Nga Izet Duraku
Varfëria ekonomike, që vetëm para pak muajsh mezi pranohej në Kukës, tani është në majë të gjuhës edhe tek zyrtarët më euforik të djeshëm. Me sa duket, të familjarizuar me varfërinë, na doli frika prej saj.
Ndërkohë varfëria shpirtërore, ç’ka përbën dhe të keqen më të madhe të trashëguar nga sistemi totalitar, s’para zihet aq shpesh në gojë. Afërmendsh, nuk është e lehtë ndarja me të kaluarën!
Kjo u përsërit dendur edhe nga shumë pjesëmarrës të takimit me Presidentin para ca ditësh në Krumë të Hasit. Shumë probleme të konsideruara më parë tabu, si bie fjala, shpërngulja me dhunë e fshatrave Shalqin dhe Brut pas ndërtimit të hidrocentralit të Fierzës, papunësia, mbipopullimi i fshatrave, prapambetja e thellë ekonomike e kulturore e krahinës etj, u shtruan me forcë në këtë takim.
Një gjë e tillë, padyshim, flet në dobi të proceseve demokratike, të cilat kanë depërtuar edhe në zonat më të thella. Veçse të konstatosh ca plagë që deri dje ia ke fshehur vehtes e botës, nuk do të thotë aspak se e ke sikterisur të kaluarën. Ajo ka hyrë thellë në shpirtin e secilit. Shfaqet në gjestet, në mimikën, në ngjyrën e zërit, në fjalët që thuhen.
Më kot shpresova se dikush në atë sallë të fliste ashtu siç ndjente vetë, të shprehej në njëjës. Vërtet fati ynë i përbashkët, fati kolektiv e kapërcen unin e secilit dhe imponohet para gjithkujt. Por kjo s’do të thotë që individi të mbetet nën hijen e kolektivizmit.
Të gjithë diskutantët që morën fjalëm, në çdo frazë theksuan përemrin vetor “ne”. Dikush u përpoq të fliste në emër të inteligjencës së Hasit, tjetri foli në emër të punëtorëve të ndërmarrjes bujqësore, dikush tjetër “në emër të një fshati”, “të dy fshatrave”, “në emër të metalurgëve”, “të kolektivit të shoferëve”, etj.
Thua se këto diskutantë ishin zgjedhur posaçërisht për të mbrojtur interesat e një grupimi të caktuar njerëzish. Natyrisht, mbrojtja e këtyre interesave, pavarësisht nëse je apo jo përfaqësues i ligjshëm i ndokujt, s’ka asgjë të keqe. Përkundrazi. Të këqijat kanë ardhur ngaqë nuk janë mbrojtur interesat e njerëzve. Mandej duke u rënë ndesh atyre, janë bërë eksperimente të përçudnueshme që i kanë hapur rrugë rrënimit ekonomik dhe atij shpirtëror.
Por është e pamundur të flasësh gjithmonë në shumës, është e panatyrshme të mos shfaqësh askund mendimin tënd.
Sepse edhe ekzistenca e kolektivit, në fund të fundit varet nga ekzistenca e çdo individi veç e veç, që ka natyrën dhe karakteristikat e tij dalluese e të papërsëritshme. Janë pikërisht këto veçori e karakteristika që e begatojnë kolektivitetin njerëzor.
Rrafshimi i vlerave të tilla individuale e të papërsëritshme, uniformiteti a ç’ngjyrosja e vetive personale janë më tepër se varfëri, janë mjerimi më brengosës. Kolektiviteti shndërrohet kësisoj në turmë, në kope, që vetëm formalisht afron me gjininë njerëzore.
Kjo murtajë, që në forma të ndryshme na është kërcënuar për dekada me radhë, mendoj, se pavarësisht nga pasojat e pashmangshme, s’ka arritur të na shpërfytyrojë.
Duke dëgjuar diskutimet e pjesëmarrësve të mësipërm në takimin me Presidentin dhe revoltën e tyre të drejtë, m’u kujtuan disa mbledhje partiake e shtetërore në Kukës e në Bajram Curri, të cilat i kam ndjekur me detyrën e korrespondentit në këto rrethe. Nuk e kam fjalën këtu për diskutimet e parapërgatitura e të kontrolluara, për lustrën e fjalëve dhe vetëkënaqësinë e habitshme dhe revoltuese të zyrtarëve, sa servile aq edhe prepotentë, që i japin tonin mbledhjeve të tilla.
Më habiste siguria e drejtorëve apo e kryetarëve të ekonomive, kur shpreheshin pak a shumë kësisoj:
“Kam nxjerrë aq e kaq krom ose bakër mbi planin; mbolla kaq hektar me misër, grurë, patate … Prashita, ujita, prodhova …”.
Gjithçka në numrin njejës. Zgërdhihu, zgërdhihu ironi e poshtun: kush rropatej e cfilitej e kush mburrej! Duhet të jetë rastësi, ngushëllohesha në fillim, por kjo praktikë e rrënjosur u bë refreni i përhershëm ndër vite.
(Kjo dukuri si shfaqje e rastësishme është kritikuar në gazetë).
Veçse s’bëhej fjalë për rastësi!
Më kot shpresoja që ndokush nga presidiumi (gjithnjë i plotë, i njëjtë e solemn) t’ia ndërpriste llogon folësit fodull:
“Ç’thua kështu more, je në vete, për çifligun tënd po na flet?!”.
Ndërhyrje të tilla nga presidiumi nuk pati kurrë. Përkundrazi, nga kreu i presidiumit nxitej fodullëku i folësit duke e pyetur:
“Sa fasule ke marrë në arëza, sa tufëza ke ngritur? etj”.
Ishte pikërisht stili i zyrtarëve më të lartë që u imponohej burokratëve të vegjël.
Të ngratët burokratë të vegjël si rrudheshin e mpakeshin, kur shkreptinin ndaj tyre rrufetë e kritikave. Kontrollonin gjestet, shprehjet e fjalëve, hiqnin dorë nga uni “i mallkuar” (ai shërben vetëm për të korrur meritat) me shpresë që ta shpërndanin përgjegjësinë, që faji të mbetej jetim.
Kolegjialiteti i organizimit të punës, kolegjialiteti i drejtimit. Shumësi kësisoj të nxjerr faqebardhë! Në njëjës flasin vetëm zotërinjtë e gjithëpushtetshëm.
E ku kritikohet Allahu i Madh?
Kjo psikologji e drojës, shkallë-shkallë, nga zyrtarët e vegjël, ka përfshirë edhe një masë të madhe njerëzish të thjeshtë. Edhe për faktin që, sa më poshtë të ndodheshe në piramidën e shoqërisë moniste, aq më rëndë peshonin hallet e jetës, aq më e pamëshirshme shfaqej rrufeja e ndëshkimit hyjnor.
Ndaj filloi të varfërohej gjuha e komunikimit njerëzor. Në vend të fjalës e shprehjes frazologjike, hyri ndryshku i togfjalëshit të burokratizuar. Kjo gjuhë artificiale, e unifikuar për fat të keq, është futur edhe në rrethet intelektuale.
Rrafshimi i vlerave njerëzore, duke lëmuar e fshirë rrudhat karakteristike individuale në emër të kolektivizmit – kope, i ka shërbyer krijimit të ethshëm të kultit të individit. Në një rrafshnaltë të shkretuar pa kurrfarë përthyerje relievi edhe një kodër e zakonshme ngjan si mal madhështor.
E gjithë kjo, kuptohet është pjellë e dhunës dhe e frikës. Dhe frika s’është asnjëherë bashkëudhëtare me demokracinë.
“Bashkimi”, 10 gusht 1991.
Shënim:
Në fundqershorin e vitit 1991, Ramiz Alia, i zgjedhur president pas 31 marsit, zhvilloi një vizitë në Kukës e Has. Në këto zgjedhje Partia e Punës, siç dihet, fitoi në zonat periferike të vendit dhe humbi në qytetet kryesore.
Madje në Tiranë, humbën figurat kryesore të saj, përfshirë dhe Ramiz Alinë.
Në prag të shpartallimit, diktatura komuniste, më 2 prill të atij viti shpejtoi të tregonte dhëmbët në Shkodër, por, përkundër synimeve, kjo afroi fundin e saj.
Autoriteti i Ramiz Alisë po rrënohej me shpejtësi. Qëllimi i vizitës në verilindje, ndoshta ishte për të përmirësuar imazhin e tij dhe, ndonëse me vonesë, për të larë duart, siç u përpoq të bënte në mitingun e Kukësit për tragjedinë e Shkodrës, që mbahej si vendlindja e tij.
Ndërkohë, përmes këshilltarëve, që erdhën para tij në Kukës, u përpoq të shfaqej si president i të gjithë shqiptarëve duke ftuar të shfaqeshin krah tij në tribunën e mitingut që do të mbahej edhe drejtuesit lokalë të PD, por nuk ia doli.
Mjaft njerëz në Kukës nuk e kishin harruar ende fundin e dhjetorit të vitit 1990-ës, kur fjala e Ramiz Alisë, e mbajtur me punonjësit e aparatit të KQ, u dëgjua e regjistruar edhe në sallën e pleniumit të PP në rrethin e Kukësit dhe shiritat e fjalimit të tij u tërhoqën me urgjencë për në Tiranë.
Pluralizmi politik ishte pranuar nga zori. Njerëzit e ftuar në takim, ku isha dhe unë, dëgjonin të ngrirë tmerrin e “udhëheqësit”, që çirrej me zërin e hollë:
“Po vijnë ballistët, po vijnë zogistët! Ç’bëni, lëvizni!
Pas kësaj fjale, ku bërtiste paniku, histeria dhe urrejtja klasore e Udhëheqësit, shefi i sigurimit në Kukës, u përpoq të qetësonte militantët në sallë:
-Kemi depërtuar në organizimin e tyre (ky organizëm ende nuk kishte lindur!) dhe, për pak minuta mund t’i likuidojmë.
Ndërsa shefi i partisë “ironizoi”:
– I kemi paralajmëruar, u kemi dalë borxhit. Ndonjëri mund të jetë djalë i vetëm … S’kemi ç’i bëjmë … Mund të dalë nga shtëpia vertikalisht dhe kur të kthehet horizontalisht mund të futet.
Në mitingun e Kukësit Ramiz Alia u përpoq të ruante qetësinë, kur, midis turmës përgjithësisht indiferente, të rinjtë gjatë gjithë kohës kërkuan duke bërtitur: “Liri – Demokraci”, ndërsa në Has u shfaq hapur alergjia e njerëzve për drejtuesit e rrethi të Kukësit.
Kjo, me sa duket, nuk e shqetësoi fort R. Alinë, të cilit arritën t’i thoshin:
-Ne hasjanëve nuk na ka shtypur Partia e Punës, por partia e Lumës.
Ramiz Alia u ndie i çliruar nga kërkesa modeste:
“Hasi të bëhet rreth më vete”.
“Kjo do të bëhet menjëherë”, premtoi ai.
Izet Duraku, “Pragu”, Tiranë, 2002

