“Në vitin 1912, kur plaku i Vlorës doli në Durrës dhe do të nisej për në Vlorë për të shpallur Pavarësinë shqiptare, mora pjesë bashkë me kushëririn tim, Xhemal Deliallisi, si delegat i nënprefekturës së Shijakut. Sot, ruaj kujtimin e shtrenjtë të asaj tubimi historik të atdhetarëve që përçuan fushën e Myzeqesë, e cila ato ditë ishte e transformuar në një kënetë të gjerë nga shiu i dendur.”

Ymer Deliallisi dhe njerëzit e tij jo vetëm që u bënë dëshmitarë të ceremonisë historike të Vlorës, por ata më herët morën përsipër sigurimin e karvanit të Ismail Qemalit në rrugëtimin nga Durrësi drejt qytetit të Pavarësisë. Këtë e pasqyron në kujtimet e tij nënshkruesi tjetër i aktit të Pavarësisë, Ferit Vokopola:

“Më 21 nëntor na lajmëronte Hamid bej Toptani me Servis Telegrafik nga Durrësi se Ismail beu arriti dhe janë marrë masat e duhura deri në Shkumbin, në shoqërim të Z. Ymer bej Deliallisit me shokë..” (Revista Njeriu, “Ngritja e Flamurit Kombëtar”, Nr. 5, 1942, fq. 3-7)

Siç dihet, Shijaku është një nga qytetet ku flamuri u ngrit para se të ngrihej në Vlorë. Porosia u dha që kudo të shpallej Pavarësia para se serbët të hynin në Shijak.

“Nga Vlora” – shkruan Ymer Deliallisi në kujtimet e tij – “i drejtova një telegram parisë së Shijakut, që të ngrinin Flamurin Kombëtar.”

Ky telegram pasqyrohet në “Dokumentet Historike” të Lef Nosit (1924, Nr. 4, fq. 107). Teksti është ky:

“Durrësi, Tirana dhe Elbasani shpallën Pavarësinë. Ju, nëse nuk e keni shpallur, shpalleni sa më parë dhe na lajmëroni. Për formalitetet e rastit, pytni Durrësin, Tiranën dhe Elbasanin.”

Sa morën mesazhin, shijakasit reaguan me shpejtësi. Nën drejtimin e parisë së qytetit dhe të vëllait të tij, ushtarakut të shquar Masar Deliallisi, shpallën Pavarësinë në Shijak.

Publikoi: Shefqet Deliallisi

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *