Nga Ermal Mulosmani
Do e nis këtë shkrim me një episod në dukje të parëndësishëm të para disa javëve. Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, në një konferencë që po zhvillohej në Jeruzalem për luftën kundër anti-semitizmit, e gjeti me vend ta fillonte diskutimin e tij me fjalët:
“Gjyshja ime ishte katolike. Ajo nuk shkoi kurrë në universitet, por më besoni se kishte një mençuri të pakrahasueshme me të gjithë shkencëtarët që unë njoh në Shqipëri.”
Kjo frazë mori titujt e portaleve dhe ekraneve. Ndjehej një admirim i fshehtë prej gazetarëve dhe editorialistëve, iu dukej nënqeshja nëpër rreshta. “Është mjeshtër qerratai, nuk ke ç’i thua” – mund të lexoje nëntekstin e shkrimeve. Askush nuk e gjeti me vend të ankohej, asnjë shkencëtar, asnjë akademik a shkrimtar, gazetar jo e jo. Përkundrazi, titujt e mediave me “gjyshen superinteligjente”, për më tepër autodidakte të kryeministrit, synonin të jepnin destinin e tij për udhëheqje, trashëgiminë inteligjente të genit e, si rastësisht edhe origjinën katolike të Kryeministrit.
Izraelitët e pranishëm u gajasën. Ata nuk kishin pasur rastin kurrë të dëgjonin fjalë të tilla poshtëruese për elitën shkencore të një vendi nga vetë kryeministri i atij vendi! Pse të mos qeshnin? Poshtërimi po u bëhej shkencëtarëve shqiptarë, ata izraelitë ishin në zenit të dijes. Atyre u heq kapelen kryeministri ynë!
Në fakt, poshtërimi i shkencëtarëve nuk është se filloi me atë deklaratë. Vetë emërimi i Skënder Gjinushit, ministrit të diktaturës, si kryetar i tyre ishte fillimi i poshtërimit. Krahasimi inferior i të gjithë shkencëtarëve me gjyshen ishte vetëm përçmimi i radhës.
******
Poshtërimi i individëve apo grupimeve të caktuara shqiptare nuk është një farë hobi i kryeministrit që i del në sipërfaqe herë pas here. Jooo, absolutisht jo. Poshtërimi individual apo kolektiv por gjithmonë publik, i grupeve të caktuara, është cilësia më e spikatur e kryeministrit të Shqipërisë, është domosdoshmëri jetike e tij! Poshtërimi intelektual, poshtërimi kulturor apo poshtërimi politik janë format më të shpeshta që e kemi ndeshur gjatë këtyre 10 vjetëve.
*********
Para 20 viteve, në kohën kur bëhej beteja e parë për Teatrin Kombëtar dhe teatrorët shqiptarë patën një bisedë me kryetarin e atëhershëm të Bashkisë Tiranë, Edi Rama, u zhvillua pak a shumë ky debat:
Luftar Paja (aktor i njohur): “Ti nuk mund ta shembësh Teatrin pasi ai është monument kulture”
Rama: “Epo bëjini edhe brekët e Violeta Manushit monument kulture!”
Vini re. Në vlerësimin e kryeministrit të ardhshëm e gjithë trashëgimia kulturore 40 vjeçare e Teatrit Kombëtar barazohet me brekët e një ish-aktoreje komedie. Pak a shumë si krahasimi i shkencëtarëve me gjyshen gjeni-katolike të Kryeministrit. Herët apo mënyrat e shfaqjes së sipëranitetit kulturor dhe intelektual të kryeministrit janë të panumërta. Më kujton Kadarenë kur i përshkruan tipa të tillë:
“Me një nënqeshje qesëndisëse, me një kinse sipërani, që pas mendjes së tyre e jep veçimi prej kombit që i ka pjellë”.
Dëshira për poshtërim e Edi Ramës është po aq e papërmbajtur sa ajo për pushtet. unë besoj se e dyta buron prej së parës. Edi Rama e don pushtetin si mënyrën më efikase për të plotësuar pasionin e tij më të madh, poshtërimin! Sa më i madh pushteti aq më i madh poshtërimi! Dhe më e pakontrolluar dëshira për poshtërim. Ja për shembull, në muajin Shtator 2021, pra pak pasi kishte fituar zgjedhjet e treta parlamentare, në një takim me gazetarë, do të deklaronte:
“Jam i vetëdijshëm se pa dashje dhe kam kaluar kufirin kam krijuar shqetësime për ju. Do bëj çmos që marrëdhëniet tona të jenë fantastike dhe unë të jem në dispozicionin tuaj sa më i urtë dhe i butë. Nëse kjo nuk ndodh atëherë do jetë gabimi im.
Pra, megjithëse premton, ndoshta me sinqeritet, se do të jetë një Ramë tjetër, jo një poshtërues kronik e i pakontrolluar, pa kaluar as dy-tre muaj nuk lë gjë pa thënë për gazetarë që bëjnë pyetje. E bën në mënyrë të përsëritur dhe duke cituar, edhe këtu, të shumëditurën enciklopedike, gjyshen e tij. Gazetarët përjashtohen nga konferencat e tij dhe çohen për riedukim, një formë e njohur komuniste e ndëshkimit. Premtimi ka shumë mundësi të ketë qenë i sinqertë por e ka të pamundur. Ai është një poshtërues patologjik.
Nuk po zgjatem këtu me ligjërimet politike në Parlament dhe degdisjet e kundërshtarit; një shkulm i papërmbajtur sharjesh e përtalljesh me mjete stilistikore të admirueshme por po aq poshtëruese, pa kufizim kohe a etike, morali a tolerance, bie mbi më përfaqësuesit e pakicës, edhe ashtu të dërrmuar nga përçarjet dhe lufta mes veti!
Për tetë vjet rresht, në Facebookun e vet u mor me qytetarët që qeveris, duke i përtallur e përbuzur, etiketuar e qesëndisur, duke i lënë të tmerruar e pa fjalë! U dha tapitë e shtëpive zaptuesve që pranuan talljen si haraç.
Edi Rama padyshim është shembulli pashoq i përtallësit publik të shtetasve të vet, kryemujshari që nuk njeh kurrfarë skrupujsh moralë a etikë. Ai është fenomen botëror, unikal në këtë drejtim.
Por nga i vjen gjithë ky guxim, kjo kurajo për të poshtëruar popullin e vet dhe për t’i kërkuar votën gjithnjë e më me sukses?!
Për këtë shpjegimin e ka dhënë vetë Rama në një nga shkrimet e veta të publikuara në vitin 1996-97, kur thotë:
“Propaganda e shfrenuar komuniste u mbështet fuqimisht tek dobësitë e karakterit të shqiptarit dhe tek burimet e pashtershme të traditës së tij që ushqen Barbarinë, Totalitarizmin, Autoritarizmin apo thënë me një fjalë të vetme, Nënshtrimin ndaj Babës, duke frymëzuar kësisoj një servilizëm të përmasave të mëdha që nuk kufizohet vetëm brenda mureve të klanit familjar, por që kthehet në Apoteozë të Nënshtrimit kur është fjala për t’iu bindur të gjitha atyre forcave udhëheqëse autoktone apo të huaja.”
Pra, vetëdija e dobësive të karakterit të shqiptarit të cilat me një fjalë të vetme mëshirohen me nënshtrimin ndaj babës, servilizmin e përmasave të mëdha që kthehet në apoteozë të nënshtrimit kur bëhet fjalë për udhëheqësin – kjo është shtysa kryesore e poshtërimit publik që Edi Rama u bën shqiptarëve! E thotë vetë, e bardhë mbi të zezë! Atëherë e theksonte si ves, sot e sheh si virtyt për të ngopur etjen e tij të pashuar për Poshtërim!
*******
Gradualisht, kjo kulturë e gjithanshme poshtëruese kryeministrore, do të sillte edhe poshtërimin fizik. Këtu duhen parë rrënjët e goditjes së Sali Berishës nga një person me probleme psikotike. Edi Rama nuk e ka përballuar joshjen e një grushti dërrmues në fytyrën e plakur të një kundërshtari të mundur. Ai nuk mund të kënaqej vetëm me poshtërimin politik, intelektual apo atë kulturor. Duhej edhe poshtërimi fizik i tij, duheshin pamjet dramatike të shembjes së tij për të përmbushur egot perverse të kryeministrit. Ai grusht është rrjedhojë logjike e gjithë kulturës ramiste të poshtërimit. Të gjithë ata që thonë se Rama ishte i painteresuar për të ndodhur ajo ngjarje janë ose naivë, ose të porositur!
Edi Rama jetonte për atë moment, dita e djeshme ishte klimaks i dyfishtë politik i tij. Sigurisht, do të gjendej një person me kartelë mjekësore, sigurisht do të ishte fanatik i vëllazërisë myslimane, mundësisht do të kishte ndonjë lidhje me Gërdecin apo 11 Janarin. Ky ishte identikit i mrekullueshëm për atentator dhe moment politik brilant për tu kryer. Do ishte mire që atentatori të ishte edhe i vdekur nga bodiguardët e Saliut, ky do të ishte skenar perfekt…
Por ka vetëm një gabim.
“Poshtërimi –thotë Kadareja – është pararendësi i racizmit, bën pjesë në shenjat e sigurta që paralajmërojnë përgatitjen e një zezone. Populli i shenjuar për keq pret me ankth stuhinë e së keqes.”
Sali Berisha sot ka mbas vetes të paktën 300 mijë votues. Të cilët u goditën nga grushti që ra në fytyrën e liderit të tyre, u poshtëruan fizikisht pas poshtërimit moral, politik, intelektual. Për 10 vjet me radhë. Sot shumë prej tyre janë zhvendosur në perëndim, në Angli, me gomone a me ç’të mundin. Atyre ju ka mbërritë thika në palcë, varfëria ua ka zënë derën dhe padurimi po shkon në pikën kritike. Mjafton një fjalë e keqe a një sjellje brutale dhe arrijmë atje ku thotë Kadareja:
“Poshtërimi sjell dy të këqija madhore. E para, e çon popullin viktimë drejt katastrofës. E dyta, e egërson viktimën duke ia shtrajtuar karakterin gjer në atë shkallë sa ta shtyjë drejt shkërbimit të xhelatit të vet.”
Për ta penguar këtë ka vetëm një zgjidhje. Toleranca, zemërgjerësia, falja, bashkëpunimi, dora e zgjatur. Krejt e kundërta e poshtërimit. Ky është një vend i vogël për kaq shumë urrejtje. Tani topi është në këmbët e Edi Ramës. Duhet të veprojë shpejt dhe të ulë gjakrat.