykatë të mos e themelojnë vetë shqiptarët. Shqiptarët nuk do të duhej, në asnjë mënyrë, ta dënojnë vetveten, nuk do të duhej të vetëdënohen.
Nuk do të duhej të dënojmë prijësit ushtarak, historik të asaj lufte.
Shumë, tepër, për së tepërmi e kemi dënuar ne vetveten jo njëherë gjatë historisë. Shumë, tepër, për së tepërmi jemi vetëdënuar ne pas vitit 1981! Dinjitetin tonë qytetar, intelektual dhe kombëtar, të rënë poshtë për shkak të atij vetëdënimi, do ta shpëtojë rinia jonë studentore me mospajtimin e saj të vendosur me atë vetëdënim tonin. Ta dënojmë veten tani, prapë? Të vetëdënohemi tani, rishtazi, edhe njëherë? Jo, kurrsesi! Nderi, dinjiteti, krenaria, vetëdija historike dhe kombëtare e kërkojnë që shqiptarët vetë të mos marrin pjesë në themelimin e Gjykatës së Veçantë. Jo. Le ta themelojë Këshilli i Sigurimit i OKB-së, por shqiptarët, vetë, të mos dënojnë veten, të mos vetëmohohen, të mos vetëdënohen, të mos vetëvriten! Jo. Le të na dënojë tjetërkush, por jo ne vetveten. Në asnjë mënyrë. Nën kurrfarë kushtesh.
Besoj, besoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe them se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i duhen pamatshëm shumë botës. Pa to botën e sotme do ta çorodisnin me shumë të këqija tiranë, despotë, diktatorë të vegjël e të mëdhenj. Dhe, pa Amerikën botën do ta rrezikonte një kaos i gjithfarshëm. Themelimi i Gjykatës së Veçantë, mendoj, bëhet me kërkesë, me nxitje, në radhë të parë, të disa shteteve të tjera. Jam i bindur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do t’i lënë këto shtete të tjera që Gjykatën e Veçantë ta bëjnë çka do të donin ato të bëhet: Gjykatë politike kundërshqiptare. Gjykatë speciale politike kundër atyre që e filluan e organizuan, e çuan në fitore luftën çlirimtare historikisht të lavdishme, të amshueshme.
