Nga Ermal Mulosmani

Sapo lexova një shkrim racist dhe antiopozitar, te Lapsi, të shkruar nga Blendi Kajsiu. E kishte titulluar “Grushti që çmendi të gjithë” dhe rrekej të shpjegonte banalitetin e një ngjarjeje që, siç thoshte autori, nuk ka asnjë prapaskenë, konspiracion apo intrigë. 

Kajsiu, habitej madje, sesi shoqërinë tonë e ka kapur paranoja dhe shpik teori konspiracioni me komplote ndërkombëtare, socialiste apo edhe auto-komplote kur ngjarja është kaq banale : 

“Një i çmendur çmend të gjithë”. 

Në fakt, idenë e një ngjarjeje banale e përkrahin të gjithë socialistët dhe teknologët e tyre politikë . Ata rreken çdo ditë të thonë: 

“Po ç’interes kishte Edi Rama nga ky grusht që ia prishi festën e samitit evropian?”

Këtë pyetje diabolike bënte edhe Kajsiu në shpjegimin banal të tij. Do merrem pak më poshtë me këtë tezë por për momentin po vazhdoj me shkrimin e Kajsiut, pjesën më të shpifur të tij. Ja çfarë thoshte, ndër të tjera shkrimi:

“Tronditja berishiste u shpreh qartë në deklaratën e Jozefina Topallit se kjo ishte ngjarja më e rëndë në 30 vitet e tranzicionit. E vërtetë për Topallin dhe berishistët ndonëse jo për Shqipërinë.”

 Vini re me kujdes fjalinë: 

“E vërtetë për berishistët jo për Shqipërinë”!

Pyetja këtu është shumë e thjeshtë për Kajsiun: Kush është Shqipëria sipas teje? Berishistët nuk bëjnë fare pjesë te Shqipëria jote? Çfarë janë ata, kongolezë, kamboxhianë apo hutu? 

Ky është një racizëm i pastër, është tendenca gjithmonë  e pranishme e mjaft tipave që, në emër të epërsisë morale, privatizojnë të tërën. Sigurisht, Kajsiu mund të thoshte:

 “E vërtetë për Topallin dhe bersishistët ndonëse jo për pjesën tjetër të Shqipërisë” por kjo ishte shumë pak, ia bënte pis Shqipërinë! 

Sipas Kajsiut, Shqipëria nuk mund të jetë edhe pjesë e këtyre të zgërlaqurve malokë, të çmendurve që luftojnë Amerikën e gjithë botën. Shqipëria e Kajsiut nuk mund të jetë edhe  e Saliut dhe salikratëve të çmendur që po luftojnë si donkishotër modern me gjithë elitën e politikës botërore. 

Sipas këtij përcaktimi shqiptarë  janë vetëm socialistët, këta tipat me mend në kokë, që kuptojnë banalitetin e së keqes dhe nuk bien viktima të “konspiracionistëve delirantë”,  “të çmendurve berishistë” etj etj. 

Pak më poshtë, Kajsiu shpjegon fare qartë se pse nuk u ka lënë vend berishistëve në Shqipërinë e tij. Ata janë më të çmendur se i çmenduri që qëlloi Berishën, ata nuk janë Shqipëria, janë turpi i saj, llumi, regresi. Ja ku e keni tekstin:

“Ky është realiteti i dhimbshëm i opozitarizmit dhe demokracisë sonë. Përballë çmendurisë opozitare agresori i Berishës duket pothuajse normal. Artikulimet e tij pa sens nuk janë më të pallogjikëshme se fabulat absurde të opozitës me teori konspiracioni global apo me fushata anti-korrupsion që udhëhiqen nga Ilir Meta. Kjo është e vërteta e thjeshtë dhe e papërtypëshme që duhet fshehur pas teorive konspirative.

Nën pretekstin e “grushtit që çmendi të gjithë” ka një propagandë antiopozitare edhe më banale se grushti. Fjalia “përballë çmendurisë opozitare agresori i Berishës duket normal” është tipike e leksikut të kryeministrit apo vasalëve të tij. Pasi e lexova shkrimin u binda që qëllimi nuk ka qenë banaliteti i grushtit por banaliteti i opozitës. Ky është një shkrim kaq banal-propagandistik sa nuk është kujdesur asfare për moslëndimin e një grupi njerëzish, le të themi 25% të shqiptarëve. Ata ky lloj analisti nuk i llogarit fare.

Ky është një shkrim manual i një populisti po t’i referohemi filozofit gjerman Jan Werner Müller. Ka të dy kriteret bazë të një populisti; e para mohon pluralizmin për të ka vetëm një Shqipëri (ku nuk bëjnë pjesë berishistët) dhe kjo Shqipëri është ekskluzive e atyre që kanë epërsinë morale. Ja çfarë thotë Müller në esenë  e tij “Ç’është populizmi”, faqe 17, botim i Pema:

“Populistët pretendojnë gjithnjë që ata dhe vetëm ata janë populli. P.sh, shihni, Erdogan, kundër kritikëve të tij të shumtë deklaron në një Kongres Partie: 

“Ne jemi populli! Kush jeni ju?”

Sigurisht ai e di që kundërshtarët e tij janë po ashtu turq. Pretendimi për përfaqësim ekskluziv nuk është empirik, është gjithmonë në mënyrë të dallueshme moral. Thënë më thjesht: Populistët nuk thonë ne jemi 99%. Ajo çfarë ata vërtetë nënkuptojnë është “Ne jemi 100%”.

Fiks si Kajsiu! Një propagandë bajate.

Me shpjegimin e çmendurisë dhe korrupsionit opozitar na shpjegoi shumë qartë pse nuk bën pjesë në Shqipërinë e tij kjo lloj opozite. Duhet të presim sa të rregullohemi pak moralisht dhe atëherë të aplikojmë se mbase na pranon Kajsiu…

Tani le të them disa fjalë për banalitetin e grushtit. Me qenë se unë kam bërë një shkrim për këtë qëllim, po jap në mënyrë të koncentruar thelbin e tij. 

Edi Rama, me sjelljen e tij të vazhdueshme prej vitesh ka treguar tërheqjen e tij patologjike për poshtërim të kundërshtarit. Dhe jo vetëm kundërshtarit në fakt. Ai ka poshtëruar publikisht kolegët socialist, zëvendësit e tij, faktorët kulturorë, gazetarët, shkencëtarët, katundarët që ju jep tapitë, të rinjtë që nuk mësojnë se shohin Messin e Ronaldon etj etj. Rama nuk ka mundur kurrë të shmangë dëshirën e tij për poshtërim publik. Rrjedhë logjike  e këtij poshtërimi – them unë në shkrim- është kalimi te poshtërimi fizik. 

“Po çfarë do fitonte Rama në ditën e tij më të mirë politike?” – lind pyetja logjike.

E, kjo është edhe alibia e Ramës. A kishte rast më të shkëlqyer që të përziente në zenithin e tij politik edhe një fetish seksual, një tërheqje magnetike të papërmbajtur për një grusht në fytyrën e Berishës?! 

Për këtë duhej një i çmendur, i droguar, i varfër dhe mundësisht nga Veriu. Do ishte kryevepër të ishte me mbiemër Haklaj, Nikaj (viktima të 11 Janarit)  apo Durda. Në mungesë të kësaj duhej të ishte i nxitur nga vëllazëria muslimane, një etnitet kaq larg Ramës…

Po a humbte Rama nga vëmendja që do merrte grushti i Berishës?

Oh, sigurisht ai do humbte pak nga momenti i lavdisë por do fitonte aq shumë nga etja e tij e pashuar për poshtërim saqë e shkëmbente me aq qejf atë pak humbje me mundësinë e mrekullueshme për të parë me mijëra herë videon e poshtërimit të armikut të vet më të madh politik! 

Dhe pastaj do të dilnin teknologët politikë si Kajsiu që do na bëjnë pyetjen e famshme:

“Ç´punë i bënte Ramës ky grusht që i prishi festën e samitit evropian?”

Ja pra, i plotësonte etjen patologjike për poshtërim të kundërshtarit. Nga ana tjetër, samiti dhe rëndësia e tij e jashtëzakonshme do ishte alibia perfekte për manipulim të publikut. Pjesë e së cilës ishte edhe shkrimi i këtij teknologu politik të nivelit krejt mediokër. 

Në fund fare unë nuk pretendoj që version im të jetë 100%  vërtetë. Unë them që logjika poshtëruese e Kryeministrit të çon aty. Por për asnjë çast nuk lexova në shkrimin e Kajsiut ndonjë fjalë si :

“Unë mendoj se ngjarja është thjesht banale”. 

Ai e trajtonte ngjarjen si perëndi e së vërtetës që pasi dëgjoi të gjithë alternativat shpalli të vërtetën e vetme. 

Më ngadalë o bir. Je edhe larg për t’i ditë këto punë kaq mirë e me kaq siguri…

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *