Nga Arbêr Zaimi

Të mendosh se 22 vite më parë në Kroaci mbahej samiti i parë i BE-së jashtë kufijve të saj. 

Ndërsa para 19 viteve, në Selanik, Kroacia llogaritej ende si vend i “Ballkanit Perëndimor”.

Mandej Kroacia hodhi hapa shumë më të shpejtë se të tjerët.

A ka probleme në Kroaci? Sa të duash. Por a ka çka të marrësh shembull e të nxjerrësh mësim?

Heronjtë e saj të luftës e ruajtën respektin mbarëpopullor duke mos u përfshirë në politikë partiake, por edhe duke u ballafaquar me gjyqet ndërkombëtare e duke pranuar vendimet, pa drojë. 

Qytetarët me votë mundësuan ndryshimin e gjeneratave, ndërsa politika dhe gjyqësori treguan pjekuri dhe vendosmëri në dënimin me burg të korrupsionit të figurave të larta shtetërore.

Edhe klasa biznesore tregoi pjekuri e patriotizëm, sepse jo më kot atyre asfalti u kushton disa herë më lirë se ç’na ka kushtuar ne. Atje infrastruktura është më cilësore, punëtorët paguhen më mirë, e prapë ka kushtuar më pak se te ne, për shkak se edhe biznesi edhe politikanët përgjithësisht kanë ditur të mos e vjedhin kaq shumë shtetin.

Para tre ditëve Kroacia u bë pjesë e Zonës Schengen, ndërsa Bullgaria e Rumania mbetën pas, për shkak se disa nga vendet anëtare të Zonës Schengen kanë shqetësimin e mungesës së politikave të duhura për kontrollin e emigracionit nga ato vende.

Sot kroatët eleminuan Brazilin, janë vendi i vetëm ballkanas që arriti deri këtu. Skuadra e tyre e futbollit nuk ishte më e talentuar, as më e shtrenjtë, as më e pasur as më e mirëpaguar. Pati ndoshta edhe pak fat. Por tregoi disiplinë, angazhim dhe punë deri në fund, dhe frymë ekipore – jo thjesht nerva, individualizëm dhe krenari nacionale, se ato i kemi parë dhe te ekipe të tjera

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *