I.

Ku vemi shpesh
Në zemër t’ënde vetëm unë,
Në zemër t’ime vetëm ti,
dhe jashtë bota fjalëtare,
Dhe jashtë syri plot zili.

Dh’ashtu filluam përngahera
Një vetësi plot ëmbëlsi,
Të mos na shohë syr’i botës,
Mos na zemrosh, moj njerëzi.

Dhe ikm’ e ikmë gjith-më largë,
Dyke kërkuar pak liri,
Që me t’u ndezur flak’e ditës,
Gjer më të mugëtit të zi;

Gjer në mesnatë-e pasmesnate,
Oh! E pangopur e arrati!
Un’ hijerënd’ e mvrerësuar.

II.

Gremina
Ti sot as qesh as qan,
Ri larg e qetë.
Në shpirtin t’ënd ti mban
Një faj për jetë.

Një dashuri me gas,
Siç fryri era,
E zure shpejt në ças,
E le përhera.

U ngrove-ashtu sa mund,
As shumë-as pakë,
S’të ndriu përdrejt në fund
E bardha flakë.

III.

Përse të dua

Se të desha vetë,
Dhe t’u nqasa vetë,
Dhe të putha vetë-

Prandaj.
Dhe të humba largë,
Dhe të ndoqa largë,
Dhe të gjeta largë-
Prandaj.

Se të desha prapë,
Dhe t’u nqasa prapë,
Dhe të putha prapë-
Prandaj.

Dhe të humba vashë,
Dhe të ndoqa vashë,
Dhe s’të gjeta vashë-
Prandaj.

Se të gjeta grua,
Dhe të desha grua,
Dhe të putha grua-
Prandaj.

Dhe s’më flet përhera,
Dhe s’më nqas përhera,
Dhe më plas përhera-
Prandaj.

O, prandaj të dua,
Prandaj vashë-e grua,
Fshehtësi për mua-
Prandaj.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *