Në ditëlindjen e Presidentit historik Ibrahim Rugova, gazetari Ruben Avxhiu ka rikujtuar një prej akteve më pak të njohura, por me domethënie të veçantë njerëzore dhe kulturore: prezantimin e Musine Kokalarit për herë të parë para publikut kosovar, në një kohë kur shkrimtarja ishte e harruar dhe e izoluar në Shqipëri.
Avxhiu shkruan se në vitin 1983, pak muaj para se Musine Kokalari të ndërronte jetë në vetmi dhe braktisje në Rrëshen të Mirditës, Ibrahim Rugova botoi katër tregime të saj në revistën letrare “Jeta e re” (nr. 2, mars–prill 1983). Tregimet e botuara ishin:
“Mos qofshin vjehrrat e zeza” “Kulloi odaja” “Për mustaqet e Çelos” dhe “Ulurima e qenit”.
Bashkë me to, Rugova kishte shkruar edhe një shënim prezantues për shkrimtaren, e cila në atë kohë ishte pothuajse plotësisht e panjohur si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, ku regjimi i kohës e kishte heshtur për afro katër dekada.
Avxhiu vëren se nuk dihet nëse Musine Kokalari e mori vesh ndonjëherë këtë botim, për shkak të izolimit të thellë që ekzistonte mes dy vendeve. Ajo ndërroi jetë më 13 gusht 1983, pak muaj pas publikimit të tregimeve.
Sot, vepra e Musine Kokalarit është njohur, ribotuar dhe vlerësuar gjerësisht, ndërsa shumë prej atyre që dikur e kishin injoruar tashmë krenohen me lidhjet me të. Pikërisht për këtë arsye, Avxhiu ngul këmbë se duhet të kujtohet edhe ky gjest i vogël, por fisnik, i Ibrahim Rugovës – një akt human dhe simbolik që i dha zë një autoreje të ndaluar dhe të margjinalizuar.

