Nga Klodi Stralla
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në të gjitha vendet ku hynë trupat gjermane për nevojat e luftës, u përvijuan tre qëndrime për atë se si duhej të sillej ai vend në mënyrë që të dilte me sa më pak dëme nga një luftë që as ishte e tija dhe as u provokua prej tij. Nga ky rregull nuk bëri përjashtim as Shqipëria jonë e vogël, territori i së cilës u shkel nga të huajt gjatë kësaj lufte.
Bashkëpunëtorët – ose siç i cilësoi Historia e pasluftës “kuislingët”, ishin ai grupim që mendonte se, për Shqipërinë e vogël e të varfër, do të ishte më mirë të pranohej oferta gjermane për “neutralitet dhe bashkim kombëtar”, në këmbim të mosngacmimit të tyre (ata e quanin gjermanin kalimtar), sesa të vendosej prej tyre gjendja e luftës dhe të caktohej një administrator ushtarak gjerman që do të qeveriste vendin me “ligjet e luftës”, në rast se vendasit nuk do të pranonin të merrnin në dorë vetëqeverisjen e tyre dhe të bashkëpunonin me ta.
Nacionalistët – që në terrenin shqiptar ishin ballistët dhe zogistët, fillimisht ishin antifashistë sepse i konsideruan si italianët ashtu edhe gjermanët okupatorë të vendit të tyre dhe, në parim, iu bashkëngjitën Aleatëve në luftën antifashiste; por disa prej tyre rrëshqitën drejt bashkëpunimit kur vlerësuan se komunistët internacionalistë ishin më të rrezikshëm për vendin, me synimet e tyre për të ndryshuar rendin shoqëror, sesa pushtuesit gjermanë kalimtarë.
Komunistët internacionalistë – ishin ai grupim shqiptarësh, kryesisht të rinj, që diti, sipas manualit kominternist të sjellë nga shokët jugosllavë, të fshehë nën petkun e antifashizmit axhendën e vet të vërtetë – atë të marrjes së vetme të pushtetit të pasluftës dhe ndryshimin e rendit shoqëror ekzistues, në një model shteti të tipit stalinist të “demokracisë popullore”.
Në të gjitha vendet e Evropës Lindore ku hynë trupat sovjetike, u implementuan në pushtet partitë komuniste që vegjetonin deri atëherë në Moskë, sepse në vendet e tyre ishin shpallur “jashtë ligjit” që para luftës; kurse në Shqipëri, ku s’pati trupa të huaja, u vunë përballë, në funksion të pushtetit të pasluftës, të tre këto grupime rivale.
Duhet ta pranojmë se komunistët shqiptarë u treguan më të aftët dhe më të vendosurit për marrjen e vetëm të pushtetit, edhe për faktin që “doktrina” e tyre staliniste udhëzonte eliminimin fizik dhe pasuror të kundërshtarëve (terrorizmi), gjë që nuk pranohej nga dy grupimet e tjera. Kjo sigurisht ka arsyet e veta që nuk mund të detajohen me hollësi në një opinion në Facebook.
Gjithsesi:
Në të gjitha kujtimet e ushtarakëve britanikë që asistuan në Shqipëri në mbështetje të luftës (rezistencës), rezulton se preokupimi i tyre (instruksionet që kishin marrë nga qendra e SOE në Kajro) nuk ishte fati politik i Shqipërisë së pasluftës, por përkrahja dhe mbështetja, me armatim, veshmbathje dhe të holla, e atyre grupimeve që luftonin realisht gjermanin. Slogani i tyre ishte formuluar qartë nga vetë lideri britanik, Winston Churchill: “Një gjerman i vrarë, një anglez i shpëtuar!”, pa çka se për këtë do të vriteshin shqiptarët dhe do të digjeshin fshatrat apo shtëpitë e tyre.
Të tre grupimet shqiptare u vunë përballë këtij imperativi: që të kishin përkrahjen e aleatëve duhej të kontribuonin me aksione (sigurisht guerile) kundër gjermanëve, edhe me çmimin e dëshmorëve të rënë apo fshatrave të djegur, pa çka se ishim një popull i vogël dhe i varfër. Kur në 7 prill 1939 italianët pushtuan Shqipërinë, anglezët nuk bënë as reagimin më të vogël, madje e aprovuan diplomatikisht pushtimin. Përse duhej të sakrifikoheshin shqiptarët për inglizin?
Komunistët shqiptarë, të udhëzuar nga emisarët serbë që vepruan si “eminencë grise”, u orientuan më mirë se kundërshtarët e tyre në skakierën politike të kohës (interesat e më të mëdhenjve) dhe, me parimin pragmatik 80-vjeçar “Lepe-Peqe” (urdhëro – si urdhëron), u vendosën në “anën e duhur të historisë” (lexo: pushtetit) dhe vazhdojnë ende sot të gëzojnë të mirat që të siguron një pushtet abuziv në kurriz të interesit kombëtar.
Tiranë, 28 nëntor 2025

